Suplementi Pena shqiptare/ Poezi nga Xhevahir Spahiu

122

XHEVAHIR SPAHIU

Kalonte bukuria!

E ktheva kokën pas,

Në fund të eshtrave,

Në fund të fundeve të mia,

u përndrita

Kalonte bukuria!

 

Të jesh me ty

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
ku dashuria hepohet si anije
e të mos duash të jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshëtimen e kaltër,
limonët mbi krye,
peshkarexhat si zjarre të natës?
Të jesh me ty,
tok me ty të qeshësh
e mos kuptosh se si përpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?
Të jesh me ty?
Të jesh me ty!

DIAMANTI

Ai sy, –

Diamant që ta bënte shpirtin thela thela.

Dhe ajo natë njëmijësyshe

mes ditëve të verbra.