Suplementi Pena shqiptare/ Poezi nga Pirro Loli

505
Sigal

Kambana

 

Të gjithë hodhëm nga një dorë

në derdhjen e kambanës

Na duhej një shembull

Shtuam dhe metale të

tjerë në tunxhin e saj

Dhe zëra nga tanët

Dhe nuk e kuptuam

ç’zgavër lamë bosh

në laringun e saj metalik

 

Kumbim kambane

nuk patëm kurrë

Zëra të ngjirrur

Grahma gurmazi të çarë

Mbi një pirg të

vdekurish harruar..

 

 

 

Violina dhe harku…

 

Violina me harkun shaluar

Është një grua seksi

Këndon,

Vajton

e klith në mijra zëra

 

Harku mashkullor

I lodhur

bie

Gjer te tingulli i fundit.

 

Përsëri violina

mbetet e virgjër

E përsëri pret

Vuan

Hesht.

 

 

Frigorifer

 

Kanë zënë brymë

Të gjithë demonët e dashurisë

në frigoriferin tim

Dhe buzët dhe puthjet.

Të detyruar jemi

Orë e çast t’i falemi

tiranisë së dimrit që

Me mirkuptim

po na i merr të gjitha stinët.

 

Bula djerse çelin

limonatat e ftohta

Dhe mollët.

Me akull është mbuluar mishi

Në katin e sipërm.

Vdiq nga torturat

Pjeshka me pushin në faqe.

Plasi një shishe birre

E harruar.

 

Zgjatemi nëpër katet e borës

Sadopak Dimrin ta zbutim

Me frymën e duarve tona