Suplementi Pena Shqiptare/ Qirjako Kasapi: Historia e Skënderbeut – një libër i sjellë nga Kanadaja në Zagori, më 1958

635
Në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut 
Shekulli XV dhe figura e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut njihet ndërkohë si epoka e Skënderbeut, e cila ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, kryesisht për rritjen e vetëdijes kombëtare. Të frymëzuar nga kjo e vërtetë historike, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra e shkrime monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Kështu midis tyre kujtojmë se ishte viti 1950 ai që do shënonte dhe botimin e veprës Historia e Skënderbeut të shkruar nga Fan S.Noli. Meqenëse 2018 shënon vitin përkujtimor kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kjo vepër merr një domethënie të veçantë. 
“Historia e Skenderbeut” vjen nëpërmjet këtij shkrimi referuar disa fakteve historike të shkëputura prej saj. Një vepër të tillë e solli në atdhe, më 1958 pas emigrimit ekonomik në Montreal të Kanadasë dhe biri zagorit Jano Th. Kasapi (Kostëgjika ), si dhuratë të çmuar për pasardhësit e tij. Mënyra se si është shkruar e bëjnë interesant studimin e saj, jo vetëm nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj. Kështu duhet theksuar fakti se kjo vepër u botua fillimisht në gjuhën angleze më 1947 nga Fan Noli dhe në variantin origjinal në gjuhën shqipe doli në qarkullim në vitin 1950. Është me vlerë historike të theksohet se në këtë vepër të Fan Nolit gjen përpjekjen e tij për të plotësuar mungesat e veprës së shkruar nga Marin Barleti mbi historinë e Skënderbeut, më 1508-1510. Në hyrje të veprës citohet: “Kryetrimave të Rilindjes Kombëtare që përsëritnë epopenë e Skënderbeut në Shek. XX ua dedikon këtë vepër Federata Pan-Shqiptare Vatra.”- Boston, Massachusetts -1950. Në kapitullin e Parë përshkruhet; – Lufta pararendëse kundër turqve. (1362- 1438) Kapitulli dytë cilëson; – Kryengritja e Skënderbeut dhe Kuvendi i Lezhës. ( 1443- 1444). Kapitulli i Tretë saktëson; – Skënderbeu kundër Sulltan Muratit të Dytë. (1444- 1451). Kapitulli i Katërt; – Skënderbeu dhe Alfonsi i Pestë kundër Mehmetit të Dytë. (1451- 1458). Kapitulli i Pestë përshkruan ; – Ekspedita Italiane. (1458-1462) Në kapitullin e Gjashtë njihesh me; – Skënderbeu dhe Venetia kundër Mehmetit të Dytë. (1462- 1502 ) Kapitulli i Shtatë; – Qartëson se kush janë Burimet dhe Historianët. Aty përshkruhen; – Burime Shqiptare, Italiane, Turke, Bizantine, Burime arkivore dhe Historianët. Pasi jep çdo detaj të asaj periudhe në shtatë kapitujt e veprës se tij “Historia e Skënderbeut”, Fan S. Noli në përfundim të saj, i kushton një vëmendje te veçantë shqiptarëve me banim në Amerikë e Kanada, duke i cilësuar ata me termin NDIHMËTARËT . (Nënkupto bashkautorët e tij ) dhe ndërkohë sponsorizues që bën të mundur botimin e saj. Ata ishin 789 atdhetarë shqiptarë, emigruar në Amerikë dhe Kanada në vitet 1950. Në faqen 129-136 të veprës “Historia e Skënderbeut “njihesh pikërisht me emrat dhe vendbanimin e tyre që e sponsorizuan atë në vlera të ndryshme monetare që mund të llogariten në shumën prej 13.853.5 $ . Lidhur me këtë vepër shkrimtari Faik Konica do të theksonte se: “Fan .Noli na ka dhënë historinë më të mirë të Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Përdorimi i gjuhës shqipe në liturgji është një nga arritjet e tij më të mëdha. Ajo është pikë kthese në historinë e Rilindjes Shqiptare. Gjithashtu prozatori Mitrush Kuteli ose (Dhimitër Pasko) do të përcaktonte se “Fan Noli është një mjeshtër i ndërtimit të gjuhës letrare Shqipe” Ai është oratori ynë më i madh. Stili i tij është epi-dramatik, i fuqishëm burrëror, lirik dhe epik. Ai personifikon shpirtin heroik të racës sonë.” Për sa më sipër kjo vepër e botuar me ndihmën e Shqiptarëve me banim në Amerikë e Kanada e cila u shkrua në mënyrë mjeshtërore nga Peshkopi Fan S. Noli më 1950 në gjuhën Shqipe tregon përkushtimin e vazhdueshëm atdhetar të tyre për të promovuar figura historike të përmasave si Heroi ynë Legjendar Skënderbeu. Ndjenja e tyre kombëtare në këtë drejtim vlen për tu admiruar. Ata do të kujtohen e respektohen përherë, me në krye oratorin e shquar, poetin dinamik, pionierin e parë të Rilindjes Kombëtare dhe shkruesin e veprës “Historia e Skënderbeut” – Peshkopin Fan S. Noli. Ndërkohë vlen të theksohet se Skënderbeu mbeti kështu përfaqësuesi më i spikatur dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare që udhëhoqi me zgjuarsi e largpamësi frontin e luftës së trevës mbarë shqiptare kundër pushtuesve osmanë,. Ai u bë promotor i Besëlidhjes së Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, me tiparet e themeluesit të saj, duke u shndërruar në simbol të luftës për liri e pavarësi. Në këtë vit përkujtimor emri i Gjergj Kastriot – Skënderbeut si një figurë legjendare kombëtare shërben si referencë historike për trashëgiminë kulturore të popullit tonë ndër breza. 


Shtatë thënie të Skënderbeut, Heroit Kombëtar

Dhe ja tani shtatë sentencat skënderbeiane, nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465:
1. Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.
(Prokurë e Skënderbeut, dhënë ambasadorit të tij, Gjergj Pelinit, 8 korrik 1457).

2. Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.
(Po aty).

3. Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë, po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.
(Letër e Skënderbeut drejtuar kardinalit të Fermos Domenico Capranica, 8 prill 1456).

4. Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.
(Përgjigja e Skënderbeut drejtuar Princit të Tarantes Johannes Antonius de Ursinis,
31 tetor 1460.)

5. Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.
(Po aty).

6. Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.
(Po aty).

7. Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp.
(Po aty).
Sigal