Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Petrit Ruka

598
Sigal

Petrit Ruka

Kënga E Anës

Kushtuar A. J

Na ish pjekur Ana lart në degë si ftua
Mu në mes të lagjes bënte batërdi,
Djemtë e asaj kohe bashkë me mua
Janë me vrimë në zemër dhe tani…

Ana kur u poq si një vile rrush,
Gjinjtë e saj në rrugë ne na piqnin sytë,
Burrave ua mbushte shtratin plot me prush,
Grave – me shushunja gjer në grykë.

Ana ndërronte stinët me një cep fustani
Dhe të fuste dridhmat në korrik.
Djemtë agjëronin si Muhamet Kurani
Burrat shanin gratë…”gjella është pa kripë!”

Kur i shkonte Anës era nëpër kofshë
Mbrapa bar-i njomë bëhej shkrumb,
Po të kapte syr-i saj të kapte gjarpri,
Vdekja është si mjalti nga një plumb,

Ana kalbi gjumin, gjumi vate, shkoi,
Ajrin e rralloi me supe, me qerpikë,
Pleqtë ndërronin ujin, ujin e çdo kroi
Djemtë u bënë të gjithë si azmatikë.

Na ish pjekur Ana si një shegë a ftua
Mu në mes të lagjes bënte batërdi,
Djemtë e asaj kohe bashkë me mua
Janë me vrimë në zemër dhe tani…

I njëjti film jete

Meditim…

Ekrani i dritares mbushet me diell
nis filmi i vjetër pa titra, muzikë,
një plakë vlonjate taposur në zi
me burrin e vdekur pi kafen çdo ditë.

Një kat më lart Lilushka e bukur
var brekët në tel si rosa të vrara,
prej tyre pikë-pikë bien lot dashnorësh
vjersha poetësh gjithmonë të pashkruara.

Të gjitha me ngjyra qe s’i ka as ylberi
gji-mbajtëset bosh si kupa për verë,
djali i fqinjës që shkon në gjimnaz
tek i njëjti gur pengohet përherë.

Në katin përdhes dy pleq dominotë
i numërojnë ngadalë si ditët kokëposhtë,
Të parën dopio gjashtën e flakin nga duart
si të qe arkivoli me dymbëdhjetë gozhdë…

Të njëjtin film barbarisht poeti,
e sheh dhe futet në studio si murg,
Ta shkruash këtë mendon me vete
njësoj si të bësh nëntë vjet në burg.

Cilën të zgjedhësh si vargun e parë
breçkat e Lilës a kafen plot dhembje,
Cilën lloj kënge do bota e marrë
të shkoj e të rrijë si dritëz në mendje?!

 

Ikje

U mplak blerimi dhe tek plepi i fundit,
U mbushen me myshk ne ije përrenjtë,
E ftohta e ditëve po u ngjitet tek skajet,
Ashtu si reumatizma qe ngjitet tek pleqtë.
Si grua e bukur qe mbushi te dyzetat,
Shkoi me ne fund dhe stina e arte,
Si qiriri i shkrire i Pashkës se madhe,
Zemra ime e lodhur rri e rënkon mbi karte…