Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Ylli Musta

128

 Hënë e ngecur

 

Një  hënë e plotë  ka ngecur sonte

Përmbi  një  lis qiellgërvishtës

Si një anije në  cekëtinë

Që  pret  riardhjen e baticës…

 

Ti mrekullohesh nga kjo pamje

Nga kjo mesnatë e magjishme:

Për herë të parë një hënë robinë

Për herë  të parë e palëvizshme…

 

Po prapë në zemër pezmatohesh

Me këtë hënë rënë në çark

Ndaj lisin tund me frymën tënde

Dhe sërish  hëna vozit larg…

 

Dhe tek e ndjek me sy  të lirë

Si  shket në qiell krejt pa zë

Në gjoksin tim ti strukesh thellë

Dhe hënë të ngecur  nuk  ka më…

Katedralet

 

Jashtë e brenda ar edhe flori,

Mbi arkitekturën e tyre

Janë derdhur miliona…

Doemos  magjepset  i vogli njeri

Që as xhepa  s’ka në pantallona…

 

Me arin e kësaj bote në shekuj

U derdhën  kupat e verës,

Kambanat, shandanet…

Dhe u harrua  Krishti, që pinte  ujë në grusht,

Dhe s’i hoqi  nga  këmba  sandalet…                                                                                                             

Lypsari

 

Një jetë të tërë te dera e kishës

Puth  kryqe  e ndiz  qiri,

Kur mbrëmjeve  kthehej  në strehën  e varfër

Nga xhepat  zbrazte

Vetëm hajmali…

 

O  Krishti  im,  përlotej   varfanjaku,

Si nuk  më  nxorre veç një ditë  nga kjo skëterë,

Të bëje dhe me mua një mrekulli,

Ashtu siç e bëre edhe ujin  verë?…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Drithërime

 

Isha djalosh kur  u magjepsa  pas një  vajze,

Dhe tek e ndiqja

S’më  soste  ditë-nata…

Si  varkëtar  i çartur  përmbi gjol

Që Hënën ndjek të kapë me lopata…

 

Ç’të ishte ajo vashë si aliene

Që dallëndyshe  mbante  nën strehët e  qerpikut,

Shkreptimë që  pak, sa pak që  zgjati

Si  verë e shkurtër e Arktikut…

 

…Sot jam i thinjur, burrë në moshë,

Por dot s’më ndahen të hershmet drithërime…

Thellë, në xhep  të  shpirtit prapë lëviz

Një dorë që rrëmon  nëpër thërrime…