Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi të pavdekshme të Rilindësve tanë

1844
Këto poezi janë akoma çuditërisht “aktuale”!
Aktualiteti i këtyre poezive është ende i dukshëm. Brenda tyre vijnë gjykime dhe mësime morale me vlerë të përjetshme, në to pulson tematika si:
Padrejtësitë që i bëhen njeriut vazhdimisht, pavarësish se në ç’kohë apo rrethana ai ndodhet. Disa gjëra nuk ndryshojnë dhe aq shumë. Ashtu siç i bëheshin padrejtësi vendit tonë atëherë, i bëhen edhe sot. Lufta është pothuajse e njëjtë, vetëm mënyra e luftimin ka ndryshuar. 

Naim Frasheri
Zogu dhe Djali
Një zok të bukur zuri një djalë, 
Ay po dridhej dh’e i thosh ca fjalë: 
“Nukë të vjen keq që jam i mitur, 
Si ti i vogël e s’jam dhe rritur? 
Jam bir i vetëm e mëma më pret, 
E kam lënë keq brenda në folet. 
Dheu me dëborë qjith’ u mbulua, 
Më s’ka mbetur dhe gjëkunt pothua! 
Vuanj i gjori dit’ edhe natë 
E s’gjenj dot asnjë druthë të thatë! 
E sheh sa u prish fort i shkreti mot, 
Urie vdiqmë, më s’durojmë dot, 
Zemërsë sime i lidhe gur, 
Po mëm’ e zezë q’ësht’ e sëmurë? 
Kërkonj e kërkonj, e kam që dije 
Që s’munt të gjenj dot gjëzë t’i shpije. 
Ah! kjo e keqe këtu më pruri, 
E gracka jote ra e më zuri! 
Më pret im mëzë, si ty jot ëmë. 
Të mos t’i vete, ç’bënetë prëmë? 
Të zesthitë na, përse na ngini? 
Në punët tënë përse s’na lini? 
Kam dhe unë shpirt dhe dua të rronj, 
Të lëçinj, të breth, të los, të këndonj, 
Unë, që s’kam ment, {si thotë njeriu), 
Kujt i bëra keq? Ç’bëra un’ i ziu? 
Le, mos më mundo, se Zoti të sheh, 
Të mirën’ edhe të ligën’ e njeh, 
E s’do të ligën, po do të mirën, 
Do butësinë, nuk’ egërsirën, 
Të drejtënë do dhe urtësinë, 
S’do faqezinë e babëzinë, 
Mua të lirë më bëri Zoti 
përse me bën rob? Nga un, Ç’do ti?,.,. 
Fjalët’ e zogut djali i dëgjoi, 
Qau edh’ e puthi, pastaj e lëshoi. 

Andon Zako Cajupi
Punërat e Perëndisë
Zot i math e i vërtetë, 
çdo pun’ e ke bërë vetë; 
bëre qiejtë dhe denë, 
bëre yjtë dhe dhenë, 
bëre diellin’ me dritë, 
bëre nat, e bëre ditë, 
bëre erënë dhe retë, 
bëre pemëtë me fletë, 
bëre hënëzën me yje, 
bëre fusha, male, pyje, 
bëre zogjtë, që këndojnë 
dhe lulet që lulezojnë, 
bëre dimër’ e beharë, 
bëre kuaj e gomarë, 
bëre misër edhe grurë, 
po më shumë bëre gurë. 
Si bëre kaqë të mira, 
bëre dhe shumë egërsira: 
bëre arinë dhe derrë, 
bëre… po ç’nukë ke bërë? 
Bëre botënë të tërë, 
bëre dhe djallë me brirë! 
Çdo pun’ e ke bërë mirë, 
po një gjë bëre pa mënde 
dhe prishe punën tënde: 
Kur bëre derr’ dhe arinë, 
Ç’deshe që bëre Turqinë? 
Se të mos qenkej kjo farë, 
bota do të vinte mbarë, 
dhe do të lulëzonte, 
Shqipëria do t’gëzonte. 
Ndre Mjeda
Gjuha Shqype
Përmbi za që lshon bylbyli, 
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli, 
pa da zemren ma ngushllon. 
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera, 
ku e shkoj jetën tash sa mot, 
veç për ty m’rreh zemra e mjera 
e prej mallit derdhi lot. 
Nji kto gjuhë që jam tue ndie, 
jan’ të bukra me themel 
por prap’ kjo, si diell pa hije, 
për mue t’tanave iu del. 
Ku n’breg t’Cemit rritet trimi 
me zbardh, Shqipe, zanin tand, 
e ku Drinit a burimi 
që shpërndahet kand e kand. 
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron; 
fund e maj’ nji a Shqipnia 
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon. 
Qoftë mallkue kush qet ngatrrime 
ndër kto vllazën shoq me shoq, 
kush e dan me flak’ e shkrime 
çka natyra vet’ përpoq.
Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera 
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet: 
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera, 
s’t’kishte kush për motër t’vet. 
E njat tok’ që je tue gzue, 
e ke zan’ tash sa mij’ vjet, 
shqiptaria, që mbet mblue 
sot nën dhe, edhe shqip flet. 
Asdreni
I dashur Atdhe
Me vite jam larguar, 
i dashur Atdhe, 
por nuk të kam harruar, 
se shumë i ëmbël je. 
Kjo zemra më këndon 
për ty, o Shqipëri, 
por prapë më lëngon, 
se je në varfëri. 
Të fala të dërgoj, 
këndej ku jam Atdhe, 
gjithnjë po të kujtoj, 
se birin tënd më ke
Sigal