Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Izet Shehu

551
Sigal

Shkëputur nga vëllimi “Për më vonë”…

Mall

 

Më mjafton të të sjell ndërmend

Për të thënë se aty i kam rrënjët.

Ngado vete, diç më dhemb,

Veç për ty më ndizen këngët.

 

Kur jam larg, ma beso,

Ndjehem si shpend i hutuar,

Asnjë fole nuk më ngroh,

Asnjë strehëz e praruar.

 

Më mjafton të të sjell ndër mend

Për të thënë, se jam yt bir.

Kur jam larg, ndjehem si shpend,

Krahët hap dhe në errësirë.

Piramida

 

A e ke parë piramidën e kafshatës,

Më thuaj, të lutem, a e ke parë?

Mbi të rënkon pesh’ e mëkatit,

Rënkojnë shpirtëra të vrarë.

 

Një qiell i tërë me ulërima,

Një grigje e çalë e uritur,

Një curril lotësh bie mbi rima,

Bie mbi vargun tim të dridhur.

 

Një grigjë e tërë shurdhmemece,

Një grigjë e tërë e pagojë,

Në vend të barit përtyp gurë,

Dhe qiellin heshtur blasfemon.

 

A e ke parë piramidën e dhimbjes,

Kafshatën e mbetur metaforë?

Rëndon mbi të rëndesë e gjindjes,

Në shi, në breshër e në borë.