Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Sejfulla Malëshova (LAME KODRA)

2295
UNË E DUA SHQIPËRINË

Sigal

(fragment)

S’kam çiflik e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishtë,
Për dy ara në Zallishtë,
Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.

Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëm e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.

Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.

Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruarë.

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me djell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbë zbathur,  çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.

Unë e dua Shqipërinë
……………………………..,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.

Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.

VETVRASJA E NJË TË DASHURIT

Hiqmu nga mendja, vajzë e shënjtëruar
Pse më për ty unë s’jam në këtë botë;
Si një trup i hidhur mbeta i harruar
Që fare s’vlen e drejta sot për sot.

Këtej-andej vete i shkretë duke mejtuar,
Djalërinë e bukur që qaj me lot…
Ajo nën e gjorë t’mos më kish krijuar
Në gojë s’do të kishnja kaq mallkim të plot.

Po ti vazhdo – të lutem – n’këtë jetë
Pemët të shijoç me një kënaqsi,
Dhe për mua të shkretin fare mos mejto.

Vetëm nga nj’herë, n’hidhërim, në do
Kësaj bote thueji se një djalosh i ri
Nga faq’ e dheut u çduk… po si ato retë…