Suplementi Pena Shqiptare/ Rudolf Marku: Poetët

1252
Sigal

Rudolf Marku

Poetët

Poetët mblidhen në Ferr,
Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë
A thua se janë në shtëpinë e tyre.

Gjuha është një tunel i pafundmë;
Bashkëtingëllore basesh. Zanore prej flauti.
Por zhurmat në Ferr i mbysin bisedat e tyre.
Kush tha se do të donin t’i zhvendosnin yjet
Drejt Mëshirës? Drejt përdëllimit?

Poetët janë qytetarë të Ferrit,
I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet,
Me ëndrrat e të panjohurve, me rrëfime fantazmash,
Të dënuar për shkak të tingujve, të ritmit, të fjalëve
Dëgjojnë bisedat sekrete të sferave qiellore.

Poetët janë qytetarë të Ferrit.
Ecin nëpër hone malesh, kundër gravitetit të dashurisë
Për të arritur mëkatarët e braktisur nga gjuha

 

Kurrë nuk do arrij në Tiranë

Shkapërcej male, lugina, hone të frikshme,
I bie mes përmes Mesdheut, Adriatikut, Jonit,
Por nuk arrij në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri.
Ne Heathrow, Gatwick, Stansted më qeshin,
Më thonë se nuk do shkosh asgjëkund,
As në Aldorado dhe as në Ferr,
E pastaj më thonë me takt, me kujdes,
Është më mirë të mos marrë as avion e as tren.

Sepse Trishtimi nuk qenka gjeografi,
Sepse Trishtimi nuk qenka Vend.

Zgjedh rruge të tjera. Me anije, tragete, nëndetëse,
Kaloj tunele sekrete të nëndheshme të mallit,
Përdor taktikat moderne të katapulteve të kujtesës,
Teknologjinë më të fundit të shpejtësive të zemrës;
Në Rinas më qeshin e pastaj më thonë
-E kupton dhe vetë se nuk ke mbërritur në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri

Sepse Trishtimi nuk na qenka Vend,

Sepse Trishtimi nuk na qenka gjeografi.

 

Argonautët

Askush nuk i kujton më Argonautët.
Por ne, një grusht njerëzish disi të fandaksur
Vazhdojmë të presim në breg kthimin e tyre;
Herë pas here një pulëbardhë e gjakosur
Na thotë se i ka parë në vorbullat e Bermudës,
Atje ku dallgët janë më të larta se Olympi.

Dhe ne, me kokëfortësi vazhdojmë të presim.
Netëve shohim të njëjtën yje që shohin dhe ata,
Derisa ndjejmë etjen e tyre në buzët tona të thara.
Uria është kudo e njëjtë. Dhe vdekja po ashtu!

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre,
Një grusht njerëzish që bëhemi përherë e më të pakët.
Sa herë që një pritës nga radhët tona vdes,
E dimë se njëri nga marinarët e Jasonit ka vdekur,
Kufomën e hedhim në thellësitë e detit
Po ashtu siç bëjnë në largësi dhe Argonautët.

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre!
Tani gjithnjë e më tepër tregojmë për bëmat e Argonautëve,
Skicojmë harta vendesh të largëta,
Flasim për ishuj misteriozë, për vorbullat e Bermudës,
Lëkuren e kemi të rreshkur nga dielli, nga ernat dhe kripa e detit
Dhe jemi fare të pakët.

Dhe fëmijët e fëmijëve tanë do ngulin këmbë një ditë
Se Argonautët ishim ne, që kemi pritë!