Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Luan Rama

768
Sigal

Mos më dërgo më trëndafila

Mos më dërgo më trëndafila, i dashuri im,
mjaft më me letrat dhe lulet e mungesës
karafila, jaseminë,
dua të më vish ti me hapin e lehtë,
të gjitha dyert t’i kam lënë hapur;
të shpirtit, të trupit, të qiellit,
veç sytë do i mbyll sapo të shfaqesh në horizont,
E kuqja e trëndafilit tani më është e zbehtë,
para buzëve të tua,
para gjakut tënd që ia njoh vërshimin,
në krahët e ngrohtë që më pështjellin si pjellë,
dhe më lënë një çast pa frymë.
Në buzët mbi buzë,
në frymën mbi frymë,
veluri më është më i bukur tek ti,
si një cohë shenjti,
aromë dehëse është kurmi yt,
kur përgjoj dihatjen dhe të marr erë ijëve.
Pra, eja, mos më dërgo më trëndafila e tulipanë shumëngjyrësh,
i kam hapur të gjitha dritaret e shpirtit dhe të trupit,
eja ashtu zbathur me dhimbjet që të kullojnë,
nxito nëpër fllad
me këmishën tënde të bardhë larë në diell…

 

«Love story»

Një natë nëna më tregonte dashurinë e saj me atin tim,
dihatjen dhe puthjen e parë në fshehtësi,
përshëndetjen e fundit të tij,
gjithçka është një “love story”
në diell, në rrebesh, mes duhish,
fqinja ime zbulon se ka mbetur shtatzënë
në këto ditë pranvere të një “love story”
duke rendur si e çmendur rrugëve të qytetit,
në kafenenë përballë gishtërinjtë e dy të rinjve
luajnë në heshtje si të kërkojnë tastierat
e një “love story” parë vetëm ndër filma,
në një kryqëzim një vajzë e përhumbur më pyet,
nëse pëlqej Hendel apo Brahms,
dhe unë duke qeshur i them:
– Gëzohu që po jeton një “love story”
shko, endu dhe ti në një sonatë të Hendel
këmbëzbathur në qiell
këmbëlagur në det…

Suratet e mia

Suratet e mia kërkojnë t’ ngjajnë atyre të Rumit
një surat për këmbët e tua që të nxitojnë për tek unë
një tjetër për sytë e tu të dehur
surati i shtratit është një përgjërim i pafund
ku lëngu i Evës më deh e më ngjitet në trup
fryma tënde më jep frymë
dhe kështu u hap udhë lumenjve të gjakut
njëqind surate për ti kënduar dashurisë
bashkë me ashikët e Jonuz Emresë
njëmijë surate për t’i kënduar humbjes së saj
në terrin e natës së gjatë…