Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Panairi

457
Sigal

Letër përgjigje, nga Panairi i librit për letër-dërguesin (Postohet pa lejen e autorit)

-I respektuari i panjohur, miku i miqve të mi,

-Ju përshëndes përmes këtyre rreshtave të kësaj letre ku mora mundimin t’ju përgjigjem kur lexova letrën tuaj publike për mikun e mikut tim, të cilin e vinit në dijeni për një vendim tërheqjeje nga ekspozimi i veprave tuaja dinjitoze në aktivitetin vjetor të shpërfaqjes së krijimtarisë letrare dhe ku se, në të ”madhërishmin” Panair 2018, veprat tuaja, të cilat publiku i priste me adhurim të dëshiruar…

Tekstualisht lexova përmes fjalëve se ju shpreheshit;

-Tërhiqem nga pjesëmarrja në panair,për arsyen e paarsyeshme, vetëm kaq shpjegonit për veten tuaj, por ju analizonit diçka më shumë se kaq.

-Sinqerisht me zemrën e dridhur nga emocionet më beso, se të të them të drejtën, u pezmatova nga vendimi juaj i papritur, edhe pse panairi i librit, i të gjithëve kishte dy ditë që qe hapur…

-Ju me të drejtën tuaj si një qytetar i denjë i vendit tim, tuajin dhe tonin, u revoltuat paksa për sa shikonit, se syri juaj vëzhgues, si një krijues me talent po haste në parafytyrime, sikur po vazhdohej me përulësi të ecej në atë vijën e vjetër si të një rruge të pashtruar ku edhe një vesë shi e bënte baltë dhe… në dy vijat e rrotave të drunjta, po, po, rrotave që venë në lëvizje gjithçka, si shpikja më e madhe njerëzore, ju shikonit në atë mendim figurativ, se shpesh e tërhiqnin karrocën buajt e vjetër që mezi çapiteshin duke marrë frymë me zor.

-Sa më ra në dorë letra juaj për mospjesëmarrjen në dasmën pa dhëndër, se nuset janë me bollëk brenda hapësirës ciklopike të sallës super, ku disa tavolina dasme kanë zënë bash vendin e dollibashit, dhe ngrenë dolli me raki rrushi, thonë, por nga aroma që ndjeva, kur isha pranë m’u ringjall ajo raki e frutave të prishura që binin në tokë, dikur në kooperativën e famshme që realizonte planin dhe shpërndante diploma,më fal! Jo, jo, Fleta Nderi dhe Fleta Lavdërimi për cilësinë e mrekullueshme të rakisë së frutave, sepse ajo e flamosur, sa e pije të turbullonte mendtë dhe nuk mbaje në sirtar asgjë edhe sikur të qe plot.

-Nuk denjova të pi nga kjo raki, jo se nuk do të doja, joo, jooo, pse të të gënjej, të gjithë rendin të pinë nga pak se të bën të famshëm.

-Por nuk gjeta asnjë pikë. Po asnjë pikë fare, edhe pse stendave kishte me bollëk musht frutash, jo rrushi ku e hidhnin në kazanët mediatikë, disa të lodhur, të plakur, të rrudhur si vetë mosha e pleqërisë, se e kishin pirë ata që kishin zënë radhët e para, qenë dehur marrëzisht dhe nuk e shikonin që në karrige kishte vetëm gjashtë, shtatë dëgjues elokuentë që dremitnin nga lodhja e moshës.

-Ç’është?- tha njëri. Kush foli?

-Iku, iku – Tha tjetri.  Ja të bëjmë një foto me autorin.

-Sa libër i bukur që qe! Tha askush përgjumësh.

-Ku e pe librin?  – E pyeta, njërin që sa u zgjua gromësiu.

-Në vitrinë e pashë, por s’kisha syzet me vete, e ka fajin plaka. Plaka se mbeti duke parë telenovela turke! E se mos ka gjë tjetër për të parë, kur u nisa s’m’i vuri në xhep, lanetja!

-Nga podiumi një buzëqeshje e ftohtë përcillte zbrazëtinë e karrigeve bosh, ku autori firmoste në boshllëkun e krijuar mes podiumit dhe karrigeve me një ngathtësi nga dridhja e dorës, ndoshta peshonte vlera e paguar, e cila, për hir të së vërtetës, në xhepat e tij kish munguar me kohë.

-E vështroja, që the ti, miku i mikut tim, i letrës së lexuar dhe po të jepja të drejtë, po, po shumë të drejtë, stendat qenë mbushur plot me kopertina librash autorësh të ndryshëm, nga të gjitha moshave, ku midis tyre qe dhe autori që firmoste disa kopje nga libri i krijuar së fundmi, me titull ne mos gaboj, ,nuk qe “ASGJË NGA FRONTI I LINDJES” por diçka aty rrotull përqasej, si diçka që ta tërhiqte lexuesin, e kish titulluar ”ASGJË NGA FRONTI I ASGJËSË”.

E ku nuk më vajti mendja se çfarë ka dashur të thoshte autori me këtë titull ngacmues! “Ta marr, të mos e marr!”, përsërisja me vete, isha në dilemë, se edhe unë si shumica, kruanim fund-xhepat të shikonim se mos na kish mbetur ndonjë lek aty apo jo… Nuk vendosa dot ta merrja për shumë arsye, ndoshta edhe të paarsyeshme.

-U largova duke bluar në mendje, se ku të qëndroja apo të shikoja ndonjë aktivitet me ndonjë poet.

-Pyeta, po ku nuk pyeta! S’pashë asnjë njoftim ku të shkruhej: “Poeti për poetët!” apo edhe ndofta ndryshe! “Poetët për poetin”, vështirë të thuash, të bëhet ndonjë takim me “poetë për poetët”, s’e kemi dëgjuar ndonjëherë.

-Pastaj, këtu këta organizatorët ose ata që i vënë këta, duhet të kishin një vend me 20-30 karrige, një tavolinë dhe të bënin takime përditë, përgjithësuese”- më tha një botues libri që ishte mbledhur si kërmilli në 3 metra-katror vend?!

Vërtet më ngacmoi shumë, sepse nga kati i dytë vërej hapësira boshe të pamata mes tre a katër stendave VIP, me dhjetëra metra-katrorë. Mes zhurmës dhe ecejakeve të vizitorëve nga qendra e zërit u ndje vetëm një kërcitje, të gjithë kthyen kokën, por jo dhe ajo heshti.

-Dikush tha, se mund të jepnin çmimet e panairit!?!? Çmime të përvitshme që jepeshin nga një juri për librat në stenda. U dhanë dhe vërtet po kalojnë vite dhe vite dhe nuk po gjeja arsyen se, përse nuk kish çmim për Poezinë?!

Ora po afrohej drejt kohëmbylljes, shumë stenda të vogla ishin pa vizitorë. Salla filloi boshatisjen, panairi po mbyllte siparin dhe për sonte. “Shumë zhurmë për asgjë!”, tha dikush në dalje të portës.