Suplementi Pena Shqiptare/ Rrahman Xhaferllari: Qirinj në Kishën e Marsejës

169

Një pasdite po bisedoja me gjysh Llazarin, flokë e zemër bardhë, është njeri i dashur e me humor të hollë, gjyshi i pesë mbesave, bija të dy djemve të tij.

Së bashku me Leonorën, gruan time dhe dy mbesat e mëdha po vizitonim Marsejën, një nga qytetet e bukura të Evropës, – nisi bisedën ai. Shoqëruesi ynë, një francez i gjallë dhe dinamik, nisi prezantimin e tij me historikun e Marsejës (Masolia). Ky qytet theksoi ai, nisi jetën e tij nga një histori dashurie, ku një armator grek (pronar anijesh dhe lundërtar), vendosi që dashurinë e tij ta celebrojë në këtë gji. Këtu ndërtoi dhe vilën e tij. Në këtë zonë ndërtuan vilat e tyre dhe shumë marinarë të tjerë, grekë të asaj periudhe. Kështu filloi të popullohej ky gji që është një nga shumë koloni greke të ndërtuara në Adriatik këtu e 2500 vjet më parë. Tipar dallues i tyre është se flasin shpejt dhe gratë me hundën e kthyer lart. Pjesë e programit tonë turistik ishte vizita në një nga kishat më të mëdha e karakteristike të Marsejës. Nga kjo kishë gjigante me pamje nga deti shihej mjaft qartë ishulli i Monte-Kristos. Radha për të hyrë në kishë ishte mjaft e gjatë.

Futemi dhe ne e ndezim ndonjë qiri për njerëzit tone, – i them Leonorës, gruas time dhe dy mbesave.

Futu ti me Katerinën, – thotë ajo. – Unë e Noja (mbesa e madhe) po ju presim jashtë. Unë nuk mund të qëndroj në ambient të mbyllur, ndërsa Noja do të më shoqërojë mua.

Tok me Katerinën mbasi bëmë kryq në hyrje të kishës, u futëm brenda saj. Në kishë ishte gjithçka  e mahnitshme. Njerëz të shumtë duke ndenjur në radhë prisnin të ndiznin qirinj tek vendi i bekuar. Mora katër qirinj dhe u futa në radhë. Kur u afrova tek vendi i caktuar, ndeza qirinjtë. Bëra kryq dhe ju luta Zotit për mirësinë e njerëzve të mi. Katerina  kureshtare ndiqte veprimet e mia.

Mirë more Papu, përse i ndeze këta katër qirinj,- pyeti kurioze ajo.

Qesha, i hodha dorën në qafë mbesës sime dhe e putha në ballë.

Ja moj mbesa ime e bukur,- ju përgjigja. Qiriun e parë e ndeza për gjyshen tuaj dhe bashkëshorten time. Ajo për mbi pesëdhjetë vjet ka qenë bashkëshorte e jetës time. Me të kam ndarë gëzimet e hidhërimet e jetës. Më mbulonte kur, duke shkruar apo studiuar, i lodhur më zinte gjumi mbi tavolinën time të punës. Ndaja me të gëzimin e sukseseve e brengat e hidhërimeve. Ajo është bashkudhëtarja më e gjatë e jetës sime. Në rrudhat e thinjat tona zënë vend shqetësimet e njëri-tjetrit. Qiriun e dytë e ndeza për dy djemtë e mi të zgjuar e punëtor. Atë që nisa unë ata po e çojnë më tutje me vullnetin e punës e zgjuarsinë e tyre. Ata janë bërë më të mirë se koha. Qiriun e tretë e ndeza për ju pesë mbesat e mia, motrat e kushërirat e tua. Jeni bërë të mira e të dashura dhe shikoni gjithmonë përpara, duke mos harruar prindërit e gjyshërit tuaj. Dhe qiriun e katërt e ndeza për dy nuset e mia të urta, të zgjuara dhe punëtore. Ditën të na bëhen krahë ne, burrave të tyre dhe t’u rrisin ju fëmijët e tyre me përkujdesje e dashuri. Për të gjithë ju, unë ju luta Zotit t’ju sjellë shëndet, mirësi në jetë.

Katerina më dëgjoi me vëmendje dhe dy duart e saj i lëshoi mbi qafën time e pastaj me dashuri ledhatoi faqet e mia të fishkura nga rrudhat e moshës.

Në anën tjetër, aty ku ndiznin qirinj për kujtimin e të vdekurve dhe shpirtrave të tyre, ndeza tre qirinj të tjerë. Qiriun e parë e ndeza për kujtimin e nënës sime të dhembshur e të dashur. Ajo nga gjoksi shkuli zemrën e saj e ma dhuroi mua, se zemra e një nëne është vetëm për bijtë e bijat e saj. Nuk ka si dashuria dhe dhembshuria e zemrës së nënës, dashuri që u kultivohet bijve të saj, ashtu si u kultivua edhe tek unë, dashuri që më ka ndjekur gjithë jetën time. Qiriun e dytë e ndeza për babanë tim, njeriun e dashur dhe punëtor. Ai hoqi trurin tim e ma dhuroi mua. Zemra të bën të dhembshur e të dashur, ndërsa truri të drejton e të komandon në jetë. Ashtu na ka drejtuar ai, te bëhemi njerëz të drejtë e punëtor. Qiriun e tretë e ndeza në kujtim të vëllait tim që iku shumë shpejt nga kjo jetë. Ai ishte dashuria dhe mirësia vetë. Kujtimi i tij do na ndjekë gjithë jetën. Personaliteti i tij ka luajtur një rol të madh në lartësinë e familjes sonë.

Katerina më dëgjoi me vëmendje dhe pika loti rrodhën nga faqet e saj të njoma. Më futi krahun dhe duke kryer të gjitha ritet, vizituam të gjithë ambientet e kishës.

Ah moj Noja, çfarë ke humbur- i tha të motrës kur dolëm jashtë. Sot përjetova një ndjesi që s’e kisha përjetuar kurrë. Njoha Papunë tonë të vërtetë. Aty në flakët e atyre qirinjve që ai ndezi në kishë, ndriste gjithë mirësia dhe dashuria e tij.

Këto më tregoi gjysh Llazari atë pasdite të ftohtë Dhjetori. Në flakët e qirinjve ndezur në kishën e Marsejës ndrit mirësia e këtyre njerëzve të mirë e besimtarë- mendova.