Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga: Haxhi Dikolli

557
Sigal

Gri !

 

Bie shi !
Unë s’jam më këtu.
Në zemrën tënde po pikturoj
Vetminë time.
Heshtja e ftohtë,
Ngrirë kanavacës
S’më le të mendoj për ty.
Shi!
Që penelon mendimeve të mia,
kësaj mbrëmje të vetmuar
Gri!

 

Kur të vish ti

 

Do ketë kaluar kohë e gjatë,
atëherë besoj që ti do vish,
rrugëve s’do jenë më të bardhë,
të ftohtët gurë kilometrik.

Do ulen qiejt edhe më poshtë,
mes reve e tretur ti do jesh,
unë do jem bërë si dëborë,
ti shi i ftohtë e me rrebesh.

E përsëri po si njëherë,
s’do kemi natë e as qiell gri,
unë nuk do shikoj se si je bërë,
ti më mbaj mend me flokë të zinj…

Sa jeton ëndrra?

 

Sa jeton një ëndërr?
Ju pyes:
– Sa ?
Dhe ju më thoni
– Ndoshta me shekuj!

Njerëz!
Ju pyes
për ëndërr të gjallë
jo të vdekur !

 

Mëkatar

Po thinjem,
A thua po plakem?!
S’janë pak,
Pesëdhjetë e ca vjet
Shqiptar
Dëgjoj njerëz të thonë:
– shikojeni, shikojeni!
Ky duhet të jetë, Ai!?

Po ka edhe që më bekojnë
…siç ka edhe nga ata
Që mbetën duke më sharë!

S’kanë faj
S’kam qenë edhe “aq i mirë”

Pesëdhjetë e ca vjet mes tyre
Ç’kam parë e dëgjuar
Ndonjëherë edhe pa dëshirë
U bëra “Mëkatar”

 

Gjysma

Njoha në jetë e jo veç unë
ca gjysma njerëz, hiç më shumë
ca gjysmë bote, brenda kanë
ca gjysmë kohe, s’dinë ku janë
ca gjysma jete të jetuar…

Për çfarë kam njohur, t’them të vërtetën
më mirë t’ju kisha njohur, gjysmën tjetër.