Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

479
Sigal

Dedikuar Lasgush Poraddecit

Ishe një zambak

Shoh mbi qytet një kupë me yje, si lule maji, prush,
Varur mbi pullazet e lagjes tënde të vjetër,
Se zgjuar jam tërë natën, brenda syve të tu, Lasgush.

Fishkur janë zambakët kopshteve nga era e marrë.
E brenda grisë së syve të tu provoj të pyes:
Përse kanë humbur buzëqeshjet përreth? Ç’ka ngjarë?

Miku im i largët, kurrë s’e dhe një varg kapar
Dhe drita e poetit kurrë s’të bëri plak.
Ndaj edhe kur qafa të përkundej si një kërcell i tharë,
Vura bast me veten, që ishe një zambak.

Dridhen n’agoni kallinjtë, misër arave s’ka më.
Seç përtypin “Ik të ikim” dhëmbëve të rinjtë,
Por edhe pse gojëhapur, prapëseprapë, s’u dilka zë.

Bosh qenkan stolat në park: heshtje që dua ta vras.
Si gjethe vjeshte bien vargjet e tua mbi ta.
Kur shkopi s’troket e Çuçi s’të nget, jam unë që këlthas.

Miliona yje shoh, po ai i yti më ka mbetur në sy.
Cepin e palltos tënde s’ka erë ta tundë.
Ndaj pyes prapë e prapë: i meriton kjo botë poetë si ty?

Shoku im i brishtë, një mendje me ty unë ndaj:
Në këtë gjolin tënd kurrë s’do të humbas
E në qëllofsha deteve të egër, prapë ty do të të ngjaj.
Velë e bardhë do jem: t’ia dal në çdo tallaz.

 

Këngë dashurie, nga sorrat!…

U lodha, nuk dëgjoj dot më
Këngë dashurie nga sorrat.
Mbyll dritaret, shkoj të fle,
S’kam ç’u bëj, vjelin të korrat.

Mezi pres të vijë mëngjesi.
Një mëngjes jo bardh e zi.
Brez ylber të ketë tek mesi,
Të më falë pak dashuri.

Sorrat kurrë pëllumba s’bëhen.
Kurrë s’këndojn’ për dashurinë.
Me krra – krra, ato s’dëgjohen.
Dinë të mbjellin vetëm zinë.

Kërkoj gjatë motiv të ri
Perëndi, vallë, ku të t’gjej?
Të më lësh një porosi,
Këngën tënde t’ua përkthej.