Suplementi Pena Shqiptare/ Sejmen Gjokoli: Një jetë e derdhur në vargje…

1065
Sigal

Nga cikli : “Visare Trashëgimie”

Me Feti Brahimin, rapsodin e madh të Labërisë-

Në ditët e para të Korrikut i mbush të tetëdhjetat. Të këtij korriku, 2019.
Kështu thotë vetë kur me të nis e bisedon se mendja s’ta thotë.
S’ta thotë, edhe pse për shkak të një përkeqësimi shëndeti, afro një vit të shkuar, i duken ende ca gjurmë.
Po as flokë zbardhur e as mendje pakur.
Përkundrazi vazhdon të tjerrë histori si vite të shkuara kur, ashtu i hollë e i thatë, me disa nga librat e tij të botuara në dorë, u binte kryq e tërthor trotuareve të Vlorës.
Dhe ashtu e gjeje thuajse çdo ditë, tek kafja e tij e preferuar te lulishtja me emrin e Marigosë së Flamurit.
Me miq e shokë kënge.
Feti Brahimi, rapsodi e krijuesi famëmadh i Lapardhasë, ka plot një dekadë që ka lënë erën e grykës së Shushicës për t’iu qasur jodit të Adriatikut e Jonit, në Vlorë brenda.
Tani këtu e gjen frymëzimin, prej këtu u jep udhë vargjeve e këngëve.
Ka shkruar shumë, gati pa prerë, nisur prej rinisë së hershme kur në vitet e shkollës së mesme, aty te ekonomiku në Tiranë, do shkruante për grupin e këngës kur u duhej të bënin koncerte.
Akoma s’i kishte mbushur njëzet e pesë vite kur nisi të merrej me grupin e këngës polifonike të Lapardhasë, vendlindjes së tij anës Shushice e për faqe Shashice.
Ish koha kur këndonin vënçen e fshatit Viton Roci, Asqeri Merkaj, Simon Çela e të tjerë djem e burra fshati, tani të shumtit të ndarë nga jeta.
Brezat bëjnë të vetën dhe Fetiut i takoi që të selitë një brez këngëtarësh prej fillimi kur ishin pionierë. Rriti e formësoi plot talent ata që i rritën vlerat jo vetëm Lapardhasë por edhe Labërisë së këngës.
Me Nazif Çelën, Golik Likën, Meleqin, Yllin, Remziun e Selimin, Feti Brahimi do të shkruante histori të madhe kënge.
Këta djem Labërie me Fetiun në “komandë”, pikërisht në Tetorin e 1983, bash aty në Kalanë e Gjirokastrës, do të shkarkonin plot befasi një nga perlat e fondit të artë të polifonisë shqiptare.
” Janinës ç’i panë sytë” ish kënga që në fakt bëri gjithë shqiptarët që ç’tu dëgjojnë veshët.
Simfoni e shkrirë në iso-polifoni, si asnjë herë tjetër më parë në këngën e kënduar labe.
Pastaj vazhdojnë me radhe festivalet e këngët e rralla. “Legjenda e Tanës” një tjetër perlë e nxjerrë nga mademi i Lapardhasë fetibrahimçe.
Me Fetiun, Lapardhaja filloi të matet me të tjera fshatra gjëmimtare kënge; prej Pilurit, Dukatit, Vranishtit e Tërbaçit e gjer tutje Grykës së Bënçës në Tepelenë e kalldrëmeve të Argjirosë me Arjan Shehun me shokë…
Një gur i rëndë e qoshelli në kalanë e rapsodëve të njohur të Labërisë e Bregut të Detit, përkrah Lefter Çipës, Kujtim Micit, Muhamet Tartarit, Dule Havarit, Hamdi Pulos, Maliq Lilës, Zaho Balilit, Pelivan Bajramit, Lefter Haxhirajt e Teno Lonës me shokë. Kollan i rëndë gjerdani.
Nga ke ngjarë?! – i them.
Nga babai dhe nëna – ma kthen.
Pastaj më tregon se të ëmën e kishte nga Tërbaçi, kushërirën e parë të Xhebro Gjikës.
Jam rritur me këngët e nasihatet e tij – më thotë. Edhe këngët ia mësoja të gjitha.
Pesëmbëdhjetë tituj librash ka botuar deri sot Feti Brahimi, të gjitha me mbi shtatëdhjetë mijë vargje.
Tre mijë vargje të tjera pritet të botohen së shpejti në një vëllim me pesëqind faqe, titulluar jo pa simbolikë “Ishte koha”.
Krijimtaria e Fetiut është tejet interesante, e larmishme dhe me një tematikë universale.
Një vend të rëndësishëm në korpusin e botimeve të tij zënë tekstet për këngë, por jo pak edhe vargjet plot humor e sarkazëm e plot finesë.
Madje jo pak, rreth shtatëdhjetë për qind e krijimtarisë i takon planit të humorit e satirës, siç janë këngët për emigracionin e plagët e tij që zënë jo pak vend.
Midis krijuesve vjershëtorë të Labërisë besoj se Feti Brahimi mbetet unik në thurjen e vargjeve rapsodike humoristike.
Natyrisht nuk është i pari, por mbetet i pari në sasinë e tematikën, por edhe në interpretimin mjeshtëror që u bën këtyre krijimeve të tij.
Dhjetëra e qindra vargje të deklamuara pa prerë, pa letër, pa i parë, krejt përmendësh.
Mos u habisni; deri në tetëmijë vargje mund të ti thotë pa i lexuar, falë memories fenomenale.
Feti Brahimi, mbetet edhe një marrës i veçantë, fare autentik, i këngës labe.
Disa prej këngëve të kënduara dallojnë fort për origjinalitet por edhe për avaze të pa tjetërsuara Labërie.
Një familje e tërë me këngë në buzë, të mëdhenj e të vegjël, me djem, vajza e me nuse.
Kështu e pret Feti Brahimi 80-vjetorin e lindjes; rrethuar me vargje, këngë e rapsodi.
Me një radhë librash botuar dhe me magnetofonin me disqe kënge pranë, mbushur të gjitha zëra e tinguj trashëgimie shpirtërore prej Lapardhaje e Labërie.
Pa dashur t’ja dijë që vendi ka pasur e ka dhe një presidencë që jep dekorime të larta…
Të paçim me jetë, mjeshtër i madh i vargut e këngës së popullit e vendit tim!