Suplementi Pena Shqiptare/ Robert Kodra: Burgaxhiu e vocërr

294
Ai ishte një djalë më pak se 16 vjeç. U dënua për vjedhje, për disa muaj. Ishte i qetë, i duruar, nuk krijonte probleme. Emrin, që kishte të shkruar në certifikatën e lindjes dhe nëpër dokumente, e mësoi në burg. E thërrisnin me emër tjetër, apo nofkë. Kur e thërrisnin me emrin e tij, vështirë se e kthente kokën. Ishte analfabet. Pranonte të bënte çdo punë, vetëm të mos mësonte. Fletorja i dukej më e tmerrshme se çdo hekur, prangë apo beton burgu. Fletoret e tij ishin gjithmonë të zhurbrosura, që nga faqja e parë kur i fillonte, nga sikleti që kish kur duhej t’i hapte. I merrej pak goja. Nga ndrojtja fliste rrallë dhe përpiqej t’i përzgjidhte fjalët. Kur fliste, i hapte sytë shumë, tundte kokën ritmikisht para-mbrapa dhe dukej sikur ato të varfra fjalë i nxirrte nga sytë dhe jo nga goja. Në familje ishin 9 fëmijë, vetëm me nënën. Nuk dinte mirë emrat e motrave dhe vëllezërve. Nuk dinte radhën e tyre sipas moshës.

Banesë kishin një dhomë të një shtëpie të vjetër, që ç’binte jashtë hynte brenda. Mbas përfundimit të dënimit, kthehet në familje dhe pas disa muajsh rikthehet përsëri në burg, këtë herë së bashku me vëllain e tij, të dënuar për vjedhje. Dukej shumë i lodhur, i vuajtur, i dobësuar fizikisht. E megjithatë shprehte qetësi. Pas përfundimit të procedurave të pritjes, dikush e pyet nëse donin të hanin.

– Jo, thotë, – të shkojmë të lahemi, pastaj të rregullojmë krevatet tek dhoma ime, unë poshtë dhe vëllai lart. Pastaj na jepni bukë.

Nuk ishte larë asnjëherë në kohën që “gëzonte lirinë”.

Dhe nuk është i vetmi. Ka shumë fëmijë të tillë, apo të mitur, siç quhen nga legjislacioni ynë modern, të cilët rriten e madhohen burgjeve dhe do ta shihnin me zili Lulin e vocërr të Migjenit.