Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Sonte, çfarë pate?

707
Sigal

Sonte çfarë pate që mbete mbi gotë?
Çfarë brenge ka shpirti që buza s’e thotë?
Trishtimi në sy zbarkon zbehtë që të ulet,
çfarë fsheh shpirti që zemrës s’të shkulet?

Më ftove të erdha të qëndrova te dera,
të shihja mahnitur mos ishe pranvera,
flokët krehur degë molle rënë mbi supe,
sytë erdhën soditën buzë petlën si lule.

Syri ngadalë vështrimet në mua hodhi,
mos vallë trishtimi sonte shpirtin të lodhi?
Karruken pak tërhoqa u ula shkujdesur,
fjalët dot s’më dilnin e mbeta pa pyetur.

Shikimin përhumbur tej në labirinte,
me gotën përpara kërkon prapë të pije,
zhurmat e lokalit s’më lanë të dëgjoja,
të shihja në buzë mos fjalën kuptoja.

E dehur vashë s’të pash të më ishe,
zemra përbrenda me dallgët voziste,
u ngrite pa fjalë e krahun më hodhe,
të shihja sytë ç’farë doje të thoshe.

Heshtja zu fliste më shumë se fjalët,
përkrahu kapur zbritëm ne shkallët,
ndaluam te porta në gjysmë errësirë,
aty e ndjemë veten si dy zogj të lirë.

Hapin e hodhe përgjysmë drejt meje,
flokët përkunden shtëllungë prej reje,
shkëputur nga qielli mbi dritën e syrit,
zbërthyer më kishe një kopsë te gjiri.

Papritur shkarkove buzës plot zjarre,
nga etja e madhe të miat ç’mi thave,
ç’më zbraze në to nektaret e mbledhur,
s’e dija kush sonte më shumë qe dehur.

Hënëzën e ndoqa me ne s’kishte punë,
-Ik na lër rehat sonte fli një natë gjumë,
për ty ne do rrimë gjithë natën zgjuar,
sa drutë të digjen në hi të kenë mbaruar …