Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Izet Shehu

568
Sigal

Eh, ç’u bëra…!

 

Eh, ç’u bëra kaq i lehtë,
Sa më merr një dallgë ere!
Përmbi bar tek shkoj i qetë,
Ma shkel syri një luleshqerre.

Eh, ç’u bëra kaq i lehtë,
Sa më merr në sqep lejleku.
Më vërtit,
Edhe më hedh,
Ku puthet vala me bregun.

Eh, ç’u bëra,
Si u bëra,
Nëm me vete pleqërinë,
Hop më merr në krah mëllenja,
Më lëshon mbi një kodrinë.

Eh, ç’u bëra kaq i lehtë,
Çudi, si u bëra unë?!
Plepi që zhvishet në vjeshtë,
Zogu që hesht në furtunë.

 

SAJESA

Sajesë shterpë zvarritëse si krimb,
Çdo gjë përbuz, përflet e nxin.
Dhe prapë frymon,
Dhe prapë gërhet,
Në gjirizin e turpit
Si gjarpër rrëshqet.

As vetë s’e kupton përse ndotesh në mëkat,
Sajesë e zbrazët pa nerv e pa gjak.

Çdo gjë njerëzore,
Çdo gjë të brishtë,
Kërkon ta ndash, ta bresh, ta grish.

Sajesë shterpë
Pa shpirt e besë,
Afishe e grisur në ajër e kujtesë.