Sigal

Lamtumira e Dorit të Vogël

Teodor Keko

Do iki dhe kokën nuk do ta kthej
të shikoj Dajtin plak të trishtuar,
të shoh kafetë mbushur me pleq,
të shoh gazetat në rrugë shtruar.
Pse ta kthej kokën? Këtu çdo cep
një gjë të hidhur më kujton.
Një fëmini që iku për lesh,
sa për rininë, si erdhi shkoi!
Do iki! Borxhe më kujt s’i kam.
Të lehtë në trup e kam ndërgjegjen.
Dhe që mos kthehem më kurrë pas
do marr me vete vetëm vdekjen.
Ndoshta do ketë për mua globi
një pëllëmbë vend me paqe, jetë,
një pëllëmbë vend ku nuk është hobi
mos lësh njeri të jetë i qetë.
Një Zot e di në do kem fat,
por, sidoqoftë, do jetë më mirë.
Një zë më thotë: “Mbathja me vrap!”,
dhe tjetri shton: “Ik me dëshirë!”

 

Të dashuruar

Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg t’i shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve -karficë e bardhë.

Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.

Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.

Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetësisht të bukur thotë.

Atëherë mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna-karficë e bardhë

Përqafimi

Po fryn një erë e ngrohte nga jugu,
në park, ngadalë përkulen pemët,
si krahë të dridhshëm të dashuruarish
në përqafim ndërthuren degët.

Dhe mua më kujtohesh ti,
e ngrohtë, e bukur si kjo erë,
me krahët lidhur pas trupit tim
për puthje etur dhe pamje mjerë.

Çfarë mrekullie do ish të vije
në sup symbyllur të rrije pranë,
dhe puthja jote, si dorë artisti
ta kthente gjoksin tim në kitarë.

Por ti, s’vjen më! Mjerisht s’vjen!
Veç motin ngroh e dërgon erë,
që unë të qaj me një lot
që unë të përqafoj një pemë.