Suplementi Pena Shqiptare/Sergei Esenin: Letër Nënës

536
Sigal

Gjallë je, nënoke? Edhe unë 
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet! 
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume 
Izbën tënde, që me mall më pret. 

Thonë se je ligur e je tretur 
Nga meraku im, po nuk ankon, 
Se, pështjellë me një shall të vjetër, 
Fillikate rrugës shpesh kalon. 

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie, 
Një vegim i zi të kall ty frikë, 
sikur në një sherr diku në pije, 
Vjen dikush e ma këput me thikë. 

Kot, e dashur, vuan kaq, besomë, 
Brenga t’i fanit këto ndër sy. 
S’jam aq pijanec i lig sa ç’thonë, 
Si do vdes pa të të parë ty? 

Unë jam po foshnje, si një herë, 
Dhe një shpresë veç ushqej në gji: 
T’iki nga ky tym e kjo potere, 
Te shtëpiza jonë aty të vij. 

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë 
Anekënd të vishet me blerim. 
Vetëm ti, si tetë vjet më parë, 
Mos më zgjo aq herët në agim. 

Mos e zgjo atë që shkrumb iu bënë 
Ëndrrat e moshës plot hare. 
Më ka vrarë jeta mjaft, o nënë, 
Dua veç të çlodhem e të fle. 

As t’i lutem Zotit mos më thuaj, 
Si dikur në t’artën mituri, 
Ti ke mbetur ngushëllim për mua, 
Dritë e pa rrëfyer, vetëm ti. 

Ndaj merak ti mos m’u bëj aq tepër, 
Tek e liga mendjen mos e ço, 
Dhe aq shpesh, me shallin tënd të vjetër, 
Fillikate rrugën mos kalo.