Suplementi Pena Shqiptare/ Rudina Papajani: Dhimbja që fliste atë tetor…

507
Sigal

Dhimbja që fliste atë tetor…

Rudina Papajani

 

Mëngjes jo i zakonshëm për mua. Ky qytet më rikujtonte reflekse të ngjarjeve të kaluara,rrugët e dashura që sa e sa herë i shkelja,detin e kaltër që zgjonte tek unë vegime të ëmbla. Diçka ndryshonte… njerëzit… kaq të panjohur. Kishte kaluar kohë e gjatë pa ardhur. Vetëm se tani kisha ardhur për mort. Kishte vdekur shoqja ime e ngushtë Linda. Sa kujtime na lidhnin. Hapat tanë çapkën, të qeshurat, miqësia e sinqertë që rrallë e gjen sot. Dikur ajo më priste e qeshur,më rrëmbente nga dora dhe më thoshte:do arratisemi diku në bregdet që vetëm valët të na shohin. Tani ajo nuk ishte më. . kisha mbetur unë dhe valët enigmë atje tej. U afrova te porta dhe u mata të trokisja po dera u hap nga një grup grash me rroba të zeza që vështronin të përhumbura. U futa brenda pothuajse e mpirë, ndjeva mornica në trup. Mbasi takova të afërmit e Lindës u ula në atë heshtjen time plot dhimbje. Ajo qëndronte aty, thuajse flinte, ajo fytyrë e ëmbël që nuk do të më buzëqeshte më, nuk do të më fliste më. U afrova e putha,qëndronte e ftohtë por e pafajshme në atë gjumë të përjetshëm. Më erdhi të qaja me zë,të nxirrja atë gulshin brenda vetes,atë mall që ishte futur në shpirt dhe rrinte tulatur me shpresën e vetme që të dilte dhe të shpërthente në atë lumë trishtimi. Por mbeta aty,e humbur në atë pështjellim dhome. Befas më ndodhi diçka e çuditshme ,ndjeva se fytyra m’u zbardh dhe nuk po shihja më. Nuk dija si ta shfrehja dhimbjen torturuese që më ishte bërë si lak në fytyrë. Linda qëndronte aty,më vështronte nga fotua dhe dukej sikur thoshte:jemi prapë si dikur. . Kishte qenë jetime, rritur në shtëpi të fëmijës bashkë me motrën pas vdekjes së prindërve. U njohëm bashkë në gjimnaz. Unë si vajza e ndrojtur e ajo si Linda çapkënia. Kur ajo ishte në vitin e katërt të gjimnazit u njoh më Besnikun. . Lidhja e tyre do të ishte dhe sot po të mos aksidentohej Besniku gjatë një gare me motor ku ai vdiq. Për të mbajtur veten dhe motrën Linda filloi punë në një fabrikë këpucësh. Një ditë tek po dilte nga fabrika gjatë një kontrolli rutinë në çantë iu gjet drogë. Pronari i tha se do lajmëronte policinë,por Linda këmbëngulte se dikush ia kishte vendosur drogën në çantë. Atëherë pronari i tha se po nuk bashkëpunoi me ta jo vetëm do futej në burg po dhe motrën nuk do ta shihte më me sy. Kështu filloi jeta e burgosur e Lindës jetime që fati i mohoi frymën dhe ajrin që thithte. Më kërkoi që t’i betohesha që mos t’i tregoja kujt për hallin që e kishte zënë,sepse në rast të kundërt do t’i vrisnin motrën. Me lot në sy ju betova atë pasdite që s’kam për ta harruar kurrë. Ishte dita e fundit që e pashë. Më vonë mora vesh se e kishin shfrytëzuar si prostitutë në Itali,e kishin torturuar bashkë me shumë vajza të tjera. Kur ajo u arratis nga trafikantët u ndihmua nga një prift që e strehoi dhe më pas lajmëroi policinë. U ndihmua nga një familje italiane që e deshën si vajzën e tyre. Më shkruante se ndihej e lumtur… E çliruar. . se po jetonte një jetë të dytë. Por lumturia u tregua mizore me të sepse u kthye çast jo jetë. Një ditë kur ajo po kthehej nga puna ku shërbente te një çift pleqsh u godit me dy plumba në zemër. Me sa duket trafikantët u hakmorën pas deponimeve që bëri Linda në polici. Edhe e vdekur Linda i tmerronte ata bisha që nuk u mjaftuan me vrasjen por e hodhën në një gropë dhe e mbuluan me dhe . Siç më thanë këtë ngjarje e kish treguar një dëshmitar okular që deponoi në polici. Ndjeva ankth dhe bulëza djerse.  Një dhimbje m’u fut në kraharor dhe ngeli aty për të mos u shkulur. I u afrova motrës së Lindës e përqafova dhe bashkë me të putha lotët e saj që kishin ngelur aty si mall në mollëzat e faqeve. Një zë i padukshëm bërtiste,fliste me zbrazëtinë pastaj kthehej si heshtje memece në atë vetmi të shurdhët. Zilja e orës befas kumboi në mënyrë tingëlluese si një kambanë e vogël duke thyer në mënyrë të njëtrajtshme heshtjen që priste si memece përcjelljen e një dhimbje. Teksa kortezhi ecte një shi filloi të përplasej me erën si një tekanjoz nga padrejtësia që ju bë. Ndoshta ato morri pika uji mbartnin tundimin nga jetë jetime që stërkalat e përndoqën nën një qiell ogurzi.  Diku ngjyrat ishin gri diku blu e thellë si sytë e Lindës. Nyjet e shiut binin damar-damar pa ditur se ku duhet të zgjidheshin.  Ishte Tetor. . lulëkuqet e mbira afër varrit të Lindës kishin ngrirë në atë ngjyrë gjaku që fliste. . . .