Suplementi Pena Shqiptare/ Resmi Çorbaxhi: Vatranët rreth “Vatrës” nën rrezet e “Diellit”

86

Nga New York, Resmi Çorbaxhi

Pas hidhësisë së dimrit të gjatë dhe erës së ftohtë të oqeanit, retë janë çarë duke premtuar një ditë të ngrohtë. Kështu duket këtu në 3W, 51 Street, ku ndihet një ambient festiv me aromë Shqipërie. Kjo duket nga vargu i gjatë i makinave parkuar në të dy anët, ku nuk është vështirë të dallosh që janë shqiptarë. Flasin targat e tyre në gjuhën shqipe me emrat e qyteteve nga vijnë, simbolet si shqiponja, flamuri kombëtar, harta e Shqipërisë dhe Kosovës. Zhvillohet ceremonia e 110-vjetorit të gazetës “Dielli”, zërit të vatranëve që për më shumë se një shekull kanë jetuar me trup në Amerikë dhe me mendje në Shqipëri. Të parin që ndeshëm në rrugë është Dr. Elez Biberaj, publicist dhe një zë i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare gjatë viteve 1990. E kush nuk e njeh Elezin?! Edhe ata që nuk e njohin fizikisht e njohin emrin e tij, si një zë i fuqishëm në rrëzimin e diktaturës komuniste. Është së bashku me bashkëshorten. Kanë lënë çdo punë për ditën e madhe të “Diellit”.

-Kohë e bukur!

-Si për festë, s’ka ku të shkojë më bukur. – Buzëqesh ai dhe humbet mes grumbullit të madh të vatranëve. Këtë radhë ata, kanë zgjedhur zemrën e kryeqytetit botëror, jo shumë larg sheshit Times Square, një vend që nuk fle njëzet e katër orë, një shesh që e admirojnë të gjithë. Frederik Ndoci, i njohur si këngëtar, ka edhe një anë tjetër pak të njohur për të tjerët, atë të organizatorit. Këmbët s’i zënë dhe. U uron mirëseardhjen të porsa mbërriturve, hedh sytë rreth e rrotull sallës ku do të zhvillohet sesioni, rregullon mikrofonat, përpiqet të ndreqë diçka në stendat e shumta përqark. Ka një merak, që gjithçka të shkojë-diell si vetë emri i gazetës që i ka mbledhur.

-Mirëmëngjesi! Sapo kam mbërritur nga Gjermania. Kisha frikë se nuk do të arrija në kohë. Kam qenë këtu edhe në 100-vjetorin e gazetës. Zoti më ndihmoi – flet i porsaardhuri dhe sytë e tij kërkojnë miqtë e vjetër. Nuk është i vetëm. Shumë të tjerë kanë ardhur nga Zvicra, Kanadaja, Kosova si dhe nga Shqipëria. Midis tyre shfaqen Halim Kosova dhe përfaqësuesi i Institutit të Përndjekurve politikë, Selajdin Zela. Festa e gazetës së vatranëve i ka kaluar kufijtë e Amerikës duke u bërë festë e gjithë shqiptarëve të diasporës dhe Amerikës. Kanë marrë rrugë të gjatë për festën e “Diellit”. Përkushtimi i tyre të sjell ndër mend vargjet e Nolit të madh;

“Nënë moj ti mos ki frikë

se ke djemtë në Amerikë….”

Kolosët Noli dhe Konica qëndrojnë në krye të stendave vendosur rreth e rrotull sallës. Në krye flamuri kombëtar. Rajmonda Prifti si një pjesëtare e shtëpisë i jep dorën dr Arjeta Ferluskaj dhe e uron për kumtesën e mirëpritur nga të gjithë. Arjeta jeton në Shkodër, por “Diellin” e ka gjithmonë në zemër. E tërheq historia si udhërrëfyese në rrugën e publicistikës shqiptare. Gjatë kumtesës ajo do të hedhë edhe idenë e digjitalizimit të gazetës, si thesar i gazetarisë dhe gjuhës shqipe. Pranë meje është edhe Prof. Nikolas Pano. Vitet kanë bërë punën e tyre, por mosha e tij nuk e ka penguar të marrë pjesë në festën e madhe. Ka qenë pjesëmarrës edhe në 100-vjetorin e “Diellit”, dhe tani ka nderin të mbajë kumtesën e parë. Fuati Memelli, gazetar i ardhur nga Bostoni afrohet pranë profesorit dhe e pyet, nëse mund t’i hedhë një sy të shpejtë kumtesës së tij. Kërkon të japë informacion në kohë sa më të shpejtë.

– Sigurisht, është juaja, por të lutem nuk dua të ketë keqkuptime, pasi është në anglisht. Pas referimit do të jetë e juaja, dhe për të gjithë. Rajmonda afrohet u kërkon të falur për ndërprerjen dhe e fton Prof Panon në podium. Është e mbesa e Petër Priftit dhe vajza e prozatorit Naun Prifti. Së bashku me Frank Shkrelin ndjejnë peshën e përgjegjësisë së moderatorëve të festës. Është një ditë e ngjeshur me veprimtari që sjellin gjithmonë të papritura; fakte dhe ngjarje të padëgjuara më parë. Befasuese ajo që ka përgatitur Ilir Ikonomi. Thesar i rrallë! Për herë të parë zëri i Faik Konicës, nëpërmjet një interviste dhënë radio NBC, vetëm një ditë pas pushtimit nga Italia fashiste, në 7 Prill 1939. E padëgjuar më parë dhe i vetmi dokument që ekziston. Komentatori më në zë i kohës, Helmar Bouchage, e viziton atë në Washington. Intervista është gati dhjetë minuta. Zëri i sigurt, anglishtja e pastër, përgjigjet e pyetjeve edhe kur ato janë provokuese, flasin qartë për përkushtimin e tij ndaj fatit të vendit. Gjatë intervistës është i gatshëm të bëjë avokatin e popullit, duke harruar grindjet e meritë me kundërshtarët e bindjeve të tij. Agresionin ai e quan një thikë të ngulur pas shpinës, të një populli të pambrojtur. Komentatori Helmar në shënimet e veta ka nënvizuar, se kishte mbetur i mahnitur nga biblioteka e madhe dhe njohuritë shumëplanëshe të Konicës. Ndërsa intervista shfaqet në monitor nga pas dëgjoj një psherëtimë. Prof Muharrem Dezhgiu i pëshpërit shokut në krah:

– Ah sikur të kishim ca burra të tillë në kohën që jetojmë! Burra të mëdhenj të papërsëritshëm, të cilët kur ishte fjala për mëmëdheun “harronin” zënkat, mëritë, grindjet, fyerjet, armiqësitë, dhe bëheshin një nën hijen e flamurit kombëtar. Vepra e kolosëve të tillë është një leksion qytetarie edhe për ditët e sotme. Vendosmëria e Konicës na ngacmoi të riktheheshim në analizën e zotit Elez Biberaj, me kritika të forta për pozitën dhe opozitën, gjendjen e vështirë ekonomike, korrupsionin, grindjeve, sharjeve midis tyre duke penguar jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe vonesën për t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane. Për fat të keq kanë harruar leksionet historike të kolosëve si Noli dhe Konica. Në krah kam Selajdin Zelën. Ka punuar në Pogradec për një kohë të gjatë. Unë nga Korça dhe ai gjysmë pogradecar, kemi çfarë t’i tregojmë njëri tjetrit. Veç biseda jonë mbeti në mes kur fjalën e mori Mr. Grant Harris. Një amerikan shqiptar mbi shqiptarët. Veç angazhimit të punëve në Departamentin e Shtetit pasioni dhe disa fakte të periudhës së Pavarësisë e kanë shtyrë atë për të hulumtuar nëpër faqet 110 vjeçare të “Diellit”. Kumtesa e tij e mbushur me data, dokumente, takime shprehin shqetësimin dhe problemin shqiptar në arenën ndërkombëtar. Ato janë trajtuar në faqet e gazetës që botohej përtej oqeanit duke u bërë objekt studimi edhe tani pas 110 vjetësh. Në ndihmë studiuesit i ka ardhur gazeta e asaj kohe “Taraboshi” që çështjen shqiptare e trajton në të njëjtën linjë si gazeta më e madhe shqiptare “Dielli”. Merita McCormack, e cila jeton në Amerikë u shpreh e gatshme për ta ndihmuar Mr Harris gjatë studimit të tij. Asnjëherë nuk u mërzit nga pyetjet e shumta, dhe sqarimeve rreth tyre. -Mr Harris më ka kërkuar ndihmë dhe unë isha e gatshme ta ndihmoja. Nuk besoj që një shqiptar të kishte aq shumë pyetje sa ai, aq pasion dhe vullnet për një interpretim të saktë të rrugës së “Diellit”. Ka interpretuar edhe detaje të vogla por të rëndësishme për kauzën e viteve 1910 kur do të shpallej pavarësia. Po ju sjell një fakt. Mr Grant Harris ka zbuluar që “Dielli’ dhe një gazetë e komunitetit rus që për momentin nuk më kujtohet emri, janë gazetat e para të botuara këtu në Amerikë. Të dy gazetat kanë filluar të botohen në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 1900. Ndërsa Dielli vazhdon rrugëtimin e vet mbi njëshekullor, gazeta ruse pushoi së botuari diku rreth viteve 1960 – 1970. Po kush e ka mbajtur gjallë atë? Ka mbijetuar falë kontributit të vatranëve, shqiptarëve të Amerikës. Vetëm në hapjen e fushatës për 110-vjetorin veç urimeve pafund vërshuan donacionet. Kanë qenë një grup legalistësh, të cilët kanë dhuruar 1700 $. Na bëri përshtypje edhe një letër e Kol PrekCacaj që shkruan: “Gjendem në Majami, Florida me pushime. Mësova se keni hapur  fushatën për 110-vjetorin e gazetës sonë të dashur. Po përgjigjem me 500$ duke ftuar e të tjerë bashkatdhetarë të mbajmë gjallë këtë pasuri historike.” Rrugë e gjatë e nisur që ditët e para të gazetës. Faik Konica një vit pas botimit të numrit të parë nën titullin “Moti i parë” vlerëson përpjekjet sakrificat shqiptarëve që kontribuan në botimin e “Diellit” pa harruar menaxherin e parë dardharin, George Konda që për gazetën interesohej po aq sa për shtëpinë e vet. Edhe në momentet më të vështira shqiptarët në Amerikë kanë ditur të ruajnë zërin e tyre. Anthony Athanas ka qenë njeri prej tyre. Pesha e përgjegjësisë ishte dyfish, si patriot dhe kryetar i “Vatrës”. Nën shembullin e tij Ibrahim Kulla, vëllezërit Bytyçi, Isa Ndreu, sponsorizuan gazetën për muaj me radhë. Mjafton të shfletosh faqet e gazetës “Dielli” të vitit 1984. Vëllezërit Bytyçi dhe Ibrahim Kulla kanë bërë gjithë pagesat e botimit të saj për një vit. Vijmë në prag të festës. Përsëri të gatshëm shqiptarët të kontribuojnë për “Vatrën”. Dhe të parët janë vatranët kudo që ndodhen. Ekrem Bardha dhe Harry Bajraktari dhurojnë nga 5000$, Bedri Lita e Tony Sufaj 2000$ , prof Nikolas Pano 1100$. Në një shkrim nuk mund t’i përmendim gjithë kontribuesit, por vetë shuma prej më shumë se 34000$ flet për gatishmërinë e vatranëve dhe shqiptarëve të Amerikës. Në mbrëmjen e madhe vatranët veç çasteve të gëzuara, u betuan edhe një herë se rrezet e “Diellit” do të ndriçojnë për aq kohë sa të ketë gjak shqiptari. Atmosferë merr zjarr nën këngët e Frederik Ndocit të lehtësuar tani nga roli i organizatorit të festës. Vallet e ndezin më tepër atmosferën. Të kapur dorë pas dore, duket se shqiptarët kanë qenë, janë do të jenë gjithmonë pranë “Vatrës”, si streha e mendimeve të tyre. Por festa nuk mbaron këtu. Ajo do të vazhdojë në Tiranë, kryeqytetin e të gjithëve me ndarjen e çmimeve të konkursit organizuar me këtë rast. Merita McCormac me cilësinë e zv. kryetares të jurisë do të merrte rrugën drejt festës në Atdhe. Emocione për fituesit, por edhe pjesëmarrësit. Roland Qafoku, fitues i çmimit të librit më të mirë e quan vlerësimin, nder, privilegj por dhe një detyrim moral ndaj shqiptarëve të diasporës. Shqiptarët më të bashkuar se kurrë, në 110-vjetorin e “Diellit”, zërit të tyre, shkëndijës së ndezur nga ata që më shumë se për veten menduan për Shqipërinë.