Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Hysen Kobellari

831
Sigal

Vrasësi qan mbi varrin tim të rremë

Nga Hysen Kobellari

Dita ime

Ja behu agimi i purpurt, thatim,

Trim e kapedan, si pleshtat;

U pengua mbi oxhakun tim

Dhe m’i shkriu eshtrat.

 

Në një guaskë vetmie rroj,

Ndanë kroit që më gërryen;

Nëse zemra ime përpëlitet

Si pendë fajkoi

S’ka vetmi që më thyen!

 

Në sytë e fëmijës si gurameçë

Të përgjakur;

Dita ime buzët me të kuq

Nis e lyen …

 

Të më dashurosh në këtë kohë …

 

Të më dashurosh në këtë kohë zgjebesh

Është njëlloj sikur të më lësh pas sy;

Të më vrasësh mua dhe veten,

Të na lësh pa shpirt në trup, të dy …

 

Ty të dashuron një tjetër,

Mua një tjetër më do;

Unë, që të gjithë i dua dhe patjetër,

Mos e diskuto,

Dua, ashtu si vetë Zoti do …

 

Prandaj, më fshij nga kujtesa,

Më moho !

Unë mbase vdes nga egoja e vjetër …

 

Po e di që fuqi s’ke, për të harruar,

Vrasëse e pa fajësuar;

Vetëm Zoti mund të dashurojë më shumë

Se ç’dashuron një grua…

Ç’po ndodh me ty;

Ç’bëhet me mua?!

 

Dashuria jote është si ajri,

Ku qarkullojnë shpirtrat e pafaj;

Qan zemra jote;

Zemra ime, qaj !

 

Pagjumësi

 

Maçoku u shtriq gjatë e gjerë

mbi divan;

mbi tryezë prehem e gjumi s’më vjen.

Shiu mbi qelqe gufon shatërvan

Dhe nata leh si qen …

 

Me kokë përmbi re, të mos flesh,

Të shohësh ëndrra llahtari.

Sa ndot ! …

Të dalësh e tek dera të gjesh

Një tog me të pëgëra gomari.

 

Vrasësi qan mbi varrin tim të rremë

 

Qesh

Me ofshamat e tij të sinqerta;

Unë bëhem Ai,

Ai bëhet Unë …

 

I ngrati,

Nuk më qan vërtet mua;

Qan hallet dhe dertet e veta.

 

Afshi i keqardhjes për veten time

Më gufon nga thellësi e zemrës

Trupin ma dreth si lemzë,

Psherëtima intime …

Dhe

Qaj Ai,

Qaj Unë

Siç qan kur ndesh në gozhdë, sharra …

 

Thjesht për qejf qajmë,

Thjesht për t’u lehtësuar nga barra

E ditës që s’ka nisur

Dhe ndër mend e mbajmë.

 

Ngulshi gati më zë frymën, më del prej hundësh

Si me më dalë shpirti soje …

S’nxjerr dot një fjalë të vetme prej goje.

 

Kokat tona në falje e lutje përkulen,

U ngjajnë dy rrathëve të zjarrtë

Me avuj dhe tym…

 

Një engjëll mes nesh qenka ulur

Na mbledh lotët në një gjym;

I artë ky gjym qafëgjatë.

 

Ç’të të them ç’kam hequr

Nga ky vajtim

Mbi të rremin varrin tim !

 

Ai që qan me mua, që është vrasës,

Po që për mua s’është hasëm

Mban në shpirt si gozhdë pandehmën:

“Po vrave, do të të vrasin !” …

Ani, s’prish punë

Dhe

Qaj Ai,

Qaj Unë.

 

Një melodi babaxhane

Që s’mbaron me Of !

Mos mendoni se këtu diçka nuk shkon

E çfarë nuk ka shkuar mbroth

Në këtë botë virane ?!…