Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Sara Fuga

751
Sigal

Kujtimet më mbetën mua

Avullove ti o mik

Siç erdhe, u largove përsëri

Nuk ta vë damkën “i lig”

Se zemra ndjeu për ty dashuri

Qeshnin sytë e buza drithëronte

Sa dëgjoja tëndin emër

Mes kaosit të rrugëve

Tik taku i rrahjeve dominonte

Nuk e njeh? Është e imja zemër

Kujtimet më mbetën mua

E ti u largove

me fjalë të pathëna mbetur peng e pa kohë

Si ajo jam dhe unë grua

Këtë kurrë mos e harro

Ti iu trembe dashurisë, s’të vë faj!

Është betejë e vështirë

Nuk është “mos u nxeh”

Anon më shumë si “shah”

E llogaritë duhen bërë mirë

Tinguj kujtimesh…

Sa shumë kujtime fsheh një tingull,

Pas një kënge sa shumë nostalgji

Ndjenja që koha ditën i tret,

Në mbrëmje ndriçojnë si qiri

Sa shumë kujtime fsheh një zemër,

Nga sytë rrjedhin si danub

Krenaria thonë se quhet femër

Mashkull mashkull dikush çuçuri…

Sa shumë kujtime fsheh hëna,

Ndonëse i thurën plot vargje poezi

Sa shumë mall mbërthejnë kujtimet

Djersët që përshkruajnë trupin

Thonë se është dashuri

Sa shumë kujtime fsheh Tirana ime,

Zënka çiftesh plot ka parë

Lumturi, zhgënjime e trishtime

Që koha i lë në të vjetrit kalendar