Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vaso Papaj

508
Sigal

Vaso Papaj

Me krahë dallgësh

 Më lindi deti me krahë dallgësh
E qiellit u lëshova.
E ndonëse qielli ziente flakësh,
Durova se durova.
Një ditë ashtu me dhimbje plagësh
Në gjirin tënd u shtrova.
E ti ç’nuk bëre të më ngjallësh,
Ndaj kurrë më s’u largova.

Dhe sytë e tu më pyesnin shpesh,
Përse kaq shumë të doja?
Ndërkaq të mitë ndriçonin flesh
Dhe heshtas sikur thosha:

S’do të rronte gjatë grimë lumturie
Pa pasur butësinë tënde.
Pa përqafimin prej hyjnie,
Pa puthjen dhënë me ëndje.

 

 

 

 

 

Kërmill

 

Më neverit, s’t’i shoh dot jargët,
Si rreze morti në Çernobil.
Me ty kjo botë më ngjan e mangët,

Ti s’je gjë tjetër veç një kërmill.

Të neveris, je heshtje e vagët,
Sesi zvarritesh mbi klorofil.
Kjo botë me ty s’e ka të largët,
Ndaj dil nga guaska, mos rri po dil.

Me ty jam ndarë, prej kohësh ndarë,
Ndonëse kjo kohë të mban për idil.
Me ty s’kam dashur të bëj pazar,
Ti s’je gjë tjetër veç një kërmill.

Me rreze jargësh e ha vetveten.
Ndaj Zoti guaskën të dha burgim.
Se tërë jetën zvarritur mbeten,
Ata që dhe fundin e bëjnë një fillim.