Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Izet Shehu

84

Lotët e gruas

 

Lotët e gruas duke numëruar
Ndjen dridhje shpirti,
Ndjen lagështirë thellësish.

Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
Bënte me to paragrafë shenjtërish.

Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
Bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.

 

Eja…

“Eja… eja”!…
Më thotë nëna.
(S’është si nën’ e Eseninit)
S’e kanë thyer dot dy gjëma,
Më të tmerrshmet e njerëzimit.

Shkel mbi shkallën tetëdhjetë e shtatë,
S’mban as shkop,
S’mban as syze
Vjen e mpakur ca në shtat,
Ballin plot fidanë e sythe.

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Zërin zog në celular.
“Tani s’ më bëjnë fajde ëndrrat,
As më ngroh virani zjarr”

“Eja…eja!”
Më thotë nëna,
Fllad i shpirtit zë i saj.
Mua s’di pse m’ u drodh zemra
Si një zog i zënë në faj.