Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Eja të pimë, më the

468
Sigal

Eja të pimë, më the, të dehemi sonte në delir,
të kthejmë me fund gotat, vetminë të ndjekim,
eja, mos u mendo dy herë, le të jetë dhe errësirë,
shpirtit tavernës, t’i japim liri, të fluturojmë në vallëzim.

Mos më thuaj se nuk dashke dhe shpirti le të dehet,
me pije gjithfarësh trazuar me tinguj që dalin kitarës,
ta derdhim gotën buzëve përvëluar, se më s’kthehesh,
rrugën e largimit tej, më the mbrëmë se do të marrësh.

Me sytë nga porta më prisje banakut me gotën plot,
të erdha si ylli mbrëmjes të ndriçoj në atë errësirë,
buzëqeshja më ftonte, syri më shponte s’e duroja dot,
me gotën para, eja të thotë shpirti, sonte kemi për të pirë.

Pi të dehemi, mes pijes dhe puthjet lumë buzëve lëshojmë,
shijen ta marrim e ndezim zjarre t’i kthejmë trupave në prush,
të ikim, arratisemi bohemë pyjeve ndër blire të vemi, harbojmë,
aty mes delirit, yjeve, hënës t’i them: Ikni, se vashën do të puth.

Shishen me gotat pas i kishe marrë: Pi, më the-dehu si i marrë!
e buzëve më derdhe verën e bekuar mes afshit etur me pije,
vashë flokëlëshuar këmishë-hequra brodha lirshëm nëpër arë,
hëna me yjet nën dehjen e shpirtit ikën, rehat na lanë me dije.