Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Llogari bankare me minus

613
Zonja Ruth kishte dalë në pension të parakohshëm. Shkak që bërë një aksident në punë. Kishte rëshqitur mbi një lekurë bananeje në koridorin e kompanisë ku punonte dhe kishte dëmtuar kavilien e djathtë. Pas nja dy operacioneve të suksesshme, mjekët thanë se Ruthi ishte bërë më mirë, por ata nuk e këshilluan të kthehej më në atë punë. Kështu që Ruthi filloi të vrasë mendjen, jo vetëm për të tanishmen e saj, por sidomos për të ardhmen. Pasi gjeti një avokat të mirë, zonja Ruth e çoi çështjen në gjyq dhe, pas kësaj asaj u buzëqeshi fati. Ajo arriti t’i marrë kompanisë së saj TWO MEN AND A TRUCK një çek të majmë prej 100 mijë dollarësh. ” Kavilja ime nuk kthehet më” tha Ruthi një ditë, ndërsa po hante mëngjesin me Scottin, të shoqin. “Por, së paku të kem ca para mënjanë për kohëra stuhish dhe fortunash…” Si kaluan nja dy vjet ashtu me vakanca, Ruth tha me vehte se nuk shtyhej kështu, pa punë. E ndjente se duhej të bënte diçka. Dhe ajo çka dëshironte të bënte ishte të kujdesej si tutore për ndonjë fëmijë shkolle në ndonjë familje në nevojë. Si aplikoi në nja tre katër familje, pasi dështoi në dy intervistat e para, në intervistën e tretë fati i buzeqeshi sërish. E zonja e shtëpisë, zonja Hannah, ia ofroi punën part-time menjëherë.
Hannah kishte një djalë dhjetë vjeç, për të cilin kishte nevojë që dikush të kujdesej në mëngjes, ta zgjonte, ta ushqente, ta niste në shkollë, dhe kaq… Me Ruthin, Hannah mbeti mjaft e kënaqur.
Ç’është e vërteta, edhe Ruthi në fillim qe e kënaqur. Por, më vonë, ditë pas dite, gjendej përballë të papriturash që i sillte djaloshi Dan. Kështu një ditë, tek po i vishte kepucët, Dan e kishte goditur me këpucë në kokë zonjën Ruth dhe nuk kishte dashur të shkonte në shkollë… Një ditë tjetër për shkak se qe vonuar në krehjen e flokëve, kishte humbur autobusin për në shkollë. Në raste të tilla, Hannah, i kërkonte ndjesë zonjës Ruth dhe gati sa nuk i puthte këmbët. Por, ama, çekun e pagesës ia jepte rregullisht çdo të premte. Kështu, i kaloi Ruthi nja gjashtë muaj pune tek Hannah. Gjatë kësaj kohe ajo mësoi se Hannah e kishte atë djalë me një indian me të cilin kishte bashkëjetuar kur kishte ndërprerë studimet universitare. Një djalë tjetër më të rritur, e kishte me një burrë tjetër. Me Markun, burrin me të cilin bashkëjetonte, nuk kishin ende femijë.
Marku ishte shumë punëtor dhe shtëpinë pothuajse e mbante ai. Por, Ruthi kishte vënë re, se megjithëse Markut i vinte keq për djaloshin Dan, ai thuajse nuk përzjehej fare. Nga të gjitha ndjesitë e saj në atë shtëpi, zonjës Ruth i bënte përshtypje, pse ishte aq e ftohtë ajo shtëpi dhe tmerrohej kur mendonte se do t’i mërdhihnin këmbët edhe atë mëngjes. Edhe mëngjesin e të nesermes, të pasnesërmes…Por, erdhi një mëngjës, kur zonja Ruthi, e pa më në fund, se pse i mërdhihnin këmbët mengjeseve…Një të shtunë ajo vajti në bankë të thyente çekun që i kish dhënë Hannah. I mori paratë, por sakaq ne E-mailin e saj banka dërgoi një mesazh elektronik ku shpjegohej se llogaria e saj bankarë zbriste në minus 180 dollarë për shkak se ajo kishte paguar një çek të Hannes, në llogarinë e së cilës nuk kishte para fare. Zonja Ruthi që bërë si bishë. Nuk i kishte ndodhur ndonjëherë në jetën e saj që llogaria e saj bankare të zbriste në zonë frigoriferike me minus… Të nesërmen, Zonja Ruthi e mori në telefon Hannahn dhe ia tregoi fill e për pe historinë. Madje, si rrallë herë ajo përdori fjalor të pistë në bisedë.”Fuck you Hannah!. My bank account newer was minus…” Të hënën tjeter, në mëngjes, Hannah e kishte përcjellë vetë djalin në shkollë. Ia kishte hapur derën e shtëpisë zonjës Ruth, i kishte kërkuar të falur për gjithsa kishte ndodhur me llogarinë e saj bankare dhe e kishte ftuar për një çaj. Ndërsa të dyja pinin çajin e ngrohtë, Hannah krejt papritur kishte filluar të qajë. – Pse qan, e dashur- i kishte thënë Ruth.- Unë do ta harroj historinë bankare. Unë vij këtu për djalin tënd Dan, se më dhimbset dhe dua të bëj diçka për të… – Pikërisht për atë qaj edhe unë- i kishte thënë Hannah. Dhe pastaj i kishte bërë një pyetje: – E di ti pse llogaria jote bankare zbriti në minus? – Jo nuk e di?- i që përgjigjur Ruth.
-Ta them une. Sepse djalit tim Dan, i mungon babai ka nja nëntë vjet. Babai është minus….- kishte thënë Hannah. – Dhe mos do t’ia hedhësh atij fajin?- e kishte pyetur Ruth. Jo, kurrsesi. Gjithe faji qe i imi. Indiani qe burrë për së mbari, por une u mbylla në guasken time të kërmillit dhe nuk e ndihmova të bëhej edhe baba…


Sigal