Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Mimoza Çobo

228

Mimoza Çobo

Me ty në përjetësi…

Në gjirin tënd arbëresh pagëzohem,
se unë pa ty humbas në fluturim,
mbretëreshë ilire, tek ty, dua të zgjohem,
se të kam emblemën e flamurit tim.

Prehrit tënd,  grua kastriote të ulem,
të më rrëfesh historinë e Shqipërisë,
hidhmë flatrat, para flamurit të përulem,
të vigjilojmë hiret e mbjella lashtësisë.

Nëse trishtohesh për fatin e mbrapshtë,
që s’deshëm vet,  të kishte këtë ngjyrë,
ti mos u mërzit, vetëm më huaj një shpatë,
gjakëprishurve të kombit t’ua kërrej sytë:

Sa thika pas shpine, na prenë e ndanë,
e keqja s’lindi nga hiçi dhe s’mbiu nga dheu.
Hiret ia përzhitët me barut të shenjtit vatan,
të tilla dhimbje s’ua kishte borxh Atdheu.

Më jep forcën, që iu dhe bijve në llogore,
dhe gjithë atdhetarëve, trima e pendë artë
t’i bashkojmë , si në lashtësi këto troje,
këto troje që kishin vetëm një emër, Iliriadë.

Sa plagë të qepën, ty shqipe, anë e kënd
kur të huajt thithnin limfë në tënden hoje,
me gjakun e të rënëve qëndisëm këngë
kur dhimbjet nga thellësitë arnonin trojet.

S’jemi njollë e vogël, që ndyn Ballkanin,
siç na përçmuan Bismarku e të tjerë,
as vëllezër të një gjaku me turkomanin,
por autokton , në trojet që i bëri plehë.

Më fal magjinë , që i dhe zemrës arbërore,
kur shëroje plagët e trimit që plagosej,
kur copëtoje hasmin, që vinte pas si rrodhe,
që mbillte ditë të zeza kur liria “varrosej”.

Dhe sot t’i vigjilon, si në kohën e vjetër,
ndaj në gjirin tënd më tërheq me dëshirë,
si arbëresh, që në zemër s’kam gjë tjetër,
veç dashurisë e lirisë të gdhendura në gji.

Tani jam e qetë, por prapë nuk largohem,
pa marrë prej teje shpatën e trimërisë,
e dua me vete gjithë jetën të mbrohem,
se ti e di,  që shqiptari s’të fal për lirinë!

Do zgjoj agimet e vendit tim

 

Tingujt e shekujve mblodha urtuar
dhe thirra bilbilenjtë e vendit tim,
të këndojnë nëpër vargje qetuar,
ndoshta agimet zgjohen me rimë.

Nëse qielli s’do ketë yje dhe hënë,
do thërras xixëllonjat me urtësi,
e nëse mjegulla agimin ka zënë,
diell të bëhet vargu im, në qetësi.

Dhe porsi një nimfë e dashuruar,
do shfaqem natën, pa bërë bujë,
do i vesh Ilirisë vellon e praruar,
vellon e hënës, që se veshi kurrë.

E, në më pengofshin hijet e natës,
do zgjoj shqiponjën në flamur,
në lashtësi do e kërkoj shpatën,
ylberin do shaloj si të jem burrë…

Dhe shpatën do mpreh përmbi gurë,
errësirën do shqyej gjer në lëkurë,
sytë do operoj nga cipa mjegullore,
që agimeve të shoh eklipset diellore.

Tingujt e shekujve mblodha urtuar
dhe thirra bilbilenjtë e vendit tim,
të këndojnë nëpër vargje qetuar,
ndoshta agimet zgjohen me rimë.