Suplementi Pena Shqiptare/ Pragmatizmi filozofik në universin artistik të mjeshtrit të fjalës, Mihal Krimçe

1164
Sigal

Nga Mimoza Çobo:

Teksa eksploron universin artistik të mjeshtrit të fjalës, Mihal Krimçe, me kapacitet gjeniu dhe ndjesi të holla poetike, është e pamundur të mos ngacmohesh pa tkurrje gjer në palcë, duke ndierë efektin çudibërës në tru të grimcës së borës, theksin idilik të melodisë baritore, ku paqësorja nuk i prek asnjë qelizë euforisë mistike, ndërsa dhimbja shpirtërore fashitet në rrjedhën e fëshfërimës së trëndelinës e lulëkuqes,që ngjyros agimet dhe pragmuzgjet e jetës.”/Pas vargjeve unë gjeta borën,/gjeta lulëkuqe dhe trëndelinë. /Lëndinave gjeta zilen e këmborën,/gjeta këngën e melodinë./” Grimca shpirtërore që i jep masë eterike materies të strukturës unike të universit artistik të shkrimtarit Krimçe, i ngjan të ashtuquajturës “Grimca e Zotit “që i dha masë fizike materies së botës. “Ligjet themelore”, sipas të cilave është krijuar ky univers artistik, përbëjnë kodin e shkrimtarit, si tërësi kombinimesh të aspektit gjuhësor, imagjinar dhe atij real,që padyshim lidhen pazgjidhshmërisht me kodin personal të lexuesit, që zhytet për të eksploruar universin artistik e magjiplotë të këtij shkrimtari. Perceptimi i figurës si krijesë e veçantë, që shkrin në vetvete konkreten me abstrakten, struktura e komunikimit të fjalës poetike nga lindin metafora yjore universale, si fryt i imagjinatave jo të zakonshme, vënë në lëvizje, jo vetëm mendimin poetik dhe emocional të shkrimtarit, por dhe fijet ndijore në trurin e lexuesit, nga shpërthen vullkani emocional i ndjenjave për të kuptuar thelbin filozofik të vargut poetik e fabulistik që formësojnë strukturën unike të universit artistik të shkrimtarit Krimçe. Grimca shpirtërore e këtij krijuesi, rrëzëllen në shpërgënjtë e strofave apo në vellot e praruara të poezive, që tejshkojnë e mërmërojnë natyrshëm në tru e më pas në të gjithë trupin si uji i kristaltë i krojeve, apo përrenjve tanë alporë, me ftohtësinë borë, me tejdukshmërinë e kristaltë, qelibar,që zbret nanuritshëm, shpirtshëm. Se ai ujëjete, gurgullon nga zemra e bardhëborës,e majëkurorës mbi alpe. Prej andej pikëzon pikë-pikë, e vijës loton. Rrjedhën e tëposhtme kërkon. Përroin e zgjon, e deh, e tërbon. Ndaj turfullon me vërtik. Përmes gurëve zbret e zbret. Me valë e me mall, përshëndet gryka e lugina, lëviz gurë e brinja. Pastaj pushton lëndina e fusha, nëpërkalon fshatra e qytete. Lumin takon e përqafon e me të bëhet një, përgjithnjë. Së bashku vallëzojnë valsin e jetës, gjersa deti krahëhapur i mbledh në gji. Ai shton valë e mall. Këtë udhë ndjekin, vargjet poetike dhe fabulat plot urtësi e dashamirësi të shkrimtarit Krimçe. Duke iu referuar mënyrës së thurjes së ligjërimit poetik në poezi si dhe ligjërimit dialogjik të mprehtë në fabul, të mbarsur me tensione të brendshme, të cilat krijojnë situata emocionale të veçanta dhe goditje të heshtura në hippokampusin e kohës dhe të njerëzimit (hippokampus – pjesë tjetër e trurit – kontrollon kujtesën dhe mund të ndikohet nga një goditje e heshtur),mund të shprehem se zbulimi i grimcave elementare poetike, është fillimi i i studimit më të plotë që do të përcaktojnë vlerat artistike dhe letrare të këtij krijuesi dhe padyshim do të hedhë dritë për të zbuluar më tej misteret magjiplotë të universit artistik të këtij shkrimtari. Formësimi artistik në fabul i tipit “gjerdan me perla” bën që situatat të agravojnë drejt mprehjes së mëtejshme, sipas një kurbe që gradualisht vjen në ngritje, duke vënë në shënjestër të pamoralshmit, prapësitë me reformat në drejtësi,kritikohen e vihen në lojë degradimet në art, në letërsi, në muzikë etj. Fshikullohen ashpër blerjet e diplomave, emërimet pa meritë në të gjitha institucionet e larta të shtetit e më gjerë.”Oktapodi e ka kokën lart, mbi ujë, tentakulat e tij thellësojnë në tërë jetën shoqërore. Vetëm kur t’i pritet koka oktapodit, korrupsionit, vetëm atëherë tentakulat e tij do të zvargen, do të tërhiqen e thahen njëherë e mirë”. Kështu shprehet nga pozita, që i jep fuqia e penës dhe e mendimit intelektual, shkrimtari fierak Mihal Krimçe, në veprën e tij kreative “Dëgjoni fjalën time”, vepër që e bëri të famshëm në dinastinë e krijuesve fierakë e më gjerë. Në Panairin e librit në Fier, në vitin 2016, fabulisti Krimçe, nderohet me Çmimin e Parë për këtë vepër fabulistike, të rrallë në llojin e saj. Pragmatizmi në fabulat e fabulistit Krimçe, është një antiabsolutizëm i fortë, sepse koncepti filozofik i idesë në artin e fabulës, vihet në funksion të rezultatit të saj praktik, në funksion të mendjes që është ligjvënëse e natyrës, në funksion të logjikës si anatomi e mendimit njerëzor. Tiparet esenciale dhe dominante të fabulës së tij, janë humanizmi për njerëzit e thjeshtë të nëpërkëmbur në rrjedhën e kohës nga të pamoralshmit politikanë, të korruptuarit në gjykatë e më lartë,të korruptuarit në sfera të ndryshme të jetës etj. Figura simbolike themelore e fabulistit Krimçe, është Pelikani, Kapedani, siç e quan Ai këtë mbret të lagunës. Tek fabula “Fjala e fundit e Pelikanit” vërshojnë një seri pyetjesh që hedhin themelet e dialogut të Pelikanit me shpendët dhe zogjtë e lagunës. Ky dialog i formës së prerë shpreh shqetësim,panik,pasiguri, revoltën e brendshme të shpirtit njerëzor: /”Mbi një të vogël sop,/në mes të lagunës,/pelikani i mblodhi tok/,mes valës e shkumës,/me shpend e zogj/.Si doli para tufës,/hapi sqepin e gjerë,/ disa lot i ranë gushës,/drejt gjoksit gropë bërë,/-U dhashë zogjve që n’agim,/gjakun e mishin që më kish mbetur,/nga i gjeri, i thelli gjoksi im./Edhe zemrën pengmbetur, /tani të gjithëve po iu fal,/t’fundmen dëshirë të patretur:/-Dëgjoni fjalën time !/Kthejani lagunës kaltërsinë,diellin,hënën dhe lirinë!” Vargjet e mprehta e të dhimbshme të kësaj fabule, përshkohen nga mendimi i thellë filozofik, estetik e kuptimor. Janë vargje mesazhor për të gjithë shqiptarët që kërkojnë të ndiejnë frymëmarrjen e pastër të jetës, në një kohë kur sot, e bukura është false, është bukuri që vret. Mesazhi në fabul është sa migjenian, aq edhe lasgushian. Pelikani kërkon lirinë e vërtetë dhe kaltërsinë e lagunës së tij. Jepjani! Mos ia turbulloni ujin, jetën! Mos ia prekni lirinë që është e shenjtë, jo vetëm për të gjitha gjallesat në rruzullin tokësor, por edhe për vetë njerëzimin! “Grabitje në mesnatë” një tjetër fabul mahnitëse, një tjetër klithmë therëse e Pelikanit për drejtësi, për zgjidhje imediate të problemeve të kohës,që pluskojnë ndjeshëm në rrëkezën e humorit, sarkazmës dhe ironisë.”…Këlthiti fort pelikani,/andej nga limani:/-Sa ka qelbës e gjarpërinj,/laguna pa gjumë do të rrijë./”Ligji duhet të fshikullojë objektivisht këdo që të mos ketë më pa ndëshkushmëri.” Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, ndërsa njerëzit e këqinj do të gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet “ (Platoni ). Kjo thënie është e dhimbshme, por funksionale dhe e pranueshme në të gjitha kohërat.”Prapësitë e kësaj bote hedh në kupë,shprehet dhimbshëm shkrimtari Krimçe, -i poshtërrëkëllej sikur janë shurup, i grij me dhembë, i shkel me këmbë, i godas fort e rëndë. Por ato, si për çudi, dalin përpara sa herë që marr frymë. Dhe …kujtoj Hamletin, “O Ferr, o prapësi,o dreq!/Paskam lindur të të ndreq!”

Fabulisti Krimçe është mjeshtër i ndërtimit të vargut fabulistik.Arkia (shelg që përdoret për thurjen e shportave) që përdorpër të thurur arealin e fabulës janë fije të forta e të shëndetshme të marra nga shelgu i lashtë i pyllit të lashtë të fabulës. Mihali është arari (bujku) i kujdesshëm me tipare tradicionale e pikëpamje moderniste që në pyllin e fabulës, ka mbjellë 15-të lisa(libra me fabula),në degët e të cilëve gjethojnë mijëra fabula, që përcjellin mesazhin e jetës për jetën. Religjioni i shkrimtarit Mihal Krimçe, është devotshmëria dhe humanizmi ndaj njerëzve të thjeshtë, këtyre heronjve të heshtur, në shpirtin e të cilëve ka hedhur rrënjët e qenësisë e djeshmja, e tashmja dhe e ardhmja. Në trilogjinë “Gjyshi nga Kryegjata”, shkrimtari shprehet se është pjesë e kësaj botë-jete, se ka lindur në natyrë, është ushqyer e rritur në natyrë, ndaj nuk del dot nga jeta, nuk ka frikë nga e vërteta. Turfullon e tërbon në thellësi të qenies, vëtësakrifikohet nëpër vargje kur ndjen dridhjet e urisë,të varfërisë, të marrëzive të kësaj bote me pamje engjëlli e shpirt djalli. Ngjyrat dhe aromën e jetës shkrimtari i gjen vetëm në udhën prindërore. Duke ndjekur gjurmën që e çon atje ku zemra lëviz nga vendi,çohet peshë, bëhet zog e pushton qiejt,tek vendlindja ku thërrimja e bukës dhe kokrriza e dheut ka më shumë vlerë se ari i gjithë botës. Atje ku ndien zërin e babait, të nënës, motrës dhe vëllait. Atje ku dielli e ushqen me ngrohtësi natyrën dhe njeriun, ku stina e kujtimeve në pragmuzg, është një det me valë e dallgë, që buçet, gjëmon, lëngon dertet dhe dridhmat e shpirtit. Areali kulturor i Universit artistik të shkrimtarit Krimçe dëshmon për një vlerësim korrekt të traditës, por duhet theksuar se krijimtaria e begatë e këtij autori është sa tradicionale, aq edhe klasike e moderne, në gjithë strukturën e ndërtimit të saj. Nga eposi i punës kërkimore –shkencore të këtij shkrimtari dhe studiuesi, që ka ecur dhe vazhdon të eci nëpër gjurmët e traditës folklorike të zonës, duke mbledhur fakte, ngjarje, dukuri, rrëfenja për të kaluarën dhe të sotmen e të folmes së Myzeqesë, letërsia dhe gjuha shqipe është pasuar në shumë aspekte, sipas kendvështrimit të studiuesve dhe gjuhëtarëve shqiptarë. Krijimet dhe shkrimet e tij të vyera vërtetojnë se kanë merita gjuhësore dhe stilistike, janë krijime origjinale shpirtërore të frymëzuara nga aroma dehëse e traditës popullore. Mihali shprehet bindshëm se epika shqiptare, ajo lirike dhe epiko-lirike, baladat apo legjendat dhe këngët legjendare, kanë shtrirje edhe në Myzeqe. Mund të përmendim baladën “Zogu i deleve”,ose, siç njihet ndryshe në fshatrat e Myzeqesë “Zogu çafkular”. Këtë perlë epikë të Myzeqesë, Mihali e sistemoi në formën më të përsosur, duke ruajtur qenësinë e saj, gjenezën burimore nga rrjedh e freskët dhe e bukur. Kjo baladë myzeqare u përzgjodh nga revista “Perlat e Mesdheut “,organ i UNESKO-s dhe u botua në gjuhën angleze, në vitin 2007 në Lubjanë. Ia vlen të theksohet se Mihali si studiues i mirëfilltë i traditës dhe kulturës popullore, ka bashkëpunuar me institucionet qendrore shkencore në Shqipëri, me Institutin e Letërsisë dhe Gjuhësisë, me atë të Kulturës Popullore dhe Folklorit, etj.Duke vijuar më tej rreth vlerave dhe meritave që gëzon si studiues i traditës,duhet theksuar se Mihali ka një arkiv të pasur bashkëpunimi faktik e skedik në këto institucione. Emri i tij zë një vend nderi në disa botime të këtyre institucioneve si “Fjalët e urta të popullit shqiptar”.Krahas studimit dhe glorifikimit që i ka bërë traditës dhe folklorit të Myzeqesë, Ai, gëzon merita të veçanta për studimet që ka bërë për traditat dhe folklorin vllah.”Furiji di inmë”është fjalori në gjuhën vllehe, botuar në vitin 1999. Si një valë pulsore e ngrohtë gurgullon nëpër venat e trupit të Tij, e ëmbla gjuha vllehe, ndaj Ai ndjek me kërshëri gjurmën mërmëruese, këngëzuese të saj, ulet në gjunjë me një frymë dhe pi me ëndje ujëpjalmin e lashtë, gjersa i mbushen sytë me lot nga kënaqësia. E ndërsa gjurma djepëruese nanuriste ninullën e bukurisë së gjuhës, Atij, i kumbonin në vesh fjalët e mençura të babait “Bir, mos e humb gjurmën. Gjurma është shenjë. Është jetë”. Pikërisht këto gjurmë ujëpjalm, visare të trashëgimisë së kulturës dhe traditës vllehe, studiuesi Mihal Krimçe, i eksploroi me nostalgji dhe dashuri duke i jetësuar në librin etnografik “Midis vllehëve të Shqipërisë”, botim i vitit 2006. Këto gjurmë frymojnë lirisht edhe në librin “Skica letrare vllahisht-shqip”.”Vllehëve të Shqipërisë, gjakut tim, sa paqësor e të trazuar, me të cilët, kudo që ndodhen, më bashkojnë gjuha e shpirti, ndjenjat, dertet, hallet, këngët dhe vallet”, kështu shprehet fisnikërisht e paqësisht për vllehët, Mihali, që i ngriti kult gjer në zenit gjuhës dhe traditave të tyre. Në fushën e prozës, shkrimtari Krimçe ka botuar 11-të libra. Tregime dhe ese, monografi, pjesë teatrale për fëmijë e dritësuar në librin “Ëndërr gjeometrike”. I lindur në një familje arsimdashëse dhe punëtore, mësuesi, shkrimtari, poeti, fabulisti, metodisti dhe studiuesi i traditës sonë popullore, Mihal Lili Krimçe, ia kushtoi jetën, energjitë shpirtërore e intelektuale, arsimit shqiptar duke dhënë një kontribut të fuqishëm si metodist vizionar e trajnues i mësuesve me teknika dhe mësime të integruara bashkëkohore për të gjitha ciklet shkollore. Në fushën pedagogjike ka nxjerrë në dritë pesë libra, dhjetëra artikuj metodikë, polemikë e didaktikë, të cilët janë pasqyruar në shtypin periodik, veçanërisht në gazetën “Mësuesi” dhe revistën me të njëjtin titull. Si përfundim mund të shprehem se teksa eksploron universin artistik të mjeshtrit Mihal Krimçe, krijon bindjen se çdo gjë e shkruar nga dora e Tij, ka një domethënie të thellë filozofike, ka pasuri vlerash e ndjenjash njerëzore, për të cilat ka aq shumë nevojë koha dhe shoqëria e sotme. “Çdo vepër duhet të vlerësohet si e zbrazët kur nuk ka domethënie të thellë, një diell të brendshëm, por synon vetëm të kënaqë ose të dëshmojë se autori i saj është i shkathët”, ka thënë De Rada. Duke vozitur varkën e kritikës në rrjedhën e kësaj thënie të vyer, mund të shprehem se poezitë dhe fabulat e Mihalit, krijuar në kapërcyell mes epikës dhe lirikës,kanë një diell të brendshëm që me rrezet e tij, ngroh filizin e shpresës, mbirë në thellësitë e çdo shpirti të vuajtur njerëzor. Bindshëm mund të shprehem se grimca shpirtërore, kjo materie e prekshme, me të cilën ky shkrimtar ngjizi universin e tij artistik, arrin të krijojë figuracione yjore poetike e fabulistike, që i japin sharmin dhe tonin lirik motiveve jetësore dhe zgjojnë ndërgjegjen për reflektim ndaj fenomeneve të rënda shoqërore. Materia hyjnore është baza shpirtërore këtij universi magjik. Ajo mbart në qelizat e saj masën filozofike, që të jep mundësinë të zbulosh thelbin e karakterit dhe idenë e përgjithshme të këtij universi, që tashmë i shërben denjësisht letërsisë shqipe,shoqërisë shqiptare dhe brezave. Shkrimtarit Mihal Krimçe ia ka ënda të jetojë mes ngjyrësisë së manushaqtë të pranverës,mes verdhësisë së praruar të agimeve, mes kuqësisë së perëndimeve,mes aromave të jetës, aty ku e thërret vendlindja, njerëzit e thjeshtë dhe gjurmët e rinisë. Aty ku çdo thërrmijë malli apo brenge, është një poezi, një pjesëz proze, një varg i fuqishëm fabulistik. Në gurgullimën e fjalës pjalmore të Mihalit, çdo lexues kërkon të shuajë etjen e ndjesisë së mallit, por për çudi etja shtohet më shumë dhe ai sërish i afrohet gurgullimës magjike, duke mbetur përjetësisht “rob” i saj. Bokaçio thoshte :”Sa më shumë kalon koha, tercinat e Dantes, vijnë e bëhen më brilante.” Të njëjtën gjë mund të them bindshëm dhe për krijimet artistike e letrare të mjeshtrit zëbrilant, Mihal Lili Krimçe, që tashmë kanë rrëmbyer zemrat e qindra lexuesve në Fier e në mbarë vendin. Universin artistik, të këtij krijuesi penëartë, padyshim që njerëzimi do ta eksplorojë me dëshirë dhe kërshëri nëpër kohëra.