Suplementi Pena Shqiptare/ Safet Ramolli “Publicistika e Nolit një majë e lartë”

127
(06.01.1882-13.03.1965)
Ka kombe, që hyjnë në histori edhe përmes personaliteteve që ata ekspozojnë gjatë rrjedhës së historisë së tyre. Ka të tjerë që shkëlqejnë, si të përkëdhelur prej fatit, edhe pa pasur personalitete zulmëmëdhenj. Ka personalitete, që bashkëngjitur shkëlqimit të kombit vezullojnë edhe vetë. Por ka të tjerë, që duket se janë krijuar vetëm për të rrezatuar. Pikërisht Fan Noli i përket asaj kategorie personalitetesh, të cilët vetëm rrezatojnë e rrezatojnë, për të shndritur edhe kombin e vet.

Duke qenë relativisht jetëgjatë, falë potencialit të veçantë intelektual që ngërthen e mbart në shumë fusha, rrezatoi në të mirë të kombit shqiptar, duke i falur me bujari atij shkëlqim nga shkëlqimi i tij i veçantë. Është një thënie e tij, e cila në thelb shpreh motivimin e veprimtarisë së tij në shërbim të atdheut: ”Jam në këmbë e me ballin lart, në krye të Kryqëzatës për idealet kombëtare demokratike…”. Kjo, në mos më shumë, gjithsesi reflekton forcë, burrëri, guxim, vendosmëri, patriotizëm, shpirt atdhetar … Por mbi të gjitha ajo shpreh në thelb lajtmotivin e tërë jetës së tij. Prandaj, qoftë edhe vetëm për këtë pohim burrëror është në nderin e kombit shqiptar, që të përkujtojë me respekt Burrin e Shtetit, diplomatin e shkathët, poetin e rrallë si Ai, publicistin e spikatur, oratorin elokuent, poliglotin shkëlqimplotë, idhullin për një Kishë Ortodokse Shqiptare Kombëtare, muzikologun e mirëformuar, e mjaft të tjera si këto. Gjithsesi Noli mbetet një figurë mjaft komplekse, një personalitet i kompletuar dhe i padiskutueshëm në shumë fusha, por që më së shumti spikati edhe në lëmin e publicistikës, për të cilën do të bëjmë përpjekje të shtjellojmë diçka në vijim.

Çështja kombëtare shqiptare – thelbi i publicistikës së Nolit
Në publicistikën e Nolit problem thelbësor mbetet çështja kombëtare, edhe ky një problem mjaft kompleks, në të cilin jo pak ka ndikuar dhe ka lënë gjurmë edhe qëndrimi i fqinjëve, por edhe i të tjerëve më larg. Në këtë çështje Noli ka si devizë: çështja shqiptare duhet të merret në dorë nga vetë shqiptarët, të cilët i kanë aftësitë intelektuale përmes Burrave të Shtetit, që nuk i kanë munguar asnjëherë në rrjedhën e historisë së tij. Si analist i rrallë trajton problemet e politikës së brendshme më së shumti, por edhe të asaj të jashtme. Pozicioni i Nolit është i qartë, i lexueshëm, i qëndrueshëm dhe i ndjeshëm, ashtu sikurse qëndrimet dhe veprimet janë transparente. Mbetet njohës i mirë i situatave, të cilat marrin frymë e jetë në gjithë kontinentet. Hedh shikimin e mprehtë në çdo skaj të globit, duke trajtuar para së gjithash problemet e Evropës, apo të “Kontinentit Plak”, sikurse artikulohet shpesh në kulisat diplomatike, por edhe marrëdhëniet midis Japonisë e Rusisë, qoftë edhe për një hekurudhë, e cila shërben si urë lidhjeje midis Evropës dhe Lindjes së Largët. Problematika e publicistikës së Nolit ka diapazon të gjerë, ashtu si është po aq plastike dhe koherente. Tek ajo tërheq vëmendjen sidomos rubrika “Andej-Këtej”, në të cilën shpalosen zhvillimet demokratike të kohës në Amerikë e Angli, në Itali e Francë, por edhe në Indi dhe Egjipt, natyrisht edhe në Shqipëri. Me interes mbetet analiza e thellë që u bën problemeve të marrëdhënieve midis të fuqishmëve të globit: Amerikë, Francë, Angli dhe Japoni nga njëra anë, me të gjitha vendet e tjera nga ana tjetër, por edhe midis vetë atyre dhe më pak të fuqishmëve se nga ato. Le të hedhim shikimin vetëm tek një rubrikë. Në vitin 1928 Noli stigmatizon politikën amerikane në fushën e jashtme edhe si vijon: ”Amerika do paqen në pazaret e Evropës e të Kinës për të shitur plaçkat e saj; se sa për pazaret e Amerikës, atje e shtron paqen vetë me armë a me dollarë, ose me të dyja, si ta donjë puna apo nevoja…”. Le të mbajmë parasysh që jemi gati tetëdhjetë vjet më parë dhe kur vetë Noli jetonte në Amerikë. Në disa raste, në analizë të ngjarjeve të krijohet përshtypja sikur ato zhvillohen në ditët e sotme. Kështu na shpaloset një Amerikë e fuqishme, e cila financon të gjitha vendet e tjera, por edhe që dirigjon politikën ndërkombëtare. Na shfaqen Anglia, Franca dhe Japonia të fuqishme ekonomikisht, por që në njëfarë mase i nënshtrohen shkopit të më të plotfuqishmit. Na servilet një Gjermani, Itali apo edhe shtete të tjera, të cilat inspirojnë të rimëkëmben për të zënë një pozitë më dominuese në hartën botërore, mandej na shfaqet një botë e tërë që “zvarritet”, që ka dëshirë të zhvillohet, por që nuk e ka plotësisht të qartë ku ta fokusojë shikimin dhe ku të kapet, ose që ja s’fokusojnë të fuqishmit, e të tjera, por që tek e fundit, përfundimi ka qenë dhe mbetet se, “… marrëdhëniet e të mëdhenjve bëhen gjithnjë në kurrizin e të vegjëlve…”. Por mesa duket enkas për këtë dukuri shoqërore, Noli ka përgatitur një satirë fabulore me përmbajtje që vijon. Ligji i natyrës e do që peshku i madh e ha më të voglin, ose që arësyeja e më të fortit është gjithnjë më e mirë. Sipas këtij ligji natyror armiqtë nuk kanë faj kur përpiqen të na gëlltisin, ashtu si edhe ne nuk kemi të drejtë t’i shajmë sepse nuk jemi të zotët të hedhim poshtë ligjet e natyrës. Dhe pas kësaj me tepër theks ironizues na jep mësimin se ç’mund të bëjnë peshqit e vegjël. Ata duhet të përdorin kanunin e mbrojtjes përmes tre mënyrave: peshku i vogël të mbrohet vetë duke ikur nga goja e peshkut të madh; vetë i vëllaj i peshkut të vogël duhet ta këshillojë të mos bëjë miqësi me peshq të mëdhenj dhe as të hyjë nëpër këmbët e tyre; dhe së fundi, vetë qenia e peshqve ka ca kanune, të cilat e ndalojnë peshkun e madh të hajë më të voglin. Ja kjo është pak a shumë në thelb fabula që na servir Noli, ky publicisti i madh.
Fan S. Noli – analist objektiv dhe origjinal
Por gjithsesi Noli ka qenë dhe mbetet sa objektiv aq edhe origjinal në çdo analizë që u bën situatave. Ai është në gjendje të bëjë mirë dallimin midis personaliteteve që dominojnë skenën e politikës botërore. Kështu presidenti i SHBA-së Uillsoni, apo ai i Turqisë Mustafa Qemali qëndrojnë meritueshëm në majat e larta të diplomacisë, duke parë nga lart-poshtë personalitete të tjera të kohës si Musolini – përfaqësues i fashizmit në Itali, apo Venizellosi – një maniak i tërbuar dhe i xhindosur në Greqi. (Për fat të keq por edhe si kryeneçësi e historisë, si ky i fundit ka edhe në ditët e sotme (2004 S.R) në Greqi. Kështu p.sh. në tetor kreu i shtetit fqinj jugor deklaroi në një vizitë zyrtare në Shqipëri se, do të jetë budallallëk të bisedohet në këtë kohë për problemin çam, kur dihet që popullsia çame është shpërngulur me dhunë nga trojet e saj në territorin e shtetit helen, duke ju nëpërkëmbur gjithë të drejtat, përfshi edhe e drejta e pronës, S.R). Për Fan Nolin, në këtë çështje, ndërsa të parët personifikojnë paqen kudo që ata janë të pranishëm, të dytët kudo që shkojnë dhe nga çfarëdo lidhje që vendosin, ”… bije erë barut”, sikurse shprehet në mënyrë tepër koncize Noli, ky analist pikant dhe i mprehtë. Xhorxh Kastellan, një analist i mirënjohur kontemporan, përmes veprës madhore “Histori e Ballkanit”, pasi ka arritur në përfundimin logjik se, në fund të fundit, në vitin 1916 Shqipëria praktikisht ishte e pushtuar, do të evidentojë edhe faktin se, në sajë të aftësisë së Nolit si diplomat, do të bëhej e mundur që të tërhiqej vëmendja e presidentit amerikan Uillson, i cili u deklarua në atë kohë se, nuk mund të njihte premtimet e traktateve të fshehta të kohës së luftës, në dëm të territoreve autoktone shqiptare. Edhe pse nga personalitete të tjera të kohës, vendas apo të huaj, Noli u epitetua “Peshkop i Kuq”, ai asnjëherë nuk u pajtua me politikanët dhe politikat, të cilat synonin copëtimin e Shqipërisë. Tek personaliteti i Nolit ka pasur edhe momente deziluzioniste si politikan, sidomos më e theksuar kjo kur qeveria e tij, edhe për shkak të një vizite që realizoi në Rusinë Sovjetike të pas vitit 1917, nuk u njoh prej disa shteteve, por gjithsesi ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga publicistika. Fakteve që gjen “Andej-Këtej”, një rubrikë shumë e goditur, u bën analizë konkrete, i lidh me njëra-tjetrën, parashtron kondicionin dhe ndikimin midis vetë atyre. Dhe të gjitha ato së bashku i ve në funksion të çështjes kombëtare shqiptare, duke evidentuar qëndrimin e të tjerëve ndaj vendit të tij, përmasat e ndikimit të njërit apo të tjetrit; gjurmët dhe shqetësimet që le pas njëra apo tjetra, e mjaft të tjera si këto. Noli pasi evidenton me intuitë synimet ekspasioniste të fqinjëve, bashkëpunimin dhe lidhjet italo-serbe, italo-greke dhe, sidomos serbo-greke, të gjitha, por sidomos kjo e fundit, të dirigjuara nga Franca e Rusia për të “kafshuar” dhe gjakosur trungun shqiptar, njëherësh proteston prerazi, fuqishëm, rreptë dhe me argumente bindëse. Por si për ironi të fatit, por edhe për të argumentuar analizën konkrete dhe të thellë të Nolit, këto lidhje tek fqinjët veriorë e jugorë të interesuara për destabilizim, gjallërohen dhe bëhen kërcënuese herë-pas-here me synim deri në shpërbërjen e kombit tonë, sikurse ndodhi edhe në vitet 1998-1999, kohë kur dukshëm dhe egërsisht shteti militar serb, pasi kishte ushtruar gjenocid, shpërnguli me dhunë më se 1 milion shqiptarë, që banojnë në trojet e tyre stërgjyshore në Kosovë.
Publicistika e Nolit mbështetet tek faktori historik
Si analist, si rrallëkush Noli evidenton pushtimet ushtarake që i janë bërë Shqipërisë në fillimet e shek. XX, pikërisht në vitin 1913, 1915, 1921 dhe 1924. Ai jep shpjegime për lidhjet, konfliktet, fijet e dukshme e të fshehta, për interesat dhe synimet e një shteti apo të një tjetri…, pra në përgjithësi për skenat dhe prapaskenat që luheshin. Por njëherësh, jo vetëm nga pozitat e atdhetarit, ai evidenton edhe faktin se, populli shqiptar, i organizuar ose jo, i ndodhur me prijës apo pa ta, gjithmonë ka organizuar qëndresë të admirueshme duke ju nënshtruar të huajit gjithmonë i fundit, dhe pasi ka bërë gjithçka ka pasur të mundur. Në funksion të çështjes kombëtare, të përgjegjësisë që ai merr përsipër të thotë, analizon pa pasione por me objektivitet copëtimet që i janë bërë trojeve autoktone shqiptare. Më 1878 Kongresi i Berlinit vendosi padrejtësisht “t’i krasitë” trungut shqiptar Nishin, Vranjën, Ulqinin, Tivarin, Epirin e Jugut. Më 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër i shkëputi trungut shqiptar të tjera vise si Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Kosova, Dibra, Çamëria, duke lënë kështu jashtë kurorës së trungut mëmë më se gjysmën e popullsisë autoktone shqiptare. Copëtimin e tretë vendosi ta bëjë Konferenca e Parisit më 1919, edhe pse në historiografinë shqiptare ka zënë vend me emrin e mirë “Konferenca e Paqes në Paris”, e cila synonte të shkëpuste Shkodrën, Gjirokastrën, Vlorën, ndërsa pjesa tjetër që mbetej, të ishte nën kujdestarinë e Italisë. Ky plan famëkeq nuk u realizua sepse, sikurse nënvizojnë analistë në zë, nën ndikimin e F. Nolit, Shqipërisë ju gjet në krah një nga personalitetet më të nderuar të kohës, Uillsoni, presidenti i Amerikës, ashtu sikurse edhe vetë shqiptarët në këtë rast e gjykuan “të udhës” të bashkohen e të organizohen me besa-besë për Shqipërinë, duke sjellë për rrjedhojë njohjen e pavarësisë dhe pranimin e Shqipërisë në dhjetor 1920 anëtare të Kombeve të Bashkuara. Por edhe Noli, si mjaft të tjerë, gjykon se Shqipërisë disa herë i ka ardhur e keqja nga vetë shqiptarët dhe, se për këtë arsye në këtë kohë dhe në të pastajmen, fatet e saj duhet të merren në dorë nga vetë ata. Më 28 nëntor 1928, duke vlerësuar rëndësinë e shpalljes së pavarësisë, diku shprehet me keqardhje: ”… Brenda 16 vjetëve që shpallëm pavarësinë, dy herë e fituam Shqipërinë dhe dy herë na i rrëmbyen bejlerët dhe ua shitnë të huajve… Prapë syrgjyn dhe prapë të pakët … Kallaballëku u shpërnda prej furtunës ashtu siç është mbledhur pas berihajt, … u nda gruri nga kashta…”.
Në të gjitha rastet, edhe kur analizon copëtimet, por edhe kur hedh dritë për pushtimet, vë theksin në rolin determinues që kanë luajtur të huajt në fatet e kombit shqiptar, të cilit, si për ironi të fatit, i kanë rënë në pjesë fqinjë të pabesë dhe shovenë.
Noli një vlerësues objektiv i personaliteteve të kohës
Por, si publicist, Noli çështjen kombëtare e trajton edhe nëpërmjet qëndrimeve që mban ndaj figurave dhe personaliteteve të kohës brenda e jashtë vendit. Por në këtë çështje duhet të mbahet parasysh domosdoshmërish edhe qëndrimi subjektiv i vetë autorit, i cili në një masë të konsiderueshme kondicionohet nga marrëdhëniet private që kishte me ta. Gjithsesi ai hedh dritë për figurën e Ahmet Zogut, duke u deklaruar me mendime personale, se çfarë përfaqëson Zogu, si lidhet me kombin, ç’rol ka luajtur në çështjen kombëtare, cilët kanë qenë përkrahësit dhe kundërshtarët e tij, cili ishte vizioni i tij në përgjithësi (shikonte drejt perëndimit apo lindjes S.R), e mjaft të tjera si këto. 

Mbeten mjaft mbresëlënëse portretizimi që u bën përmes publicistikës disa figurave të tjera kombëtare si L. Gurakuqi, B. Curri e të tjerë. Janë disa shkrimet në të cilat ai shprehet për figurën e ndritur të L. Gurakuqit, duke e deklaruar atë me plot gojën ”… martir të çështjes kombëtare, … pionier i qytetarisë oksidentale në Shqipëri, … nga shqiptarët e pakë që thëthitnë mirë kulturën e perëndimit dhe që ka punuar më gjatë dhe më rëndë për të mbjellë farën e saj në Shqipëri…”, si dhe vlerësime e epitetime të tjera të çmuara. L. Gurakuqi në shkrimet e Nolit ekspozohet si një veteran i çështjes kombëtare, i cili pothuaj për 30 vjet në shesh të nderit ka vënë në shërbim të atdheut tërë potencialin intelektual dhe gjithë jetën e tij, dhe që gjithmonë për armë kryesore ka pasur jo mjetet e dhunshme, as edhe fjalën “vrastare”, por “… fjalën e ëmbël…”. Vlerësimin e lartë për L. Gurakuqin ai gjen rastin ta shprehë edhe përmes përgjigjes të një akuze që i bën Faik Konica, një atdhetar e patriot si dhe personalitet i lartë i letrave shqip sa edhe vetë F. Noli, sikur ky i fundit ka qenë shërbëtor i Gurakuqit. Me krenari dhe haptas shprehet edhe si vijon: ”… e kam e do ta kem për nder edhe pse nuk është e vërtetë …, megjithatë ishte aq i madh sa të kishte vegla si mua…”. Pra, gjithsesi Noli kishte si idhuj mjaft figura të tjera të kombit tonë, të cilët i pati si bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë besnikë, të cilëve nuk ua ka kursyer asnjëherë mirënjohjen për kontributin ndaj kombit. Por ai mbante mbi krye edhe mjaft personalitete të huaja që spikasnin në atë kohë si Uillsoni, Mustafa Qemali, Linkolni e mjaft të tjerë, të cilëve edhe u referohet në veprimtarinë e tij, ashtu sikurse u ndihet i obliguar dhe mirënjohës për kontributin pozitiv që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare shqiptare. Për Mustafa Qemalin ruan impresione të veçanta, sepse ai mposhti armiqtë e atdheut dhe i ridha indipendencën Turqisë, prandaj edhe meritoi titullin e fitimtarit, të cilin e ruan me lavdi edhe në ditët tona. Por Noli bën vlerësime edhe për personalitete të tjera. Kështu p.sh Napolonin e cilëson militarist, Musolinin disa herë e quan fashist, Venizellosin e epiteton si simbol të egërsisë etj. Në përgjithësi formulon mendimin se, tendenca e ndezjes së flakëve midis fanatikëve është e hershme dhe lë pasoja, është njëlloj sikur të vendosësh një derrkuc në derën e një xhamie, i cili mbaron punë në një qytet të tërë më shpejt sesa mijëra veprime të tjera. Pa u zgjatur më tej, duhet të pranojmë e të pohojmë se, çështjen kombëtare Noli e ka pasur thelbin e publicistikës së tij, ashtu sikurse e mbante edhe si temë parësore të krijimtarisë letrare, çështjen e vetme të veprimtarisë liturgjike, argumentin bazë të shqyrtimit historik, etj. etj. Ai më se një herë e pohon me plot gojën se, nuk e ka për turp të quhet shqiptar, se e ka ndjerë veten shqiptar të mirë e të dobishëm për kombin edhe kur u vu në krye të qeverisë, por edhe kur u rrëzua përdhunisht nga kjo lartësi, sepse në jetën e tij është prirë gjithmonë nga parimi filozofik: “Ai që nuk vete përpara, vete pas…”.