Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Eshref Ymeri: Lirizmi emocionues i shkrimtares Mira Meksi

797
Para do kohe më ra në dorë përmbledhja me novela dhe me tregime e zonjës Mira Meksi, me titull “Flutura mes gjinjve”. Çdo libër artistik zbulon universin e botës së shkrimtarit. Aty, në njërën ose tjetrën mënyrë, vinë e ravijëzohen tallazet e botës së tij të brendshme, gulshet e shpirtit të tij, moria e emocioneve të tij të fuqishme, të cilat janë pasqyrim i ndjenjave të tij të holla, të përjetuara gjatë përpjetave dhe tatëpjetave të jetës, plot me të papriturat e saj. Shkrimtarja Mira Meksi, një personalitet i mirënjohur tashmë në botën e letrave shqipe, me këtë përmbledhje me novela dhe me tregime, e ka pasuruar më tej fondin e krijimtarisë së vet artistike. Lirizmi, si njëri nga tiparet thelbësore të këtij libri, ndjek hullinë e përhershme të rrëfimit të kësaj shkrimtareje, çka, në këndvështrimin tim, përbën boshtin e krijimtarisë së saj artistike. Prandaj skenat e jetës që pasqyrohen në këtë përmbledhje, përcillen përmes filtrit të jetës së autores, përmes përjetimeve të saj të fuqishme. Autorja pikësynon dhe ia arrin të shprehë në një mënyrë mjeshtërore këndvështrimet dhe përfytyrimet e saj për normat social-etike që shpalosen në skenat e jetës së heronjve të tregimeve dhe të novelave. Ajo e përqendron vëmendjen në mendimet dhe në ndjenjat e tyre, në dialektikën e shpirtit të tyre. Prandaj në strukturën e veprave të natyrës lirike janë të mundshme lidhjet në raportin kohë dhe hapësirë. Kjo është edhe arsyeja që në këto novela dhe tregime janë aq të shpeshta kujtimet, retrospektivat, si edhe shtegtimet drejt një së ardhmeje të përfytyruar. Struktura e tyre, në një masë të konsiderueshme, përcaktohet nga funksionet e këndvështrimit të autores, e cila jo vetëm e organizon fabulën në një të tërë, por edhe kushtëzon ritmin e rrjedhës së ngjarjeve, duke e veshur përmbajtjen me një harmoni estetike. Përmbajtja e kësaj përmbledhjeje zbulon lirizmin origjinal dhe të papërsëritshëm të autores. Shkrimtarja Mira Meksi, si mjeshtre e fjalës artistike, ka një këndvështrim të vetin për botën që na rrethon, ka mendimin e vet poetik që shpaloset në mënyrat e shtjellimit të temës. Lirizmi i saj e rrëmben lexuesin me natyrshmërinë e jashtëzakonshme të rrëfimit. Kur lexon tregimin e parë, që shërben edhe si titull i kësaj përmbledhjeje, ai e ka të pamundur të mos emocionohet nga skenat që autorja përshkruan me aq ngrohtësi shpirtërore për jetën e Violës, heroinës kryesore të tregimit. Si një tipar mjaft i rëndësishëm i lirizmit të autores, vjen e ravijëzohet pikësynimi i saj për t’i përcjellë lexuesit ndjenjat dhe përjetimet individuale të heronjve të saj si emocione gjithëpërfshirëse. Mes tipareve që përcaktojnë thelbin e përmbajtjes së novelave dhe të tregimeve të kësaj përmbledhjeje, kam bindjen se më e rëndësishme është natyra e çiltër e “unit” lirik të autores. Përshkrimet e mjedisit, ku zhvillohen ngjarjet dhe del në pah bota e heronjve të kësaj përmbledhjeje, qoftë në trojet amtare ose në botën ispanike apo italiane, janë modele të një lirizmi të mahnitshëm. Skenat e skalitura me aq art befasues, janë të lidhura ngushtë me jetën e heronjve, me përjetimet e tyre plot ulje-ngritje shpirtërore. Ato mbartin në vetvete një ngarkesë të fuqishme, sa psikologjike aq edhe emocionale. Bukuria e atyre skenave, të cilat autorja i ka gdhendur me aq elegancë krijuese, janë dëshmi e erudicionit të saj të admirueshëm. Mbresa të fuqishme më la tregimi me titull “Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë”, të cilin autorja ia ka kushtuar stërgjyshit të saj, priftit Isaia. Ky prift, me një formim të jashtëzakonshëm nacionalist, është modeli i shqiptarit atdhetar, i cili pati rënë pre e urrejtjes së kishës shoviniste greke, me përkrahjen e gjithanshme të agait të Stambollit. Idenë themelore të tregimit, të shtjelluar mjeshtërisht në vetën e parë, autorja, me një leksik të kursyer, e ka dhënë në një fjali me domethënie kuptimplote: “Të gjithë ata që kanë dashur të zhbëjnë kombin e shqipes, janë vënë të zhbëjnë gjuhën e tij”. Si edhe në veprat e tjera, edhe në këtë përmbledhje, tema e dashurisë zë kryet e vendit. Dashuria është një ndjenjë hyjnore, e cila fsheh në vetvete një botë të mistershme. Ajo ka qenë dhe mbetet një enigmë joshëse deri në përjetësi. Por, çuditërisht, dashurive “të mëdha” Hyjnia u ka vënë përballë fatkeqësinë, prej nga burojnë trishtimet, vuajtjet, zhgënjimet, të cilat shpeshherë çojnë drejt ngjarjeve tragjike. Kur arrita në faqen e fundit të këtij libri, me përshtypje ende të freskëta nga jeta dhe dashuritë e heronjve të tij, vetvetiu m’u kujtua Pol Valeri (Paul Valéry – 1871-1945), poet, eseist dhe filozof francez. Midis aforizmave që u ka lënë trashëgim brezave pasardhës, tepër domethënës është aforizmi në vijim: “Në natyrë, rrënja e pemës zgjatet poshtë drejt vlagës, kurse maja e saj bën përpjetë drejt diellit. Dhe pema vjen e hedh shtat nga njëra mungesë kënaqësie te tjetra. Të jetosh, do të thotë që orë e çast të përjetosh pamjaftueshmëri në diçka: të ndryshosh për të arritur diçka dhe kësisoj të kalosh në gjendjen e një tjetër pamjaftueshmërie”. Figuracioni në këtë vepër të shkrimtares Mira Meksi, i ngritur deri në nivelin e fantastikes, lind, si të thuash, në pikëtakimin e dukurive të realitetit dhe të pasqyrimeve të tyre në vetëdijen e autores, ku ato, duke ruajtur lirizmin, ngrohtësinë e shpirtit njerëzor, vijnë e shndërrohen në një realitet të dytë, hipotetik, të afërt dhe të kuptueshëm për një lexues me një diapazon të gjerë të rikuptësimit krijues të tekstit.
Sigal