Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Emil Lafe: Eqrem Çabejt, çfarë kishte testamenti i tij

504
Sigal

Çabej u nda nga jeta para se të arrinte në atë moshë kur dijetarë të tjerë kanë përgjithësuar përvojën e jetës e të punës dhe kanë shkruar testamentin shkencor. Ne që e kemi njohur nga afër dhe jemi ushqyer nga vepra, nga këshillat dhe nga shembulli i jetës së tij, kemi brenda nesh edhe testamentin e tij shkencor e qytetar. Unë po marr guximin të shpreh disa pika të këtij testamenti të pashkruar. Pika e parë është pa dyshim përgjegjësia që kemi ndaj Atdheut dhe Kombit. Eqrem Çabej i takon një brezi intelektualësh që u ul në bankat e shkollës kur Shqipëria sapo ishte bërë, me mundime të mëdha, dhe kishte mbijetuar përmes rreziqeve të shumta të Luftës së Parë Botërore. Brezit të E. Çabejt i ra detyra për ta mëkëmbur këtë Shqipëri, për ta vënë në udhën e zhvillimit e të europianizimit. Ky ishte një brez intelektualësh atdhetarë të frymëzuar nga idealet e Rilindjes Kombëtare dhe nga idetë përparimtare të kohës. Ashtu si dhe shokët e tij të shkollës e të jetës E. Çabej zgjodhi të mbetej qytetar i vendit të vet, i shërbeu shkollës shqipe nga Shkodra në Gjirokastër, dhe u rikthye në atdhe në një kohë kritike (gusht 1944), kur intelektualë të tjerë që nuk patën një shtyllë kurrizore si të tijën, merrnin rrugën e mërgimit. Për Gjirokastrën kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës. Si është e mundur që këta intelektualë shqiptarë, të larguar nga vatrat familjare shumë herë në një moshë fare të njomë, që dinin më mirë gjuhët e shkollave të tyre sesa gjuhën e nënës, u kthyen përsëri për t’i shërbyer vendit të vet? Përgjigjen për këtë na e jep Fan Noli me atë që tregon për rastin e vet: “ Si ndodhi, pra, që Fan Noli, i cili bëri shtatë vjet në shkollën plotore greke dhe katër vjet në gjimnazin grek, mbeti një djalë fshatar shqiptar në kundërshtim me të gjithë arsimin grek? Ka shumë arsye pse Fan Noli doli prej atyre ujërave greke dhe i shkundi ato si rosa. Arsyeja e parë mund të gjendet në një anekdotë që tregohet për pedagogun e mirënjohur zviceran Pestaloci (1746-1827): Njëherë një nënë zvicerane e pyeti nëse do të kishte mundësi t’i jepte të birit të saj atë edukatë që predikonte ai. Pestaloci e pyeti nënën: “Sa i madh është djali?” Ajo u përgjigj: “Pesë vjeç.” Pestaloci tha: “Shumë vonë.” Ajo që deshi të thoshte ai, ishte se edhe në moshën pesëvjeçare fëmija ka marrë një edukatë në shtëpi, të cilën është vështirë t’ia ndryshosh.” (Fan S. Noli, Autobiografia, Vepra 6. Tiranë, 1996, f. 247).

Që në moshën më të njomë familja dhe shoqëria shqiptare i kishte mëkuar këta djem me dashurinë për vendin, me ndjenjën e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar. Këto tipare mbetën të përhershme në karakterin e tyre, pavarësisht nga rrethanat. E. Çabej ishte një nga intelektualët e atij brezi që e mëkëmbën Shqipërinë dhe që përgatitën brezin tjetër, i cili e mbajti atë më këmbë. Shqipëria për atë nuk ishte vetëm shteti shqiptar, po gjithë hapësira ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Eqrem Çabej ishte një dijetar që përvetësoi dhe zbatoi metodën moderne të kërkimit shkencor, ku analiza e gjithanshme dhe e kombinuar e fakteve dhe rrethanave historike, të brendshme e të jashtme, është parakusht për të ndërtuar hipoteza e teza rreth problemeve të shqyrtuara. Ai na thoshte se një tezë gjykohet si e vlefshme, kur i qëndron kritikës, d.m.th. kur argumentet mbi të cilat mbështetet kjo tezë janë më të forta, më bindëse sesa kritika që i bëhet asaj. Në këtë kuptim ai e ka quajtur të vlefshme e të qëndrueshme tezën e autoktonisë së Shqiptarëve në trojet e tyre të sotme dhe tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Dihet se në Ballkan, po edhe në vise të tjera, problemet e autoktonisë kanë qenë dhe mbeten të lidhura ngushtë me diskutimet territoriale ndërmjet shteteve.Ka mjaft shembuj kur studiuesit kanë ecur pas hullisë së politikës dhe janë përpjekur të provojnë me çdo kusht atë që u kanë diktuar interesat politikë të vendit të tyre. E. Çabej nuk shkau në këto pozita. Parimi i tij, që na e përsëriste shpesh dhe që po e rendit si një pikë tjetër të testamentit të tij, ka qenë: Në kërkimin shkencor të jemi objektivë, por jo indiferentë. Të jesh objektiv do të thotë të ndjekësh logjikën e fakteve dhe të dëshmive historike, t’i marrësh parasysh ato, t’i interpretosh me një metodë shkencore, të mos i shtrembërosh e të mos i lësh në harresë “për të provuar” diçka të paracaktuar. Të mos jesh indiferent do të thotë që kur të tjerë përhapin teza e pikëpamje të paargumentuara, në kundërshtim me faktet dhe me të vërtetën (qoftë nga mungesa e metodës shkencore, qoftë me qëllime të caktuara), duhet të përgjigjesh për t’i vënë gjërat në vend. Jo rrallë Shqiptarët janë paraqitur nga disa studiues të huaj si një popull barinjsh shtegtarë e luftëtarë, që mjeshtërinë e bujqësisë dhe dijen e morën prej të tjerësh. Duke shqyrtuar tërë fjalorin e gjuhës shqipe, ku pasqyrohet vetë jeta e historia e popullit, E. Çabej arrin në përfundimin se gjuha shqipe, si pasqyrë e jetës dhe e historisë së popullit, nuk është e pasur vetëm me fjalë të sferës baritore e të kulturës materiale, po edhe me fjalë të sferës abstrakte-mendimore. Dhe prej kësaj ai formulonte në mënyrën e tij të figurshme pohimin se Shqiptarët në histori të tyre kanë qenë një popull jo vetëm i kërrabës e i shpatës, po edhe i parmendës e i pendës. Nga analiza e gjithanshme e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje dhe mbi bazën e dëshmive historike ai është shprehur se hapësira e sotme e shtrirjes së Shqiptarëve në Ballkan nuk është rezultat i një zgjerimi a i një shpërthimi demografik nga një trevë e ngushtë, po përkundrazi rezultat i një ngushtimi dhe se Shqiptarët dikur kanë luajtur një rol më të madh në këtë gadishull sesa në kohët më të reja. Eqrem Çabej, si dijetar i brumosur me parimet e kërkimit shkencor, nuk u josh nga teoritë e mjegullta pellazgjike, as nga hipotezat joshëse (që vijojnë edhe sot) për gjuhën shqipe si çelës të gjuhëve të lashta të Mesdheut. Gustav Majeri (Meyer) e kishte ndarë përfundimisht gjuhën shqipe nga afria e supozuar prej disa dijetarëve me gjuhët klasike, veçanërisht me greqishten, që u shfrytëzua nga disa qarqe edhe për të ushqyer pikëpamjen e një burimi të përbashkët të Shqiptarëve me Grekët e lashtë prej Pellazgëve mitikë. Në parathënien e “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe“ (1890) ai shkruan ndër të tjera: “Nuk besoj se Shqiptarët patriotë dhe Grekët nevojtarë aneksimesh, të cilëve dogma për një lashtësi të thellë të çdo fjale shqipe u duhet si mbështetje për teorinë e tyre pellazgjike ose për çfarëdo teori tjetër, do të ndiejnë ndonjë gëzim të madh … kur të marrin ndonjëherë në dorë librin tim.” E. Çabej gjithmonë ndërtonte në një truall të qëndrueshëm, prandaj vepra e tij do të jetë jetëgjatë. Në çështjen aq komplekse të autoktonisë, ai nuk shkonte përtej periudhës antike, d.m.th. rreth 3000 vjet më parë. Për periudha më të hershme, shkenca tani për tani nuk është në gjendje të hedhë dritë të mjaftueshme. Ai i jepte rëndësi të dorës së parë metodës dhe parimeve të studimit. Pa këto nuk mund të ketë kërkim shkencor. Kjo është një pikë tjetër e testamentit të tij shkencor.

KUMTESA

“Për pastërtinë e gjuhës”

Rreth një vit para se të ndahej nga jeta, E. Çabej mbajti një fjalë në Asamblenë e Akademisë së Shkencave (9 janar 1979), e cila u botua te gazeta ”Mësuesi” dhe te numri i parë i revistës “Gjuha jonë” me titullin “Për pastërtinë e gjuhës”. Ky shkrim në njëfarë kuptimi mund të vështrohet edhe si një testament i tij, si një plotësim i një amaneti të Aleksandër Xhuvanit, me të cilin bashkëpunoi ngushtë shumë vjet dhe ruajti për të gjithmonë një nderim mallëngjyes. Për të dy këta dijetarë gjuha është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj; shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare është dhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona, duke depërtuar në shkrimet shkencore dhe letrare, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht edhe kombëtare, shprehet E. Çabej. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, Shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin. Bashkë me porosinë për mbrojtjen e gjuhës, ky dijetar na kujton kështu edhe një tipar moral e qytetar të Shqiptarëve: mungesën e ndjenjave shoviniste. Kjo do të thotë që jo vetëm të qëndrojmë në këtë traditë të lavdërueshme tonën, po edhe të mos lejojmë që të na përflasin të meta që nuk i kemi. Pra, duke mos qenë shovinistë, të mos jemi indiferentë ndaj shfaqjeve të shovinizmit.

PROPOZIMI

Pastrimi dhe pasurimi i gjuhës letrare

Duke u rikthyer te çështja e gjuhës, e quaj të nevojshme të përmend se me propozimin e Eqrem Çabejt në Asamblenë e Akademisë së Shkencave në shkurt 1979 qeveria shqiptare krijoi pas dy muajsh me një vendim të posaçëm (nr. 82, datë 7.4.1979) Komisionin e përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. E. Çabej propozoi të krijohej edhe një revistë me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”. Në të vërtetë dolën dhe dalin dy revista simotra: “Gjuha jonë” në Tiranë (1981) dhe “Gjuha shqipe” në Prishtinë (1982), por mjerisht ai nuk arriti t’i shohë. Shqetësimet dhe problemet në përdorimin e gjuhës letrare janë sot edhe më të mëdha se më parë. Kujdesi për gjuhën është një pikë themelore jo vetëm në testamentin e E. Çabejt, po edhe në testamentet e shkruara e të pashkruara të gjithë atyre që hodhën në kartë fjalët e kësaj gjuhe të zjarrtë. Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë janë përpjekur të rindërtojnë në kushtet e sotme atë veprimtari që shtjelloi komisioni i propozuar nga E. Çabej. Me kërkesën e gjuhëtarëve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë një nen i veçantë bën fjalë për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Sigurisht masat organizative kanë rëndësinë e vet, por krahas tyre është e nevojshme bindja për rëndësinë dhe dobinë e punës, vështrimi drejt së ardhmes. “Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë, do t’i përdorin vetvetiu. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë.” Kështu shkruante E. Çabej në artikullin e përmendur.

Vlerësimi i gjuhës popullore

  1. Çabej e vlerësonte lart gjuhën popullore, duke e cilësuar si “rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit; ligjërimi popullor është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë, ku përtërihet vazhdimisht gjuha e literaturës”. Rruga e parë për pasurimin e gjuhës shqipe është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm. Në këtë kuptim ai është shprehur se gjuha e shkrimit nuk duhet të ketë frikë se mos fjalët e të folmeve të ndryshme që do të merren për ta pasuruar a për të zëvendësuar fjalë të huaja, do të ndihen si mish i huaj në të. Vetë ai i dha gjuhës së shkrimit fjalën vjetar (vjetari statistikor), të formuar jo nga forma normative e sotme vit-i, po nga një formë e gegërishtes veriore vjetë – vjeta, po ashtu fjalën mjedis, që është një formë dialektore e emrit midis, dhe pikërisht për këtë dallim fonetik u mor si një fjalë e re e përshtatshme për të zëvendësuar huazimin ambient. Sot kjo është bërë një fjalë zyrtare deri te emërtimi Ministria e Mjedisit. E. Çabej qe jo vetëm një dijetar i madh, po edhe një mësues i madh, një Mësues i vërtetë i Popullit. Te shumë nga studentët e tij koha tashmë i ka mjegulluar njohuritë për fonetikën historike e për historinë e gjuhës shqipe, por ata ruajnë të gjallë figurën e ndritur të profesorit dhe atë përmasë shpirtërore e intelektuale që ai përçonte te të tjerët në një mënyrë të vetvetishme.