Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Vilma Nushi

922
Sigal

Lot dashurie

Poezi

Ta duam njëri tjetrin në heshtje, pa fjalë,

Ta duam dhe kështu kur ndan një oqean,

Faj nuk kemi ne, por unë të them më fal

Në heshtje dashurojmë dhe zemra në lot qan.

 

E ndiej zemrën tënde dhe në tekstet bosh

I lexoj të gjitha, dhe pse fjalë nuk ka.

Marrëzisht të dua, ndaj të lë të shkosh,

Se loti është bërë për dashuritë e mëdha…

 

 

Përkëdheljen nuk e blej dot

Përkëdhelje e lehtë mëngjesi

Nuk ka çmim që ta blej,

Ledhatim që ndjenjat ndezi

Qetësi shpirti do ndiej.

 

Ledhatim mbi flokë lëshuar,

Fllad arome fal dashuria,

Përkëdhel hiret zbuluar

Në djall vaftë pasuria!

 

S’ka faturë t’i vihet zemrës,

Ajo s’ blihet, as nuk shitet,

Dashuri dhuroi ti femrës,

Jeta n’dashuri do rritet…

 

Mëngjeseve bashkë puthje do pimë

Nuk dua lule çdo mëngjes,

Ato shëmtojnë puthjen tënde!

Sa të hap sytë buzën pres,

Se veç me puthje zemrën çmende!

 

Nuk dua kafe apo çaj,

Dua buzëqeshjen që ka magji,

Buzëqeshjen mjaltë në buzë ta mbaj,

Shijen s’ia prish, as kafe s’pi.

 

Pas puthjes tënde asgjë s’ka shije,

Kudo do ndiej hidhërim.

Ndaj s’dua lule, por buzë magjie,

Mëngjeseve bashkë puthje do pimë…