Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj, Kristo Luarasi “Pishtari i demokracisë”

126
“ Pishtari i Demokracisë” Kristo Luarasi – figura që i bëri nder Kolonjës dhe ndriçoi gjithë Shqipërinë. 

Edhe sikur me rezerva ta pranonim teorinë e Çezare Lombrozos, përsëri nuk do të vinim aspak në dyshim se te figura imponuese e Kristo Luarasit, fytyra e pastër burrërore, me ata sytë e zjarrtë që lëshonin shkëndija, do të mjaftonte për të na bindur se ndodhemi para një njeriu të shquar, ku kultura e lartë dhe atdhetaria prej rilindësi të vërtetë, janë tiparet themelore të tij. Është një çudi ngazëlluese fakti se shumica e intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, mes tyre dhe ata kolonjarë, për të mos thënë, sidomos ata kolonjarë, edhe pse nuk kishin dëgjuar për devizën e Jorgo Luis Borgesit se “Të jetosh nuk është e rëndësishme, të lexosh dhe të shkruash po”, përsëri, përhapjes së shkrimit dhe këndimit të gjuhës shqipe i kushtuan gjithë forcat e trupit, mendjes dhe shpirtit të tyre. Ishte një moment i vështirë historik që edhe pse të parët tanë, sipas Karl Treimerit ishin krijuesit e kulturës së karakterit të lartë evropian, përsëri, siç shprehej akademiku Antonio Baldaçi: “Evropa plakë ka shtrënguar në dorën e saj degën e fundit të mbetur gjallë të atij trungu ilir që na ka mbërritur trashëgim nga prehistoria: shteti shqiptar po del në dritën e diellit pas më shumë se dymijë vjet braktisje… kur shfaqet në horizontin diplomatik pavarësia e Shqipërisë, shtypi i të bashkuarve në koalicion mohoi ekzistencën e popullit shqiptar, dhe kur iu kthye realitetit e konsideroi një popull banditësh me cilësi më të këqija që mund të imagjinohen. Ky shtyp vuri në qarkullim epigramin e mësuesit që pyeti nxënësin se cilët janë kufijtë e Shqipërisë, ku nxënësi u përgjigj se do të pyeste fuqitë e mëdha.” E si mund të rrinte sehirxhi para kësaj rrëmuje delikate dhe plot me të papritura për të ardhmen e kombit, Kristua, nxënësi i mençur i Petro Ninit në Hotovë që kishte hapur më 1887 në Ersekë, njësoj si në Korçë, pra në të njëjtin vit, shkollën e parë shqipe dhe po ashtu, nxënësi i Nikolla Naços në Bukuresht? Tani që mes të rreziqesh të mëdha që kishin kushtuar edhe jetë njerëzish, shkronjat pak e nga pak po hynin në ndërgjegjen dhe mendjen e popullit, eruditi Kristo Luarasi, alias Kristo Papa Stefan Kici e kuptoi nga të parët rëndësinë e fjalëve të ithtarit të Lukrecit, Senekës e Plutarkut, Michel de Montaigne se “Është e mundshme që prej dijes së të tjerëve të bëhemi të dijshëm. Të mençur bëhemi vetëm përmes vetes”, ndaj iu fut një pune mjaft të mundimshme për të ngritur atë shtypshkronjën legjendare “Mbrothësia” të cilën pas vdekjes së tij, më 8 korrik të vitit 1934, i biri, Theodhori e pagëzoi aq bukur “Kristo Luarasi”. Sot, kur vetëm në Tiranë ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhjetëra e dhjetëra shtëpi botuese e shtypshkronja, prej nga dalin libra gjithfarësh dhe jashtë ç`do vigjilence të mbrapshtë, kur kompjuterët, celularët, radiot, televizorët, telefonat, rrugët e automjetet kanë mbuluar vendin, brezi i ri as që mund ta përfytyrojë se çfarë heroizmi mbante brenda vetes lufta për fjalën e lirë apo shpërndarjen e kulturës. Dhe këtë luftë epike, ku kultura konvertohej në dashuri për atdheun dhe ndërgjegjësim për t`i dalë zot atij, Kristo Luarasi me shokë e fituan, duke e mbuluar veten me lavdi. Kanë folur për heshtjen mizore e diabolike të diktaturës komuniste ndaj veprës së këtij luftëtari të dijes, për të cilin kolonjari tjetër, publicisti dhe demokrati i shquar, bashkëpunëtori i tij Shahin Kolonja ka thënë se “Kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku.” E pra, tani më shumë se kurrë është momenti që ta lartësojmë figurën e atij që kudo që shkoi, në Bukuresht, në Sofje, në Selanik apo në Tiranë e merrte shtypshkronjën me vete. Atë që ua solli të freskëta fjalët dhe veprat e Frashërllinjve, De Radës, Naun Veqilharxhit, Athanas Tashkos, Fan Nolit, Hil Mosit, Bajo Topullit, Mihal Gramenos, Mehdi Frashërit, Sterio Spases, Haki Stërmillit, Milto Sotir Gurrës me shokë te gazetat e tij “Kalendari kombiar” (“Ditë rrëfenjësi’) së bashku me Kosta Trebickën, “L`independence albanaise”, “Lirija”, “Dituria”, “Drita”, “Lajmëtari”, “Liri e Shqipërisë”. Atë që nuk pa asnjëherë ndasi fetare a krahinore mes shqiptarësh. Atë që me zgjuarsi zgjodhi të botojë kryevepra nga letërsia përparimtare botërore të autorëve emërmëdhenj si Hygo, Balzak, Duma, De Foe, Dode, Tolstoi etj. Atë për të cilin u tha kur mbylli sytë se “përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendej një shqiptar, në të gjithë qytetet e të gjerës Imperatori Otomane, në viset e largëta të të dy Amerikave, gjer në çipat e ngrirë të Siberisë e në shkretëtira të përvëluara të Afrikës.” (M. Frashëri). Atë, të cilin e deshën edhe ata që nuk e patën takuar ndonjëherë. S`duhet harruar dhe vazhdimi i punës nga djali i tij Theodhori dhe gruaja e nderuar Polikseni që ashtu si bija mitologjike e Priamit dhe Hekubës që i qëndroi besnike Akilit dhe qytetit të saj Trojës, iu përkushtua me aq pasion asaj shtypshkronje që u shtetëzua nga komunistët fill pas çlirimit. Ndaj, kam bindjen se nderimi më i madh që u bëhet atyre është botimi aq luksoz i Kalendarit, nderim që i bëhet edhe vetë historisë dhe kulturës tonë. Njëkohësisht ai sikur na kujton apelin e mikut të shquar të shqiptarëve, Justin Godart që në kohën e Kristo Luarasit i drejtohej qeverisë së tij: “Vendi ynë, pa asnjë ngurrim ose mëdyshje, duhet t`i japë vendosmërisht të gjithë përkrahjen Shqipërisë… Nëse do të duam, Shqipëria do të jetë në Ballkan një element stabiliteti dhe përparimi. .. Është një vend i nderit, i miqësisë dhe i besnikërisë ndaj zotimeve që merr.” Ja, për këtë u përpoq me të gjitha forcat kolonjari i pavdekshëm Kristo Luarasi, i cili, jo vetëm nderoi vendlindjen, por dhe ndriçoi Shqipërinë.