Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Martin Cukalla

427
Sigal

Cingërin në cingërime, bari tretet, verdhet
Gruri.
Unë kërkoj nëpër rrëpira pakëz dritë e pakëz zjarr.
Nga tërbimi shqyhet era, kalbet druri
Çahet guri.
Ca zinxhirë nga errësira ç’kryqin eshtrat
Krak e krak.
Po ti ç’bën, o miku im?A ke ftohtë?A ke vatër?
Lecka-lecka shtegu ynë, dhe në terr, dhe i marrosur.
Ç’e mban gjallë? – them me vete, dhe të ndyrë, dhe si lodër,
Tmerr të dojë, tmerr të urrejë! Dhe dështim, dhe sakatosur.

Dashuri për kë ka vallë? Kush e do që e mban ende gjallë!
Unë s’e dua, ti s’e do, ca më shumë s’na do ai.
Kjo që ikën qe dështake, dita nesër vjen lehonë.
Kjo që ikën marrëzi, dita nesër
Shëmtarake ..

Dita sot qe qesharake, dita nesër çdo të jetë?
Lecka-lecka shtegu ynë, cingërin në cingërimë.
Bari tretet, verdhet ëndrra cingër nëpër errësirë.
Nuk e di si do jetë nesër dhe kërkoje nëpër rrëpirë…..

 

Edhe pse…

 

Edhe pse uji e aq
Deti
Tallet me ankthin e trëndafilit:
Do më gjejë të tharë
Mëngjesi i nesërm!?!

***

Edhe pse janë thërrmuar muret
E janë kalbur
Trarët….
Gurët nuk shkërmoqen
As kalben.
(Malli…Malli….Malli)
Nuk janë dallëndyshe
Që çiftohen
Nëpër ajër tjetër
Ata që kanë braktisur foletë e tyre…
Dimër i stërzgjatur!

***

Edhe pse i thonë këngë
Klithma e qyqes
Këngë është:
Ngjeth ajrin
Trishton heshtjen e barit
Frymë e tmerrit
Mbulon’ krejtësinë përreth….
Këngë?!
Njeriu përkëdhel frikën e vet
Pas fjalës.

*****************

Edhe pse shpesh
I jam përvjedhur trupit
Dhe kam marrë marren në sy
E kryqin në shpinë
Nuk kam mundur ta bëjë diçkan’ e pafalshme
E ta bëj me ty….
Ç’ka nuk bëjmë
Ngelet
Trishtim pengu
Gjithçka e bërë harrohet!