Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Mimoza Çobo

99

Copëza dashurie në valë varfërie

Kur buza jote puthëron mekur,
gjirin ma kafshon një ulërimë,
se klithmës së mjerimit janë tretur,
sytë e tu blu, në dëshpërim.

 

Se tek shket mbi mua heshtur,
përpëlitesh buzës me brengë,
shkon e vjen bardhësisë pareshtur
dhe trishtuar kërkon një shteg.

 

Dhe sakaq vetes, i flet në emër,
tek mbytet humnerës në terr,
vellon e vuajtjes që rri në zemër,
me dallgë zemërimi e çjerr.

 

E, në valën e varfërisë, me mjegull,
përpiqesh të rilindësh si burrë,
përmbi valët zambak mbijnë pezull,
mbijnë aty, ku s’ke mbirë kurrë.

 

Kur buza jote puthëron mekur,
gjirin ma kafshon një ulërimë,
se klithmave unë dhe ti jemi tretur,
në copëza dashurie pa mbarim…

Qiell me re do bëhem, nëse s’më merr grua…

 

Qiell me re do bëhem, nëse s’më merr grua,
do thyej me kërcëllimën e lotit retinat e tua,
përmbi iris do kacavirrem, hënë e kuqëluar,
pemë hëne do të mbij aty, për të të turbulluar.

 

Dhe limfën e zjarrtë do rrjedh çurkë nëpër vena,
të të ngjallet shpirti yt, murosur nën bedena,
kur të rilindësh mes limfës së zjarrtë nga dehja,
Ç’bëra, do thuash, që të dëbova nga foleja!

 

E në çast do vesh parzmore me flokë stuhie,
shkallët e qiellit do zbres me hap vetëtime,
urën e shembur do ngre me palcë jetësore,
me guximin dhe dashurinë e gruas tokësore.

 

Qiell me diell do bëhem, nëse më merr grua,
me prushin femëror do ndez ndjenjat e tua,
në llavën e pasionit do zhytemi drejt dehjes,
pa pyetur për dallgët e padukshme të vdekjes!