Kosa e padrejtësisë
Kosa e padrejtësisë kosit,
Çdo ditë barin e shpresës,
Në llumin e mëkatit vozit
Dhe shter burimet e jetës…
Ligji të vret me të pa drejtë,
I varfëri ndëshkohet më kot,
I pasuri të drejtën e ka në kuletë
Dhe me dobësitë e të tjerëve lot…
Marrëzia po kthehet në mençuri
Dhe krimi në një rregull perfekt,
Se kur e drejta bëhet padrejtësi
Kamxhiku i të paudhit të godet…
Kosa e padrejtësisë kosit,
Çdo ditë barin e shpresës
Llamba e të drejtës nuk ndrit
Në pusin e shurdhër të heshtjes.
“Rroftë” e “Poshtë”
Na therin brinjët, na dhëmbin plagët
Në kohë pa paqe, në kohë pa luftë,
Në zgrip humnerash po na çojnë udhët
Ku na drejtojnë kopukë-hajdutë…
Sillemi rreth hijes së kohës s’ikur
Na thonë se jemi vetë sovrani,
Por pas kurrizit thika e ngritur
Na kërcënon me jetë mjerani.
Nuk ecën koha n’drejtim të duhur
Nuk ecën rrjedha nga lartë poshtë
Në rreth vicioz na kanë futur
Gjysma thotë “Poshtë” e gjysma “Rroftë”!
Kështu ne ikim n’drejtim t’paditur
Popull pa tru, pa ideal
Ky tranzicion na ka braktisur
Problemet tona janë bërë mal…