Rikrijimi
Harrimi sulet mbi ditët tona të bardha
të dashurisë,
duke thyer kujtimet ashtu si gotet kur pushtuan
Durrësin e lashtë
thyen statujat e tempujt e tij me shpatë
Kështu shfaqet harrimi me fytyrën e Atilas,
po dihet fare mirë si përfundoi ai,
unë mbledh copat e statujave të thyera,
prej tyre të gjallë si të të rikrijoj prap ty?
Ka një mrekulli të vdekjes
Ka një mrekulli të vdekjes, të saktë
si ligjet kur trupat tanë do të shpërbëhen
në elemente të natyrës,
ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,
si humus e kripëra te rrënjët e një bime,
që ajo të lulëzojë e të hapi petale
e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.
Do të na lulëzojë eshtërat…
Ajme! Po shpirtrat vallë?
Si krijesa ajri do të enden nëpër re,
përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!