Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Poetit Tahir Bezhani nuk i ndahet dhimbja e Kosovës

526
Sigal

Shënime rreth librit “Terrinë mallëngjimi

Shpendi Topollaj

Kushdo që e ka ndjekur në vazhdimësi krijimtarinë poetike të Tahir Bezhanit, përveç se ka kuptuar se kemi të bëjmë me një njeri dhe shqiptar të mirë që gjithë talentin e tij e shkrin në interes të çështjes kombëtare dhe shqetësimeve shpirtërore që lindin labirinteve të saj, apo nevojës së përhershme për përsosjen e virtyteve tona, por dhe ka vënë re se poezia e tij është poezi e çastit, për të mos thënë meditative. Juve u kujtohet se si e ka përcaktuar Ivan Turgenievi, poezinë e të kulturuarit Fiodor Tjutçev, kur thotë: “Vargjet e tij nuk duken si të krijuara, ato janë shkruar për një çast të caktuar, janë shkruar duke iu përmbajtur porosive që u jepte poetëve Gëtja, domethënë, nuk janë të trilluara, por janë të selitura vetiu, të ushqyera nga ndonjë përjetim konkret, janë të tillë siç rritet fryti në degë.” Personalisht, këtë e kam theksuar qysh kur duke shkruar për poezinë e tij dhe konkretisht duke u përqendruar te libri “Lojë hijesh”, jam shprehur: “Brezi i lodhur i Tahir Bezhanit ka parë me sytë e vet se si në Kosovën e zhuritur edhe dhimbja loton. Atje, në atë vend të bekuar u bënë njësh vera me dimrin bashkë. Edhe kujtimeve të poetit bije shi. Ai, i mbyllur në vetminë e tij dëgjon krisma parvazesh, përplasje kapakësh të prishur, shushurimë fletësh të librave, zhurmë kërcejsh, grykës së oxhakut të nxirë. E kupton se dhe shpirti i është tharë eshkë dhe kur del jashtë as në terr e as në dritë, mjegulla e tërheq për dore dhe ai vetë nën sqetull merr vetminë dhe ndalon atje te një kantier hedhurinash, ku dëgjon një ciatje qeni që ngatërrohet me një lypës për një kockë, pasi të dyve u ka munguar kafshata e gojës, pra luftë për jetë.” Natyrisht, shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë në Kosovë pas shporrjes së hordhive barbare të Millosheviçit dhe Arkanit, por syri i brendshëm i poetit sheh shumë larg. Vendin e tij nuk e lejojnë të bashkohet me atdheun amë, dhe kështu të copëtuar në disa shtete, i venë kushte të papranueshme që të ulet në bisedime me agresorin, e mbajnë me premtime të gënjeshtërta dhe qytetarët e saj larg Evropës edhe pse jetojnë prej shekujsh mu në zemër të saj. Papunësia, pagat e pensionet e ulta, korrupsioni, dhe grindjet e paprera, sjellin varfëri dhe kjo e fundit nga ana e saj sjell trishtim në shpirtin e poetit. Kjo e detyron që edhe këtë libër ai ta quajë “Terrinë mallëngjimi”, ç`ka lë të kuptosh se ende ai vuan. Dy vite të rënda burgimi provoi Oskar Uajlld dhe tha ato fjalët e famshme: “Ndoshta duket i çuditshëm ky pohim, por vuajtja për ne është një mënyrë ekzistence, madje është e vetmja mënyrë e të qenit të vetëdijshëm që jemi gjallë…” Prandaj, si të mos vijojë Tahiri të shkruaj për portat e mbyllura në eter, pritjen e gjatë prej njëqind vjetësh, gëzimin e çmendur, buzëqeshjen e vrarë, dregëzat e shpirtit që ndalet në heshtje stacioneve të kohës së nemitur, gërvishtjeve që kullojnë gjak, lotëve që janë shndërruar në gurë, flakën që s`paska shpjegim nga brenda, dhe që s`e zgjidh as dialogu që bën në vetminë e krisur… Kjo është edhe arsyeja, përse ai njësoj si dikur, përkundet në po atë gjendje te poezia aq e arrirë “Më vjen të qaj”:

“Në këtë pus të nxirë

Më vjen të qaj …

Lotët rrëshqasin

Të nxehtë

Në vetminë time

Mes katër mureve të heshtura”,

…“Mbi tavolinën e vogël

 Taketukja tymon edhe qiellin”.

Në shkrimin tim të para disa kohëve për poezitë e këtij autori kam thënë se këtë lloj tematike Nietzsche e quante një fisnikëri par excellance dhe jo “…një llomotitje e thjeshtë sentimentale”. Tahir Bezhani nuk ka moshë dhe as humor të merret me sentimentalizma. Poezia e tij është revoltë e klithmë dhe njëkohësisht kujtesë. Ndaj bën një punë mjaft të mençur e atdhetare shkrimtari i shquar Mujë Buçpapaj që në çdo numër të gazetës së tij “Nacional” boton poetë e shkrimtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Greqia. Ashtu sikurse meriton përgëzime edhe poeti tropojan Lulzim Logu i cili ka krijuar lidhje aq të forta me krijuesit e Gjakovës e më gjerë dhe që me vizion të qartë e ka quajtur Tahir Bezhanin e Smolicës, kalorës të paepur e të pandalshëm drejt ardhmërisë së përbashkët kulturore dhe jo vetëm. Se vërtetë poetit i takon edhe të endet si hije në errësirë, por pikërisht atje qiriu ndriçon më shumë.