Suplementi Pena Shqiptare/ Rudina Papajani: Të duash një njeri…

552
Sigal

Mësova se të duash një njeri,
është kripë e sheqer bashkë,
dhembje e ëmbël që shqisat ledhaton,
sy e veshë që bërtasin brenda nesh,
rrokje e fjalë të padëgjuara në prekje ëndrrash.
Mësova se të duash do të thotë magji e rrallë,
në një enë qelqi me lojëra breshri të virgjëra,
pasione të vrullshme,
që banojnë diku apo njihen në rastin fatlum,
e topiten kur te dera shohin atë,
vrapin e çmendur të shqisave,
bukurinë e panjohur të gjitones përballë.
Mësova se të duash,
duhet të thyesh hapësirën e ngushtë,
cipën e hollë që fsheh ethe e kollë të fortë,
të ngrohësh ajrin fjalëpak,
që erdhi dhe u ul padashur në qenien time,
ditën kur ylberi frymën e bëri FEMËR.
Duke dashur të rrëmbeja gjëmimin,
padashur harrova veten,
që ish shkrirë pikë plumbi ,
me vajzën e katit të pestë…