Suplementi Pena Shqiptare/ Qemal Stafa, Heroizmi i skalitur në këngë

898
Heroizmi i skalitur në këngët 
Qemal Stafa (Elbasan, 20 mars 1920 – Tiranë, 5 maj 1942) ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin ‘Brutus’, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përdorur si simbolikë për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve. U lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës. Qemali i vogël futet si nxënës në Kolegjin Saverian të Etërve Jezuitë duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi, i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xh. Brojën, L. Radin, A. Pipën, H. Tahën etj. Mbas vdekjes së të atit, familja Stafa shpërngulet drejt Tiranës në korrikun e 1936. Në fillim të vitit shkollor ’36-’37 regjistrohet në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisi gjuetia e arrestimeve prej regjimit të Mbretit Zog, prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur ngushëllimet. Ndërkohë që ishte mbyllur në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër të Tiranës, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.

Vrasja
Kandidati për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi, sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë e marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.

Kushtime
Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”.
Sigal