Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: “Dallaveraxhiu”

686
E di se nuk duhet thënë qysh në fillim fjala e keqe për Rako Delenxhiun. Mendimin për të, ose duhet ta lë për në fund, ose duhet ta nxjerrë vetë lexuesi. Por ai është aq i lik dhe i poshtër, sa nuk më durohet pa e deklaruar qysh në krye të tregimit tim. Kur e sheh, nuk të lë atë përshtypje, madje duket një tip babaxhani që nuk di t`i bëjë keq askujt. Ka vënë ca bark vërtetë, ama është mjaft i shkathët. Sytë e vegjël dhe të qeshur sikur thonë, se ke të bësh me një njeri të pafajshëm dhe të gatshëm të ndihmojë këdo. Ka një dyqan ku riparon televizorë, ku mes asaj rrëmuje, sa herë të shkosh, do e gjesh me një shishe birre mbi tavolinën e punës. Jep e merr me ca tela e pinca, por nuk mërzitet fare. Të pyet se mos do edhe t’i ndonjë birrë që ta porosisë te klubi aty pranë. Mos ma prish – këmbëngul, po i the se nuk të pihet. Edhe kur flet me ty, vazhdon të heqë e të verë ca pjesë në televizorin e zbërthyer. Më fal, – thotë gjithë edukatë, – por nuk nxirret kollaj leku sot. Ti je i detyruar t`i thuash me respekt: – Vazhdo se po të pengoj, dhe i tregon, përse ke shkuar. Sille, sille – përgjigjet ai – Se këtu janë veglat dhe aparatet. Por mos paç punë me të, se i merr vesh ato veglat dhe aparatet e tij. Televizori im për një zëvendësim llambe PC – 700 kishte nevojë, por meqë më tha ta çoja atje, mora Noken me makinë dhe e zbritëm. – Mos ki fare merak. – më tha Rakua – Nuk do vonohet shumë, sa të heq këto urgjentet që kam në dorë. Se ti e sheh që jam i ngarkuar. – Po, po. – i thashë dhe unë nga ana ime – Veç dije se kush e dëgjon time shoqe kur s`ka televizor. Vetëm ai ia mbyll gojën – dhe qesha. Qeshi dhe ai. Madje dhe shtoi: – Jo mor se është grua e urtë ajo. – Po, po. – e mbylla unë dhe ika me shokun që më priste. Kur po pinim kafen me Noken, mësova se edhe ai kishte shpënë te Rako Delenxhiu magnetofonin e tij, por edhe pse kishin kaluar nja dy muaj, nuk po e merrte. – Ndofta nuk ka pjesë. – vërejta. – Jo mor, po më duket se s`para e çan kokën ky. Mua më vjen zor ta pyes, se më duket që bëhem i bezdisshëm, por edhe Rakua sikur nuk është aq korrekt. Unë nuk fola, se s`kisha ç`thosha. Si kaluan nja dy ditë, u duka te dyqani i Rakos. Ai prapë aty mbi tavolinë me shishen e birrës përpara. – Do presim dhe ca, mos u mërzit. – Ç`ne o Rako, po sidoqoftë… – Duku nga e shtuna, se patjetër do e marrësh. Jo të shtunën, por as pas një viti nuk e mora atë televizor. Mesa e mori dhe shoku im Nokja, atë magnetofonin që kishte çuar para meje. Hajde sot e hajde nesër, sa u harrua ai muhabet. – Nuk e di se ku e kam vënë. Ose ja kam dhënë gabimisht ndonjë tjetri. – më thosh Rakua pa i ngritur sytë. Kishte të drejtë ime shoqe kur thoshte se është turp të të bëjë budalla Rako Pijaneci. Delenxhiu e ndreqa unë. Akoma më keq. – m`u përgjigj ajo. Ku e gjete atë njeri? Ai shihet që në fytyrë. Me ata sytë si Xhinghis Khani. – Na lër rehat edhe ti tani, me gjithë Xhinghis Khanin. – ngrita zërin unë. – S`ke për të marrë televizor nga ai rrugaç. – tha dhe me kaq e lamë këtë bisedë. Dhe ashtu ngjau me të vërtetë. Dikush mund të thotë, se vetë e kisha fajin, që nuk u tregova më i rreptë. Pra, të bëhesha edhe unë delenxhi. Ngushëllohesha se nuk isha vetëm, se edhe Nokja kështu e kishte pësuar. Bëra si bëra dhe bleva një televizor tjetër. Ama inati me Rakon nuk më dilte. E ndeshja në rrugë dhe vetëm sa i tundja kokën. Por dhe ai, shpesh bënte sikur s`më vinte re. Nga ana ime, edhe pse kjo histori nuk më bënte shumë nder, nuk më rrihej pa ua thënë të tjerëve. Nxirrja dufin kështu, dhe sikur lehtësohesha. Por dhe më vinte sikur po e diskreditoja atë maskara që duke e mësuar të tjerët se sa ngjante Rakua me mbiemrin e tij, t`i largoheshin klientët. Takova një ditë Kiun që e gjeja shpesh te dyqani i Rakos. Dhe, me bindjen se ai patjetër që do ja shpinte llafet të ngrohta vetë Rakos. Por Kiu, pasi qeshi sa mundi, më tha se ai kishte kohë që qe prishur me të. Dhe ja arsyeja: Edhe unë ashtu si ju e kam quajtur Rakon njeri normal. Por ai ishte një hileqar i pa shoq. Hiqte një llambë, vinte po atë dhe i thoshte klientit se vura llambë të re. Ai i shkreti paguante llambën e tij që kuptohet kushtonte shumë. Rakua mburrej me këto që bënte, gjersa një ditë në prezencën time, shihni se ç`i punoi një fshatari nga Shijaku. Ky me njëmijë halle, kishte blerë një televizor të ri, por ai kishte një defekt. Erdhi te Rakua dhe i tha se dy muaj kishte që e kishte marrë televizorin dhe ja tani… – Mos ki merak, – i tha Rakua – që i dha dhe një shishe birrë me arsyetimin se qenke lodhur e djersitur. E falënderoi i ziu fshatar dhe pasi pyeti se kur mund të vi, iku gjithë qejf. Rakua, aty për aty, nxitoi t`i pikonte një kondensator që i qe shkëputur fija dhe si e ndezi e vuri në provë. Televizori punonte për bukuri. Figura dilte xham. Por Rakua e hapi sërish dhe i ndërroi ekranin me një tjetër, nga ata që i kishte stoqe. Pas ca ditësh, unë ndodhesha përsëri në dyqan, kur erdhi ai fshatari i Shijakut. I kishte sjellë Rakos edhe një kaçile me fiq që ta bënin me sy.- Ky ka gjë tjetër mor vëlla; – i tha Rakua: veç kondensatorit, ky ka dhe ekranin fare të rënë. Ti prapë do kesh probleme me të. E ndezi, duke thënë se tani punon, por s`më kënaq figura. Dhe vërtetë, figura dilte për ibret.- Eu! – u çudit fshatari – Si ka mundësi? – Po ja, mall për Shqipëri sjellin italianët këtu. U ka ndodhur dhe dy të tjerëve kjo. – sajoi Rakua. Fshatari u turbullua, por e gjeti mendjen të pyeste: – Po si i bëhet? Ku gjendet ekran dhe a bën shumë? – Mos pyet sa bën se këta mezi gjenden, pasi kështu vinë, pa pjesë rezervë. Nuk merret bota me pjesë televizori. Më mirë e blejnë të ri. Por ti meqë je larg dhe je munduar me këtë kaçilen, duku pas nja dy ditësh, të shoh unë një herë në Tiranë se mos gjej. U gëzua fshatari dhe iku përsëri me shpresë. Unë po plasja nga inati se e kuptova rengun që po i punonte. Kur e takova Rakon pas ca ditësh, si për ta vërtetuar deri në fund atë poshtërsinë e tij, e pyeta në i mbaroi punë atij të fiqve. – Mbeti shumë i kënaqur kur i shita ekranin e tij. – m`u përgjigj me mburrje. Kështu e duan këta njerëz. Katundarët na e kanë hedhur gjithë jetën me fiq mufka e ne tani prap të na bëjnë budallenj. Jemi a s`jemi në kapitalizëm. M`u neverit, jo vetëm Rakua, por dhe vetja ime. Nuk dija si ta nxirrja dufin, veç e pyeta: – Kush ua ka vënë këtë mbiemër kaq të bukur Rako? 
Dhe që atëherë nuk ja kam parë sytë më atij qafiri. 
Sigal