Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Xhevdet Spahija, piktori që i këndon paqes mes njerëzve

937
Asnjëherë nuk kam mundur ta kuptoj, e ca më shumë ta justifikoj, sot kur asgjë nuk na pengon, apatinë zyrtare për të realizuar sa më shumë shkëmbime kulturore midis krijuesve shqiptarë dhe atyre kosovarë, që fundja ndarja s`është tjetër veçse tekë konvencionale e konjukturës së imponuar politike, pjesë e trishtuar e fatit tonë tragjik. Por sa më ngazëllen fakti, kur me nismë personale apo me interesimin e ndonjë shoqate, të tilla shkëmbime në fusha të ndryshme arti bëhen realitet. Një ansambël muzikor, një grup folklorik, një libër, një film, një skulptor, një piktor apo edhe një ekip sportiv janë më shumë se një kënaqësi e momentit apo shuarje kurioziteti për të parë arritjet reciproke në fusha të ndryshme të artit. Ato janë bota e bukur shpirtërore, për të mos thënë, vetë shpirti i një populli. Dhe lidhjet shpirtërore janë të parat, të paprekshme nga asgjë, as nga vetë politika, gjë që fare mirë e provoi pritja vëllazërore që populli ynë, pa asnjë urdhër a dekret, u bëri bijve dhe bijave të Kosovës së dashur, kur tanket e Millosheviçit i përzunë kriminalisht nga trojet e tyre stërgjyshore. Nga ky këndvështrim e vizitova edhe ekspozitën e pikturës të prof. Xhevdet Spahisë, autor i shumë ekspozitave, të çelur në Galerinë e Arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit, me interesimin e të mirënjohurit Dashamir Uruçi. Duke ditur se autori vinte nga Gjakova e atdhetarisë, e djegur dhe e përvëluar, ku kishte qenë pedagog, fillimisht pandeha se si temë e pikturave të tij, kryesisht do të ishin raprezaliet dhe mizoritë e asaj lufta barbare. Po jo! Atje kishte paqe; thuajse ai, tmerret dhe absurdin e asaj kasaphane, kërkonte ta harronte. Ose ta kujtonte vetëm si një ëndërr të keqe. Thuajse nuk kërkonte të nxiste hakmarrjen te shikuesit. Qysh në lashtësi, pas Sofokliut, Aristoteli këshillonte se “Zemrat fisnike nuk kanë vend për urrejtje”. Ai sikur donte të sillte kumtin e lashtë se jeta vazhdonte. Se ajo ishte e bukur dhe duhej gëzuar. Ashtu siç ndodh dhe në natyrë pas ndonjë stuhie të egër, kur gjithçka kalon e qetësohet, gjithçka shkëlqen me një ndriçim të ri, me ngjyra më të gjalla e më mahnitëse. Ndaj dhe në to mbisundonte figura magjike e femrës, ajo figura e përfytyrimeve tona të çdo moshe. Femra, madje, më së shumti nudo, që mbetet për këdo burim frymëzimi. Femra, ajo e shenjta, e cila qysh nga Eva, mbetet krijuesja e përhershme e shoqërisë njerëzore. “Ekstazë në diell”, “Larpetra”, “Lektisja”, “Relaksim”, “Akti i shtrirë”, “Gruaja në vazo”, “Zgjimi i Evës”, “E lumtur në diell”, “Në ikje”, “Lulëmoza”, “Manon Lesko” etj. deri te “Dënimi i epshit” jo vetëm të çlodhin syrin, por edhe të venë në mendime, pasi autori ka ditur që nëpërmjet heshtjes së tyre, t`i bëjë ato të flasin. Duke shkruar për punimet e Xhevdetit, Dr. Ilir Muharremi konstaton se duke u rrekur midis hapësirës dhe figuracionit, me manierat e tij arrin në caqet e një surealizmi të nivelit të lartë. Dhe ka plotësisht të drejtë, pasi në shumë nga veprat e tij ndeshim ndikimin frojdian apo atë të dadaizmit deri diku, ku më i shquari mbetet Dali ose më mirë të kujtojmë pak para tyre të ashtuquajturin “art abstrakt”, ku edhe i madhi P. Picasso huazoi nga Cezanne dhe i vuri vulën derisa deklaroi se “Të gjithë duan të kuptojnë artin. Përse nuk përpiqen, atëherë, të kuptojnë këngën e një zogu?” Ja pse nuk kemi pse të çuditemi para tablove “Servantesi i Ulqinit”, “Rozafa në gur”, “Dashuro për të qenë i lumtur” e ndonjë tjetër, ku ky i ashtuquajtur “art abstrakt” është më dominues. Mitologjia zë një vend të veçantë në krijimet e Xhevdetit, gjë që e aktualizuar, i rrit vlerat e tij intelektuale, por dhe kërkon një shikues të kualifikuar. Veç duhet pohuar se Xhevdet Spahija është kujdesur që të qartësojë sa më shumë nga idetë e tij, shpesh fantaziste, me anën e diçiturave të mençura. Por gjithkush që viziton këtë ekspozitë nuk ka sesi të mos dallojë se ky autor i kultivuar, ndërthur me artin modern edhe atë të traditës. Si shembull mund të merret “Kujtimet e një gjahtari”, ku zagari në një fushë gati të zbrazët, ku vetë gjahtari nuk duket gjëkundi, i leh shqiponjës që krenare fluturon lart në qiell. Si shmangie nga mënyra e tij e të pikturuarit, por edhe si pohim i kulturës së tij, piktori na paraqet edhe tablonë “Në plazh”, ku teknika e përdorur dhe vizatimi pak a shumë naiv, na kujtojnë amatorin që krijoi një shkollëz të vërtetë, doganierin Henri Rousseau. Po ashtu mund të kujtojmë se tek ai shohim ndonjëherë diçka edhe nga arti i David Hockney si fjala vjen, me ato katrorët alla Picasso (“Violinë dhe rrush”), te fotua e tij novatore “Nëna ime”. Kësaj ekspozite dinjitoze, në larminë e saj, nuk i mungojnë edhe peizazhet të cilat identifikohen lehtësisht si vepra të këtij autori i cili i kupton dhe trajton ato ashtu sikurse ka thënë dikush, si një gjendje shpirtërore. (F.H. Amiel). Le që të gjitha pikturat e tij s`janë tjetër veçse pasqyrë e gjendjes së tij shpirtërore e mbushur me optimizëm e cila natyrshëm që duke u mbështetur te përvoja, kultura dhe atdhetaria e këtij autori, që i bën nder gjithë Kosovës, janë për sot dhe për nesër. Vizitorët e qytetit tonë, pas atyre të Tiranës, Shkodrës, Lezhës, Pogradecit, Vlorës dhe Gjirokastrës, do t`i mbajnë mend gjatë pikturat e tij dhe vetë atë.


Sigal