Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Haxhi Dikolli

805
Sigal

Hëna

Fle edhe digjem nëpër gjumë
tretem si qiri, pa zhurmë, 
pa me ndizet zjarr në buzë
e nuk kam një pikëz ujë 
ta shuaj, se mos bëhet shkrumb.

Se kam frikë mos digjem unë 
që s’kam as ëndrra, as gjumë
që kur pashë,
– po asgjë më shumë,
Hënën e ulur në gjunjë
që më bënte rixha shumë: 
– Rri me mua të flemë gjumë 
nja një orë a ca më shumë…

Se kam bërë tërë atë udhë
ku mbi re e ku nën ujë,
ndezur e djegur në buzë,
ato që i kam merak shumë,
se e di që nuk bën gjumë,
pa i shuar Ti e Unë,
tretur në verë me shkumë!

Dua të digjem

Dua të digjem, të dehem, ja tani,
pa pritur që të bjerë zjarr e flakë,
ta çjerr këtë kostum, fringo të ri,
ta heq prej qafe këtë litar kravatë.

Ja këtu, në këtë bujtinë në rrugë,
ku rri një qen i shtrirë, në dy shkallë
ku qelben muret, vitesh erë sëmurë
e del nga butet birra gjysmë e thartë.

Këtu do dehem, sonte e kësaj nate
t’i arratisem botës ku jetoj,
s’e dua këtë luks e tërë këto parfume,
të paktën sonte ndryshe dua të jetoj.

Të ndjej si thonjtë, më ngulen në lëkurë
e buzët që më dhëmbin, në shtrëngim
kur vjen papritur e nuk më bën për burrë
një zuskë, gjysmë xhveshur në bujtinë.

Pa kur të më shajë në rrugë, fshesaxhija,
– Hej o gaxhi! S’u mbajtke dot në këmbë!
Të nxehem njëherë jetës, si një burrë
ta shaj me nënë, si asnjëherë më parë.

Të bie rrugës, t’ngrihem, prap t’rrëzohem,
të bëhem plagë, duar edhe gjunjë,
të shoh lëkurës, gjakun të më rrjedhë
të më qeshë buza, të them; – Tani jam Unë!