Suplementi Pena Shqiptare/ Safet Ramolli: “Poligloti dhe eruditi Faik Konica i anatemuar”

638
Faik Konica meritueshëm zë vend si një personalitet me vlera të çmuara për popullin shqiptar. Erudit i spikatur, poliglot i konfirmuar, njohës i mirë i historisë së Shqipërisë, Ballkanit, Evropës dhe më gjerë; letrar i gjinive të ndryshme, që me penën brilante dhe gjurmëlënëse zë vend në piramidën e shkrimit shqip, diplomat që ka vendosur lidhje argumentuese të besueshme me botën e civilizuar, duke prezantuar Shqipërinë ashtu sikurse ishte, por edhe me ëndrrën e mirë për t’u ringritur në linjën demokracisë dhe administrimit progresiv
Përbaltja e shëmtuar e Faik Konicës
Duhet të lexosh veprën krijuese të Faik Konicës përgatitur për lexuesin nga të mirënjohurit Nasho Jorgaqi, (shkrimtari dhe kritiku ndër më origjinalët dhe më të kompletuarit), dhe Xhevat Lloshi, (studiuesi, hulumtuesi dhe lëvruesi me vlerë i gjuhës shqipe). Botimi i plotë i kësaj vepre, i pajisur me vlerësime të shumanshme, pas një analize serioze të krijimtarisë së Konicës, servir për lexuesin të dhëna konkrete dhe bindëse. Ky punim i çmuar, me siguri ka ndikuar, që tek mjaft studiues shqiptarë “të shkundet” pluhuri i harresës për këtë personalitet të spikatur, ashtu sikurse studentët dhe studiuesit do të kenë rastin e mirë që të njihen me krijimtarinë e gjithanshme dhe të pasur të Konicës, por edhe me qëndrimin konsekuent prej atdhetari, i cili e donte vendin e vet, edhe pse ai mbartte mjaft probleme shqetësuese, disa edhe tejshkuar në kohë. Konkluzionet e plota të formuluara për aktivitetin e gjithanshëm dhe me vlera të çmuara kombëtare të Konicës, në njëfarë mase marrin përsipër të shpëlajnë baltosjen, që krejt padrejtësisht i është bërë këtij atdhetari të spikatur. Qëndrimi zyrtar i qeverisjes gati 50-të vjeçare të dalë pas përfundimit të Luftës II Botërore për Konicën ka qenë krejt shpërfillës, deri në kufijtë e mohimit. Po të hedhësh një sy në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, (nuk e kuptoj se si mund të titullohet i tillë ai, S. R) botim i vitit 1985, personaliteti shumëdimensional i Konicës sulmohet në mënyrën më anakronike e më barbare të mundshme. Akuzohet sikur gjatë gjithë jetës së tij u përpoq të mbronte interesat e bejlerëve; sikur lëvizjen patriotike u përpoq ta kufizonte vetëm në kërkesa kulturore; sikur ishte kundër organizimit të kryengritjeve më 1906 e 1907, duke mohuar qëllimin e tyre për sigurimin e lirisë dhe pavarësisë; sikur ka propaganduar idenë e autonomisë por nën perandorinë austro-hungareze, dhe pas përfundimit të Luftës i Botërore Shqipëria të ishte nën protektoratin italian; sikur Luftën e Vlorës më 1920 e vlerësoi si shprehje të “verbërimit” politik; sikur në vitet 1921-1924 mbrojti interesat e çifligarëve e të bejlerëve, duke u përpjekur të ulte vrullin e lëvizjes demokratike antifeudale; sikur pas dështimit të Lëvizjes së Armatosur në qershor 1924 u vu në shërbim të A. Zogut duke pranuar emërimin ambasador të kësaj qeverie reaksionare në Uashington; sikur në revistën e mirënjohur “Albania” që e drejtoi në vitet 1896-1909, mbisundonte toni i sarkazmës dhe fyerja ndaj kundërshtarëve politikë dhe armiqve vetjakë; sikur në disa vepra letrare shprehte mosbesim ndaj popullit për aftësitë e tij për t’u integruar në rrugën e përparimit ekonomik e shoqëror; dhe mjaft “sikurse” të tjera, që “cenonin interesat kombëtare”. Po a mund të akuzohet një intelektual kompetent dhe brilant, një personalitet që përfaqësoi qeverinë shqiptare në opinionin botëror me aq kulturë, argumente dhe guxim si rrallëkush?!! Për habinë edhe të opinionit përparimtar botëror, kjo ngjau për këtë personalitet poliglot, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me akuzat monstruoze dhe dashakeqe që iu bënë. Po kush ishte në fakt Faik Konica? A e meriton Ai anatemimin deri në armiqësi?!! E vërteta çka do të servirim më poshtë është vitedritë larg akuzave dhe hamendësive bajate që i janë adresuar Konicës.

Faik Konica mbetet mes kalorësve të lëvizjes kombëtare shqiptare
F. Konica mbetet një bashkëkombës i veçantë, i nderuar dhe me vlerë të çmuar, krahas elitës shqiptare për lirinë, pavarësinë si dhe përparimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Jetoi jo gjatë, vetëm 66 vjet, por e tejmbushi atë me veprimtari në interesin personal, por shumë më shumë në interesat e popullit dhe të vendit. Është e qartë se, Faiku lindi në Konicë të Shqipërisë, e cila atë mot (1876 S.R) ishte pjesë e Turqisë Evropiane, ndërsa pas dy Luftash Ballkanike mbeti në territorin shtetëror të Greqisë. Ishte krenar për vendlindjen prandaj edhe mbajti për mbiemër emrin e fshatit të lindjes. Fare i vogël mori mësime intensive në gjuhën arabe si edhe në greqishten e vjetër, latinishten dhe frëngjishten. Inteligjent nga natyra, këmbëngulës i vullnetshëm në studime, prandaj në lice dhe në kolegj në Francë, fitoi nga dy klasë në një viti akademik shkollor. Studimet në Liceun Perandorak të Galata-Sarajit në Turqi, jo vetëm me orientim por edhe praktikisht profrëng, dhe sidomos Universiteti i Dizhonit në Francë, i mundësuan të njihet me historinë e Francës dhe të Evropës, por edhe me letërsinë e tyre të pasur e të gjerë. Në Universitetin e Masaçuninit të SHBA-së, i binjakëzuar dhe unifikuar me Universitetin e Harvardit të Kembrixhit, si rrallëkush mbrojti gradën shkencore “Mjeshtër i Arteve në Letërsi”. I kompletuar më së miri me kulturë oksidentale, pa përjashtuar edhe atë orientale, me aftësi për t’u shprehur qartë e kuptueshëm për auditorë seriozë, sidomos me shkrim, fillon të botojë që herët kur ende ishte student. Ishte i gjerë dhe i thellë në mendime, realitetin e ngërthente me lehtësi e qartësi dhe e pasqyronte me vërtetësi e kurajo. Iu përqas poezisë, prozës poetike, portretit e prozës së shkurtër, kritikës letrare, esesë, satirës, përkthimeve, studimeve historike, provoi jo pa sukses edhe lëvrimin e prozës së gjatë. Kishte horizont të gjerë si intelektual, në krijimtari rrokte tematikë të larmishme dhe interesante me karakter historik, social, shoqëror, statist etj., por hera-herës i linte punimet papërfunduar. Megjithatë F. Konica spikat ndër bashkëkohësit si njohës i thellë i artit dhe kulturës moderne shqiptare, vërejtur dhe artikuluar kjo jo vetëm studiues shqiptarë, por sidomos ata të huaj nga trevat perëndimore. Biografët dhe studiuesit e veprës së Konicës, pranojnë dhe pohojnë në bllok se, ka qenë ndër shqiptarët e rrallë, i cili u lidh me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më shumë sesa shpirtërisht, për të qenë prezent dhe aktiv përgjatë udhëtimit të Anijes Kombëtare Shqiptare në rrugën e historisë së saj, jo vetëm si një udhëtar i zakonshëm por edhe si një timonier dhe riparues i aftë i defekteve të rrugës. Faik Konica nuk u ndodh rastësisht dhe as i papërgatitur në lëvizjen për çështjen kombëtare, por vullnetplotë për përmbushjen me dinjitet të misionit mbarëkombëtar. 

Vinte nga një familje e vjetër feudale e dëgjuar për atdhetarizëm, trimëri, besnikëri, ndershmëri dhe fisnikëri. Ai kishte lidhje fisnore me Ali Pashë Tepelenën sepse, e ëma e këtij të fundit ishte pikërisht nga dera e madhe e bejlerëve të Konicës. Edukata familjare që trashëgoi, përfshirja në lëvizjen kombëtare si dhe edukimi shkollor, i përcaktuan jo vetëm trasenë ku do të militonte por edhe vetëdijen patriotike si dhe cakun kulmor që do të realizonte gjithë jetës. Edukimi shkollor, sidomos nën frymën dhe ndikimin francez, si në Liceun Perandorak të Gallata-Sarajit e deri tek Universiteti i Dizhonit, e pajisën me formim e kulturë të plotë perëndimore, me mënyrën e organizimit dhe të zhvillimit të veprimtarisë së shoqërisë në vendet më të emancipuara, më të përparuara e më të demokratizuara të kohës. Prandaj iu përmbajt deri në fund linjës së drejtimit demokratik perëndimor të shoqërisë shqiptare. Një personalitet i tillë, që bëri aq shumë për vendin dhe popullin, nuk mund të përbaltet sikur gjoja i shërbente bejlerëve dhe borgjezisë. Fan Noli, një nga bashkëshokët dhe bashkëluftëtarët e Konicës për shumë kohë, pohon krejt sinqerisht se, në periudhën 1897-1912 Faik Konica dhe Shahin Kolonja kanë qenë dy nga pionierët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë, pra nuk ishte në shërbim të shtresës nga vinte. Çështjen kombëtare do ta mbronte jo vetëm me pathosin e atdhetarit, por edhe me guximin e patriotit, me mençurinë e intelektualit dhe me zhdërvjelltësinë e diplomatit. U lartësua si patriot duke kryer veprimtari atdhetare në vatrat kryesore të metropoleve evropiane si Parisi, Londra, Brukseli, etj., në të cilët do të ishte prezent dhe mjaft aktiv jo vetëm si militant por edhe si ndërmjetësues i zgjuar, këmbëngulës e trim i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. E donte atdheun dhe popullin, prandaj i grishte bashkatdhetarët e tij, që të krenoheshin me vlerat patriotike e morale të të parëve të tyre, duke e stigmatizuar popullin shqiptar si “… një komb trimash…”, i cili ngrinte Flamurin Kombëtar në ballë të betejave sa herë që armiku e kërcënonte. Lirinë e bashkëkombësve e gjykonte realisht, prandaj artikulohet se, nuk mund të ketë komb të lirë pa qytetarë të lirë. Për lirinë e individit formulon këtë frazeologjizëm filozofik: “Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe, për të bërë atë që i pëlqen, me kusht që të mos dëmtojë asnjë njeri tjetër”. Jo vetëm që e pranon, por edhe e pohon se, atdheu dhe populli për atë ka qenë dhe mbetet i shtrenjtë, prandaj i revoltuar prej qëndrimeve të disa turkomanëve, por edhe të disa të tjerëve që e pranojnë shtypjen, shprehet me mllef dhe keqardhje përmes vargjeve: ”…Është turp prej kësi krimbash, / Të mundohet një komb trimash…/ Ose edhe sa vijon: “… As nder, as turp, as gjak s’kini, / Unjni kryet dhe po rrini…”. Ky qëndrim pohon se Konica nuk mbronte interesat e bejlerëve por të popullit mbarë.

Faik Konica u ishte mirënjohës atdhetarëve shqiptarë
Faik Konica spikat si njohës shumë i mirë i historisë të kombit shqiptar. Ai vlerëson e çmon me vetëdije dhe ndershmëri kontributin që kanë dhënë atdhetarët shqiptarë në lëmin e politikës, të krijimtarisë letrare, të diplomacisë etj. etj, në dobi të çështjes kombëtare. U është mirënjohës paraardhësve dhe bashkëkombësve, të cilët çështjen shqiptare e bënë gjithëherët të tyren, jo vetëm në teori, por sidomos në veprimtarinë praktike. Avdyl Frashërin e lartëson, kur në kujtimet për atë, pos të tjerash shprehet edhe sa vijon: ”… tepër i papjekur, mjerisht nuk kuptoja në ato ditë të lumtura për mua, fjalët që dilnin si zjarr i qëruar nga goja e tij”. Për Naimin e letrave shqip, veçon epitetet e spikatura: ”zemërqëruar, mendjehollë, fjalëkripur, mendjelëruar, ndjesëhollë” etj. Ali Pashë Tepelenës i mvesh edhe togfjalëshin “… luani që i vuri shpatën Turqisë…”, ndërsa Jeronim de Radën e kualifikon ndër shqiptarët që e kanë dashur vendin e tyre me zjarr, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe atdhetarë. At Gjeçovin e veçon nga të tjerët si një njeri me mendje të ndritur, me zemër të mirë e të madhe, me fjalë të paka por me vend, si “… një nga njerëzit më të lartë…”, që ka patur Shqipëria, pra “… si një lartësi e përulur, … një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur…, një njeri që shpërndante veç fjalë të urta dhe ngushëllime njerëzore”, “… i ditur me një dituri patingëllimë, po edhe shqiptar i kthjellët”. Bajram Currin e tipizon si njeriun fisnik, të mençur prej natyre, “… liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhtisë…, i patrembur në armët…, një besnikëri e patundur në fjalën që jepte…”. Krejt natyrshëm Konica kishte një admirim të veçantë për At Gjergj Fishtën, prandaj për atë shprehet gati me superlativa kur midis të tjerash artikulon edhe sa vijon: “Dëshiroj të përmend të parin Gjergj Fishtën, një at françeskan i lindur në Zadrimë, i cili është më tepër se thjesht një poet, ai ka qenë për një çerek shekulli një prijës intelektual i shquar…”. Më tej Konica pohon se levantinët i ngjisin sëmundjen e shpirtit njëri-tjetrit, ”aqë sa Atë Gjergj Fishta, në ato ditë të bukura e të lumtura që shkuam bashkë në Boston shumë vjet më parë, at Gjergj Fishta më thosh se pas mendjes së tij ka në Shqipëri jo vetëm njerëz që janë levantinë…”. Konica bën vlerësime të nënvizuara edhe për Ismail Qemalin, të cilin e epiteton Burrë Shteti, i cili i ka kryer shërbim të paçmuar Perandorisë Turke, por njëherësh ai ka meritën e veçantë se është “… njeriu që shpalli pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912”. Përbën një fakt të njohur historik bashkëpunimi i Konicës me Fan Nolin. Ai shprehet se e ka pasur Nolin bashkëshok, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar, por edhe kundërshtar për ca kohë. Por njëherësh ka kurajon qytetare dhe intelektuale që ta vlerësojë Nolin si një fytyrë historike që ka luajtur rol të rëndësishëm dhe të madh në lëvizjen kombëtare shqiptare. Gjithsesi formulon edhe mendimin se është “… mëndjehapur…, nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane… Pa dyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i rëndësishëm është hirësia e tij, peshkopi Fan S. Noli, reformator i kulturës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike dhe njeri me shumë dhunti të tjera”. Si për të përmbyllur portretizimet, të cilat Konica i realizon me aq finesë, mjeshtëri dhe besnikërisht, le të nënvizojmë se si e dëshironte portretin e shqiptarit në përgjithësi. “Vetëm një gjë duam të shtojmë: shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kurdo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen e provohen: Shqiptarë!”, përfundon F. Konica. Pra një personalitet i përmasave të tilla, që çmon kontributin e elitës intelektuale dhe patriotike shqiptare, nuk mund të përbaltet duke e akuzuar si mospërfillës dhe fyes ndaj kundërshtarëve politikë. 

Intelekti i Konicës na ka përcjellë margaritarë të rrallë!!!
Disa nga krijimet dhe thëniet e F. Konicës mbeten margaritarë të rrallë për gjuhën shqipe edhe në ditët e sotme. Kjo jo vetëm për problemet që servir, për mënyrën se si i koncepton dhe i trajton, por sidomos për mënyrën e paraqitjes. Nën okelion “Çipi i palaçove”, në mënyrë shumë konçize dhe me një satirë të goditur, fshikullon lojën e rrezikshme që kanë bërë disa herë Fuqitë e Mëdha në kurriz të popullit shqiptar. Përmes lojës së fjalëve “Avropa” dhe “Evropi”, na bën prezent faktin që të Mëdhenjtë kanë luajtur në vijimësi me të Vegjëlit lojën e “Maces me miun”. Konica ndërmjet “Avropit” dhe “Evropit” vë një top, për të cilin ata gjoja zihen, grihen e goditen, por që tek e fundit: “Bam “Avropa”, bam “Evropi”, Ulurijnë: ku ishte topi ? Evropa bën sehir…”/ Dhe pastaj na rrëmben shkopin…”. Çuditërisht sjellje e qëndrime të tilla janë artikuluar dhe kryer edhe më vonë.

Me artikullin “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, ai prezantohet si një estet i kompletuar më së miri e për ta pasur zili në ditët tona. Në këtë fushë vlerëson Vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin, Pashko Vasë Pashën, Thimi Mitko, Jeronim de Radën, e të tjerë, të cilët hapin rrugën “… për përparimin e gjuhës shqipe…”. Artin e të shkruarit e krahason me mjeshtërinë e ndërtuesit, sepse që të ndërtosh një shtëpi duhet “… t’i vësh gurët radhë më radhë që të lidhen dhe të qëndrojnë shëndoshë e bukur”. Ai që dëshiron të shkruajë e ka të domosdoshme të njohë dhe zbatojë disa rregulla si: të ketë të qartë objektin e shkrimit, të organizojë mënyrën e ekspozimit, të realizojë rrëfimin pjesë-pjesë, si dhe të konkludojë përfundime të qarta e të argumentuara. Një perlë e vërtetë e krijimtarisë së F. Konicës është shkrimi: ”Lutja e shkrimtarit”. Në pamje dhe në përmbajtje i ngjason një epitafi. Kështu, në jo më tepër se 7-8 rreshta shpaloset një filozofi e tërë. Prandaj për të mos i prishur bukurinë, po e citojmë ashtu si e ka shprehur autori. Ja si pohon Ai: ”Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’ kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit ! Ashtu qoftë!”, e mbyll “lutjen” me shpresë e besim se, atë e dëgjojnë ata që kanë veshë dhe dëshirë për të dëgjuar.

F. Konica nuk pajtohej me të metat
Kishte një karakter krejt të veçantë, por në thelb mbetet ndër atdhetarët, që e deshi dhe e mbrojti me gjithçka të mundshme vendin e tij. Ishte psikolog i hollë qoftë për individë a grupe shoqërore. Si letrar qe i talentuar, si publicist i hollë, si kritik i mprehtë, si eseist elokuent, si përkthyes tërheqës etj. Njihte mirë dhe trajtonte me profesionalizëm e këmbëngulje të gjitha problemet kombëtare. Ngërthente një gjykim e logjikë të fortë e të mprehtë, në ndonjë rast arsyetimi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët i ngjason paragjykimit të një Kasandre, por në thelb mbetet dashamirës. Tek disa syresh vëren mungesë dëshire për të punuar, tek të tjerë mungesë fryme bashkëpunimi, tek ndonjë mosnjohje të problemeve dhe artit të drejtimit etj. etj. Por duhet pranuar që ato ishin mjaft evidente, dhe Ai nuk mund “të bënte një sy qorr dhe një vesh shurdh”. Ato probleme i kemi prezent deri edhe në ditë e sotme. Nga viti 1991 e në vijim, forcat politike premtojnë gjatë fushatave por nuk i përmbushin ato. Le të kujtojmë se në zgjedhjet e pushtetit vendor më 2011 vetëm për Tiranën u premtua një tram, parkinge publike (tek stadiumi “Q. Stafa”), shtrirja e bulevardit qendror përtej stacionit të trenit; çerdhe, kopshte e shkolla të reja; parqe, lulishte e kënde lojërash për fëmijë; përmbushje e shërbimeve ndaj qytetarëve si uji i pijshëm etj., etj. Por këto mbas katër vitesh rezultojnë të parealizuara. Po të ishte Konica gjallë, me plot të drejtë do të mprehte majën e lapsit të satirës për administratorët e paaftë, dhe askush nuk mund ta epitetonte si njeri që nxjerr në pah mungesat. Konica e njihte vendin dhe popullin e tij deri në inde. Me kurajo pranoi të përfaqësojë qeverinë e vendit të tij deri edhe në Uashington, duke e realizuar atë jo vetëm me profesionalizëm, kompetencë por dhe si atdhetar. Tek e fundit, atdhetarizmi i Konicës dhe vlerësimi që i bënte Shqipërisë dhe popullit të vet, do të shprehet në Testamentin që i drejton Fan Nolit dhe Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës S. R) në prag të ndarjes nga jeta në vitin 1942 kur shprehet: “Të nderuar zotërinj ! Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, në se ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël, dhe gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokëm mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet!!!”. Me sa kuptohet, ky testament është shkruar kur Faik Konica, duhet të jetë bindur se nuk do të jetonte akoma gjatë. Kështu më 15 dhjetor 1942 Ai do të mbyllte sytë për të përlotur jo vetëm bashkatdhetarët në Amerikë, por edhe ata që e njihnin. Fakti që varrimi i tij është bërë pas pesë ditësh, më 20 dhjetor, një ditë e shtunë kjo me një të ftohtë të hidhur e të madh, tregon se e kishte merituar, që ashtu i pajetë, të qëndronte si rrallëkush edhe pesë ditë midis të gjallëve. Në ceremoninë e varrimit kishin ardhur qindra adhurues, qofshin miq apo të njohur. Kishin ardhur edhe përfaqësues nga Miduseti, Detroiti, Miçigani, Ohajo, Uest Verxhinia etj. Në qendër të Bostonit, në një sallë të madhe, u kryen shërbimet e varrimit. Fjalën e përzishme e mbajti bashkëshoku, bashkëluftëtari dhe bashkatdhetari i tij, peshkopi Fan S. Noli. Ishte një fjalë e përzishme në shqip e anglisht, jo se kështu e deshtë rasti, por sepse Faik Konica meritonte shumë lotë, psherëtima e dhembje… Peshkopi Fan Noli e mbylli fjalën me shprehjen: “Zoti i plotfuqishëm i dhëntë paqen e përjetshme!”Amaneti i tij që, eshtrat të preheshin në tokën shqiptare, ishte i dhembshëm më tepër se gjithë të tjerët, sepse pati fatin e keq të mos krijonte as familje. Por të qenit e vendit tonë në luftë, e sidomos rrethanat që u krijuan në përfundim të saj, ky amanet nuk do të realizohej në kohë. Por në vitin 1995 eshtrat e shqiptarit të ndershëm Faik Konica shkelën në tokën e amshuar shqiptare. Dy metrat vend që pati dëshiruar në atdheun e tij të shtrenjtë, u “gjendën” në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, ku besojmë se është bërë realitet edhe lutja e F. Nolit që, Zoti i plotfuqishëm t’i ketë falur paqen e përjetshme këtij “shpirti të rebeluar”. Ja kjo ishte motua e një jete të madhe, e një jete që u jetua vetëm për atdhe e komb.
Sigal