Suplementi Pena Shqiptare/ Sefedin Methoxha: “Një kafe në Çorovodë”

645
Arkitekti popull e ka vendosur Çorovodën midis dy lumenjve që vijnë nga lartësitë dhe hapin këmishën e dallgëve në fund të saj, për t’u bashkuar aty dhe si dy miq të vjetër marrin rrugën për në dete. Kështu kanë ecur ata me shekuj. Gurgullimat e tyre të pastra, monologët e tyre të përjetshme, e zemërimin e dallgëve kryeneçe i njeh mirë çdo banor i këtij qyteti. Ndërsa malet e kanë rrethuar si një kurorë e bukur sipër saj. Natyra i ka falur gjithë bujarinë këtij qyteti të këndshëm. Shto këtu edhe fantazinë e popullit skraparas që e kanë ngritur qytetin aty ku vargëzojnë kanionet më të bukura në Evropë që mahnitin edhe turistin më të shëtitur në botë. Çorovoda e filloi krijesën e saj me tre shtëpi e një mulli. Pastaj u rrit e u zhvillua sistematikisht. Dhe sot Çorovoda ka fytyrë tjetër. Ajo ka ndryshuar për mirë. Bukuria e saj sot ka bërë xheloz shumë nga ata që janë larguar dhe disa prej tyre po kthehen dhe po rregullojnë shtëpitë. Në hyrje të Çorovodës të tërheq vëmendje një rreth rrotullim që është ndërtuar bukur, një lulishte me shumëllojshmërinë e pemëve që gjelbërojnë në të gjitha stinët. Me vezullimin e dritave shumëngjyrëshe që të çlodhin syrin. Rrugë e trotuare të rregulluara. U suvatuan dhe u lyen fasadat e pallateve në qendër të qytetit. Që në hyrje të saj Bashkia e Skraparit prezantohet kaq mirë, sa të lë në shpirt një ndjesi të ngrohtë me një staf simpatik e me një Kryetar shembullor, i veshur me ngjyra optimiste. Në qendër te lulishtes së bukur është vendosur busti i heroit të popullit “Riza Cerovës” qe me një dorë mban pushkën në tjetrën një gyp letre që tregon se ai s’ka qenë vetëm i pushkës por edhe i penës. Ai ka një pamje magjepsëse, që kaq shumë thotë, aq shumë lë edhe pa thënë. Ai rri i vrenjtur si gjithnjë. Ai nuk ka ditur të buzëqesh kurrë si i lindur dhe i rritur në këto vise, ku kanë fryrë erëra të forta e të hidhta. Ai ka qenë në udhëkryqet e kohës dhe mjegullat e historisë, I kanë dhënë atë pamje që ne shohim përditë. Mbi 10 mijë turistë erdhën gjatë këtij viti në Skrapar dhe u mahnitën kur shohin pedonalen e qytetit aq të bukur që duket sikur ka shtruar tapetin shume ngjyrësh sipër tij. Turistët ndalonin aty, bënin foto dhe me admirim drithërues në sy të kësaj bukurie të këtij qyteti të këndshëm që natyra i ka dhënë diçka por tashmë është e dukshme dhe e pëlqyer edhe fantazia e ndezur e skrapalinjve. Duke shëtitur rrugëve që lidhin lagjet e qytetit vë re se edhe ato janë rregulluar dhe zbukuruar me gurë të skalitur me daltë dhe vendosur me gusto ne formën e mozaikut.
Këtu sapo lë bukurinë e qytetit menjëherë të shfaqen Kanionet me bukurinë fantastike të tyre duke u kapur dorë për dore dhe I japin Çorovodës dhe krejt Skraparit nur nga nuri i tyre. Puna ai motori që lëviz jetën këtu është në nivele të kënaqshme kudo punohet. Kur punohet është gjithmonë bukur, kur punohet për banorët e një komuniteti, është shumë më shumë se bukur. Skrapari ka sisteme pafund kodrash, aq të ëmbla e aq të begata për pemëtari, ai ka kullota malore për bagëti e, mbi të gjitha, ka potencial njerëzor të mrekullueshëm, artist nga shpirti, bujar nga zemra, ka njerëz që e duan punën, njohin sakrificat e duan të përballen me to. Ka njerëz qytetar, që qytetarinë e kanë pjesë të veten, më mirë e më bukur se tjetërkund. Një nga këta është edhe Kryetari i Bashkisë Skrapar z. Nesim Spahiu. Që ka një vizion tjetër për punët e Bashkisë Skraparit nga ata të mëparshmit. Nuk janë vetëm gazetarët që e pohojnë këtë fakt. Përgjegjësja e gjelbërimit të qytetit znj. Lindita Hysi thotë: “Me të ardhur z. Nesim Spahiu në krye të Bashkisë çdo gjë ndryshoi për mirë. Në radhë të parë, futi në gjak edukatën e punës dhe të disiplinës punonjësve të Bashkisë. Pastaj kërkoi nga qytetarët rregullin e pastërtisë e të higjienës në qytet nga secili. Më parë fluturonin plehrat nga kati i pestë. Provo tani të gjesh në trotuar të paktën një bisht cigareje. Edhe fëmijët e vegjël kur i nxjerrin në lulishte, kam parë me sytë e mi, që edhe letrën e karameles po e gjetën në tokë e marrin dhe e hedhin në kosh”. Pensionistët thonë na i pruri zoti këtë kryetar bashkie, jo vetëm se na plotëson kushtet ne, por sepse është njeri punëtor i madh, njeri pa vese. Me këto përshtypje tentova të shkoj tek zyra e kryebashkiakut për ta intervistuar, por më thonë se ai zakonisht nuk ndodhet aty gjatë paradites pasi ndjek punimet publike kudo që ato kryen. Kudo në Skrapar punohet. Skrapari është kthyer në një kantier ndërtimi. Mbaroi rruga e Potomit dhe Vendreshës, të tjera segmente rrugore janë në vazhdim. Punët në Skrapar kanë lënë gjurmë. Ecim nëpër trotuare dhe ndjejmë buzëqeshjen e të rinjve, pëshpëritje të buta e qeshje kumbuese që mbushin mbrëmjeve lokalet e Osumit ndërtuar bukur e me pajisje bashkëkohore. Por duke pyetur pronarët e këtyre lokaleve mbi biznesin e tyre ndaj turistëve, ata shprehen se një pjesë e detyrimit e kanë dhe mediat për shkak të marketingut qe mund të bëjnë ose nuk bëjnë fare. Megjithatë ata vërejnë se mungesa e një strategjie të qartë zhvillimi, i guidave turistike dhe bashkërendimi i shërbimeve të ndryshme që ofrohen, janë fakt i thellë i problemeve të shumta. Turistët e huaj por edhe vendas kanë vërejtje vetëm për infrastrukturën që të çon në pikat turistike në Tomor, por edhe në rrugën Berat-Skrapar, që Skrapalinjve t’u plotësohet ëndrra e hershme që Skrapari të shpallet rreth turistik.


Sigal