Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Sofia Doko Arapaj

509
Sigal

Një e puthur

 

Qindra vjet më parë

Më stolisën perënditë,

Më falën gjithë mirësitë,

Më dërguan tek Orfeu.

Sa më pa e më rrëmbeu.

Unë e vogël e plot zjarr.

Të ik, jo, nuk më thanë…

Një e puthur që atëherë

E la Sibilën shtatzënë…

 

Më lër të besoj

 

Besoj tek ai që më do,
besoj në një prekje kalimtari…
Besoj në vështrimin e tij,
të tharë prej mungesës së një gruaje,
besoj në buzët e atij
që pëshpëriti emrin tim,
besoj në një qiell,
melankolik e të njelmët,
besoj nën një shi të ngadaltë tit-tik,
besoj në një gotë të kuqe të kthjellët,
besoj në një paqe që kalldrëmet i shndrit,
besoj në një zemër që nuk njeh hakmarrje,
besoj në një gjyq që vetëm sorrat e dinë,
kur vijnë rreth e rrotull dhe qiellin e nxijnë,
besoj tek ai që më do,
e me tund si në djep,
mendtë të më merren e gjumi të më zërë,
nëpër ëndrra sikur vrapoj e xixëllonjave u qepem,
lemëëë… më lër… të besoj…

 

 

 

 

Ai më dashuroi

Ai më dashuroi,
gjer në vajin e një violine,
gjer në rënien e dhimbshme të gjetheve,
gjer në ngrirjen e akrepave,
gjer në fryrjen e një qielli,
gjer në pikëzën e fundit…
Ai më dashuroi,
gjer në flakërimin e një fustani,
gjer në gjoksin e paprekur,
ai më dashuroi, sepse nuk më pati,
ai me dashuroi si një pikëzë të fundit…

 

 

 

 

 

Zot i dashurisë

 

Ai është Zë,

Zë që e sjellin me vete zogjtë

më kërkon pranë tij,

me histerinë e frymëmarrjes së gjallesës,

me çmendurinë e bubullimave të organeve,

në shkëputjen e rrufeve të bardha,

gjer në shpërbërjen e prishjen e tij…

Muhamed, o Pejgamberi Muhamed,

sapo e rilinda Krishtin…

 

 

 

 

 

Fluturoj

 

Fluturoj mbi një qiell të pa qiell,
sillem vërdallë si ai korbi i pa korb,
një grusht tingujsh shpërndaj nëpër ajër,
të hap një shteg të egër dhe ta pagëzoj…

O nënë, o babë, o bashkatdhetarë,
shirat ma rrëmbyen trikon jeshile,
valixhen prej druri ma varrosën hipokritë,
po kam një dëftesë gjimnazi symelankolike,
që rri e fle në rafte, si fantazmë – relikte…
O njerëz, mos kini besim tek unë
se rrëshqas prej lotëve e mbytem në lumë…