Ti flet me sy, bija ime…
…E pa lëvizur asnjë qerpik,
Si syri i diellit,
Si sythat e pemëve,
E valëzat e bukura
Kur prekin bregun e ëndrrave.
Me një
shikim shpirtin e nxjerr
Dhe e mban në pëllëmbë të dorës,
E kuptohesh dhe nga lulet,
Mjegullat shkrihen para syve të tu
E kthehen në fjalë.
Ti flet me sy të sinqertë,
E kuptohesh lehtë
Ç’farë ke në shpirt,
Zambak të bardhë dashurie, mirësie,
Apo degëza mërzie.
Sytë janë krijesa parësore,
Bija ime,
Të bëjnë të kuptosh
dimrin,
Apo pranverën e njeriut.
Dhe ti, Dorjana ime,
Flet e buzëqesh kaq bukur dhe me sy,
Ndaj, ne të gjithë
Ndjehemi krenar e të lumtur,
Zemra ime, me ty.
E qara e një fëmije…
…Të jep dhimbje
Kur e dëgjon,
Por, mua, më shumë,
Kjo e qarë engjëlli
Po më gëzon.
Më në fund,
Këtë pallat të plakur,
Një zë fëmije
Po e zgjon…
Gurët…
…U rrokullisën nga qiejt
në formë meteorësh
E zunë vend me ftohtësin’e tyre
Në pjesë të dukshme
e të padukshme të
dheut,
Ndërsa shpirtrat iu ikin përditë,
Andej nga mbërritën në tokë,
Në formë grimcash
shprese e lumturie,
Duke lënë pas gurët e ftohtë.