Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Rudina Papajani

553
Sigal

Unë besoj…

Unë besoj, se ti
je dimri i konvertuar në pranverë,
je fytyra e degëve,
poshtë borës,
që brenda harlisen,
nga zilia e lakuriqësisë pemë.
Unë besoj se je kokrra rebele,
që troket nxitimthi,
kur dritarja nuk hapet,
je zgjimi im i ngrohtë,
kur shtrati rënkon nga mushkëritë e lodhura,
je fati që lufton kaq shumë,
nga helmi i gabimit të djeshëm.
Do të besoj gjithmonë,
se përpëlitja e zemrave tona,
është prag arratisje,
në udhën e shtruar pa ortek bore….

I dashur…..

I dashur!
Po pret i tulatur ndjenjën ,
që po të shpon,
ke shembur në jetë,
djall e demon,
ke përtypur kohën,
kur ikte zvarrë,
në ditët pa kuptimin…grua.
Ke ndaluar moshën sot,
për të qenë burimi im,
ajri i sapolindur në gjirin tim,
loja kukafshehtas netëve,
kur gjumi ikën i trembur,
dhe kthehet hije në cepin e murit të ftohtë.
Edhe kur nuk flasim,
Ti endesh si ai nerv i hollë,
në gjakun që vlon,
për të ngrënë mollën,
që çuditërisht nuk plaket,
bëhet e ëmbël,
në trungun e rrënjës,
që e tund në rënkimin e ngjalljes…